• Shqip

Mospajtimet në relacionin BE- Kosovë dhe integrimi në Bashkimin Evropian

16.05.2022 Mirlind Behluli

Dita e Evropës për kosovarët shënjon kuptime shumë shtresore. Në njërën anë, përveç ditë pushmi, 9 maji është moment përkujtimi të të arriturave dhe, në anën tjetër, mundësi për të reflektuar për reformat që duhet ndërmarrë në rrugën e integrimit evropian. Në këtë kontekst, 9 maji disi na rikujton, së paku, dy tema të mëdha: liberalizimin e vizave dhe integrimin e në Bashkimn Evropian, ditën e së cilës kosovarët, ndonëse ende larg anëtarësimit në BE, e festojnë duke pushuar. Më 10 maj, një ditë pas festës së Ditës së Evropës, në Sallonin e së Martës u diskutua mbi integrimin evropian, e ku pjesëmarrës ishin Mehdi Sejdiu, Këshilltar Politik në Zyrën e Zëvendëskryeministrit të parë, Rrezarta Krasniqi, Kryetare e Komisionit për Integrime Evropiane dhe Demush Shasha, Drejtor Ekzekutiv në Institutin EPIK.

Tema e parë, ajo e liberalizimit të vizave, për vite me radhë është temë e shumë diskutuar në Kosovë. Si e tillë, ajo përfaqëson një marrëdhënie të “çudtishme” ndërmjet Kosovës dhe BE-së. Përkundër që Kosova ka vite që ka plotësuar të gjitha kriteret për liberalizim, saktësisht 95 kritere teknike, kosovarëve ende u mohohet e drejta themelore e lëvizjes së lirë e pa viza në zonën shengen. Madje, ajo shpesh është lidhur edhe me tema politike si p.sh. nevoja për aprovimin e demarkacionit në vitin 2016, që u shndërruar krejt ‘papritur’ e ‘padrejtësisht’ në kërkesë e BE-së karshi elitave politike udhëheqëse të vendit. Herë pas here, Kosova ka marrë ‘dritën e gjelbër’ për liberalizim të vizave nga Parlamenti Evropian dhe Komisioni Evropian, por që edhe viti 2022 i gjen kosovarë pa liri të lëvizjes në BE. Megjithatë, qytetarët e Kosovës, ndonëse shpesh kritikë ndaj qasjes së BE-së në lidhje me liberalizimin e vizave, vazhdojnë të kryesojnë listën e vendeve më dëshirën më të madhe për anëtarësim në këtë union. Në vitin 2020, një hulumtim i opinionit publik, theksonte se shumica e kosovarëve, saktësisht 93% e kosovarëve janë  në favor të integrimit në BE  Por, në diskutimin e Sallonit të së Martës të datës 10 maj, u konstatua një moment i favorshëm për liberalizim të vizave dhe u theksua lobimi i vazhdueshëm i Qeverisë së Kosovës në lidhje me këtë temë, i cili ka rritur pritshëmritë e ekzekutivit për liberalizim të vizave.

Duhet konsideruar fakti që liberalizimi i vizave është vetëm një copëz e mozaikut të integrimit evropian. Kosova në Strasburg në vitin 2015 nënshkroi Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, që shënoi hapin e parë të vendosjes së marrëdhënieve kontraktuale me BE-në, ku shteti kosovar shënon të anëtarësohet një ditë. Edhe pse MSA ka hyrë në fuqi në vitin 2016, një raport i D4D i publikuar në vitin 2016, theksonte se Kosova është në fillet e procesit integruar në BE. Tutje, në raport theksohej se përkundër viteve që kanë kaluar nga nënshkrimi, Kosova nuk ka arritur të zbatojë me sukses obligimet që dalin nga MSA. Si kandidat potencial për anëtarësim në BE, rrugëtimi i Kosovës ka qenë i karakterizuar me vështirësi edhe për shkak të mungesës universale të njohjes dhe mosstabilitetit politik, i cili ndikon në stagnimin e reformave që derivojnë nga kërkesat teknike të MSA-së. Gjatë diskutimit në Sallon, u shpalosën qëndrime të ndryshme në lidhje me rrugëtimin e deritanishëm të Kosovës drejt BE-së. Megjithatë, anëtarësimi në BE u vlerësua të jetë një projekt pa alterantivë për Kosovën.

Dialogu me Serbinë dhe perspektiva e anëtarësimit në BE nën dritën e (mos)arritjes së marrëveshjes finale ishte një pikë tjetër mospajtuese në diskutimin e 10 majit. Këndvështrime mospajtuese u vërejtën në lidhje me varësinë e përparimit në rrugën drejt BE-së dhe përfundimit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Megjithatë, dialogu me Serbinë, që lehtësohet nga Zyra e Përfaqësuesit për Politikë të Jashtme dhe Siguri të BE-së, do të vazhdojë të mbetet njëra ndër fushat ku do të farkëtohet ardhmja evropiane e Kosovës. Më konktresisht, një marrëveshje përfundimtare mes Prishtinës e Beogradit, konturat e sëcilës tashmë për Kosovën janë të njohura, do të lehtësonte dukshëm rrugëtimin e shtetit kosovar drejt BE-së. Njohja e pavarësisë nga pesë vendet mosnjohëse, sikurse edhe integrimi në BE, duket se tashmë kalon nëpërmjet urës së dialogut. Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, me gjasë paksa edhe pavetëdijshëm, po synon një normalizim të dyfishtë: atë ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit dhe Prishtinës e Brukselit.