• Shqip

(mos) Kujdesi karshi lajmeve me çrregullim të inforamcionit 

26.08.2022 Drenusha Canolli

Konsumimi i lajmeve dhe mediave dikur ka qenë një ngjarje sociale, ku lajmet shiheshin bashkarisht në televizor që mundësisht do të diskutoheshin nga grupmosha të ndryshme. Dikur gazetat dhe radioja kanë pas një perspektivë tjetër mbi ngjarjet ku përmbajtja e një gazete apo një emisioni në radio mbetej e njëjtë. 

Ndërsa në sferën e sotme mediatike, shpërndarja e informacionit është shumë më e madhe fal zhvillimit të teknologjisë dhe rrjeteve të ndryshme sociale, mirëpo dhe mundësia që lajmet të përmbajnë çrregullim të informacionit është më e madhe. 

Sot konsumimi i lajmeve mund të bëhet në mënyra të ndryshme, theksuar këtu edhe përmes reklamave të paguara ku mund të përdoren për të vendosur se çfarë përmbajtje do të shohin lexuesit dhe çfarë jo, dhe mund të targetoj edhe grupe të caktuara sipas gjinisë, moshës, pikëpamjeve politike dhe ku ata jetojnë.

Derisa ky zhvillim i hovshëm i teknologjisë dhe medias ka mbërthyer edhe Kosovën ka bërë që lajmet me çrregullim të informacionit të shpërndahen me shpejtësi.

Duke u bazuar në të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës, ku 96.1 përqind e popullsisë së Kosovës vetëm në vitin 2021 kanë pasur qasje në internet nga shtëpia nga çfarë do pajisje, telefoni celular, kompjuter, laptop dhe tablet shton nevojën për identifikimin sa më të shpejtë të lajmeve të tilla dhe ndërmarrje masash që lajmet e tilla të mos zënë vend në media. 

Sipas një hulumtimi të bërë nga Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës, një numër i mediave online nuk kanë kapacitete të mjaftueshme njerëzore për t’u marrë sa e si duhet me informacionin, duke bërë që informacioni që plasohet shpesh të jetë jo i plotë dhe jo i verifikuar si duhet. Interneti ofron numër të madh lajmesh, të cilat domosdo duhet t’i nënshtrohen verifikimit të nevojshëm para se të publikohen. Mungesa e kapaciteteve profesionale dhe moskujdesi karshi informacionit të saktë bën që publikut t’i servohet përmbajtje mediale joprofesionale dhe problematike në aspektin etik.

E njëjta është duke ndodhur edhe me lajmet që është duke u raportuar për konfliktin Ukrainë – Rusi. Duke u bazuar në hulumtimin e Instituti D4D: “Raportimi i lajmeve nga portalet online -rrjetet sociale dhe ndikimi tek publiku”, përhapja e artikujve dhe postimeve me ç’rregullime të informacionit në shumicën e rasteve janë nga artikujt që janë huazuar nga media dhe llogari të rrjeteve sociale të huaja, e shpesh të paverifikuara.

Lufta në Ukrainë ka bërë që në mediat online në Kosovë të publikojnë lajme të paverifikuara dhe nga burime jokredibile. Në mungesë të verifikimit të fakteve, disa media i kanë ofruar publikut lajme të njëanshme. Është e nevojshme që mediat online të krijojnë praktikën e verifikimit të fakteve para se të raportojnë për zonat e konfliktit dhe, njëkohësisht, të kenë kujdes në zgjedhjen e burimeve që i shfrytëzojnë. 

Gjithashtu edhe gjatë periudhës së pandemisë qytetarët janë ndikuar nga lajmet e rreme dhe teoritë e konspiracionit, të publikura në mediat online. Lajmet nga burimet jokredibile dhe të dyshimta kanë ndikuar që në mesin e publikut të krijohet frikë, panikë dhe pasiguri sociale. 

Verifikimi i fakteve është thelbësor për gazetarinë profesionale, ashtu si dhe nevoja për forcimin e mekanizmave të kontrollit përbrenda redaksive, si masë parandaluese për lajmet e rreme dhe dezinformatat. Mund të them që lajmet e pavërteta nuk janë një fenomen vetëm i kohës së sotme. Ato janë përdorur prej kohësh për të dëmtuar kundërshtarët politik, për të destabilizuar shoqëritë. Mirëpo, ditëve të sotme, zhvillimi i teknologjisë dixhitale e ka lehtësuar përhapjen e shpejtë të lajmeve që kanë ç’rregullim të informacionit, pasi që, secili mund lehtësisht të shpërndajë dezinformatë, ndoshta edhe pa qëllim. Andaj bazuar në këto zhvillime ka ndikuar edhe rënia e besimit tek mediat dhe qeveritë.

Ka akterë të ndryshëm që mund të ndërmarrin veprime më efektive që kontribuojnë në forma të ndryshme për luftimin e dezinformimit dhe keqinformimit në shoqërinë kosovare, por nëse flasim në përgjithësi, dezinformimi aktualisht po hulumtohet dhe identifikohet, pavarësisht përhapjes. Rënia e besimit tek lajmet dhe mediat në përgjithësi shënon po ashtu një rënie edhe në konsumimin e lajmeve për shkak të një prirje negative të lajmeve. Bazuar në këtë, gazetaria dhe shoqëria në përgjithësi duhet të pyes se si të ndërtohet besimi dhe si të përmirësohet imazhi negativ i medias. Andaj fokusi më i theksuar duhet të jetë promovimi i gazetarisë dhe medias lokale!