• Shqip

A kanë arritur komunat të mundësojnë riintegrim të qëndrueshëm për të rikthyerit/at?

07.02.2019 Vjollca Qeriqi

Duke pasur parasysh gjendjen e rëndë ekonomike dhe sociale në shoqërinë tonë, trendi i migrimit është në rritje të vazhdueshme. Shumë të rinjë bëjnë përpjekje që të migrojnë përmes rrugëve sa më të shpejta, e në shumicën e rasteve jo ligjore, me qëllim që të gjejnë mundësinë e punësimit në shtetet evropiane për një standard më të lartë të jetesës. Mirëpo, tashmë Republika e Kosovës është në listën e vendeve të cilat ofrojnë siguri për qytetarët e saj, dhe asnjë prej qytetarëve të saj nuk mund të jenë azil-kërkues në vendet evropiane. Të gjithë migrantët të cilët nuk kanë status legal të qëndrimit në vendet perendimore duhet të riatdhesohen, qoftë në mënyrë vullnetare apo edhe të detyruar.

Që nga viti 2008, procesi i riatdhesimit dhe riintegrimit ka kaluar në përgjegjësinë e Qeverisë së Republikës së Kosovës, e cila ka ndërtuar mekanizmat e nevojshëm ligjor dhe institucional për menaxhim të procesit të riatdhesimit dhe integrimin e tyre në shoqëri. Aktualisht, është Regullorja Nr. 13/2017 për Riintegrimin e Personave të Riatdhesuar që ka për qëllim riintegrimin e qëndrueshëm të personave të riatdhesuar, duke specifikuar qartë përgjegjësitë e secilit institucion në këtë drejtim. Po ashtu, është edhe Strategjia Kombëtare për Riintegrim të Qëndrueshëm të Personave të Riatdhesuar në Kosovë 2018-2022, e cila ende është si draft dokument, por që pritet së shpejti të miratohet. Çështjet kryesore që derivojnë nga këto dokumente i dedikohen fushës së regjistrit civil, shëndetësië, arsimit, punësimit, mirëqenies sociale dhe banimit, me anë të të cilave synohet rintergimi i qëndrueshëm i personave të riatdhesuar.

Kosova ka një numër të konsiderueshëm të personave të riatdhesuar të cilët duhet të riintegrohen në shoqëri. Kjo paraqet një sfidë të madhe për institucionet e Kosovës, si në sektorin shëndetësor, ku personave të riatdhesuar që vuajnë nga sëmundje të rënda dhe që janë trajtuar nga vendet e kthyera, nuk mund të marrin të njëjtin tretman pas kthimit. Po ashtu qasja në arsim, ku shumë persona të riatdhesuar nuk kanë njohuri të ndonjërës prej gjuhëve zyrtare (shqipe apo serbe) e që rezulton me vështirësi për qasje në arsim, trajnim dhe punësim pas kthimit.

Meqenëse kjo çështje është edhe një prej kritereve për liberalizim të vizave, do duhet të fuqizohen kapacitetet ekzistuese në të gjitha aspektet, me qëllim të ngritjes së standarteve të cilësisë në lidhje me shëndetësinë, regjistrimin e fëmijëve në shkolla, ofrimin e mësimit plotësues, kyçjen në skemat sociale, aftësimin professional dhe punësimin.

Mekanizmi kryesor për menaxhimin e riintegrimit të personave të riatdhesuar, është niveli qendror gjegjësisht Ministria e Punëve të Brendshme, e cila është autoriteti përgjegjës për menaxhimin e buxhetit për riintegrim. Në kuadër të ministrisë është Departamenti për Riintegrimin e Personave të Riatdhesuar (DRPR), i cili është përgjegjës për hartimin, monitorimin dhe koordinimin e politikave të riintegrimit në bashkëpunim të ngushtë me institucionet relevante qendrore dhe lokale.

Në nivel lokal, secila komunë do të zhvilloj riintegrimin si bashkëpunim ndër-sektorial, duke pasur dy prej mekanizmave kryesor si Zyrën Komunale për Kthim dhe Komunitete (ZKKK), si dhe Komisionin Komunal për Riintegrim(KKR). Komuna përkatëse është përgjegjëse për zbatimin në nivelin lokal të vendimeve të riintegrimit të personave të riatdhesuar dhe për organizimin e dhënies së ndihmës dhe mbështetjes.

Me gjithatë, edhe përkundër gjithë mekanizmave të rregulluar me legjislacionin në fuqi, të riatdhesuarit në të shumtën e rasteve ballafaqohen me sfida të cilat vështirësojnë riintegrimin e qëndrueshëm të tyre.

Në komunën e Lipjanit nga të dhënat e marrura nga Zyra Komunale për Kthim dhe Komunitete, për vitin 2018 janë gjithsej 102 persona të riatdhesuar. Për nga struktura etnike 44 persona janë të komunitetit shqiptarë, 31 të komunitetit Rom dhe 27 të komunitetit Ashkali.

Nga bashkëbisedimi me disa prej personave të riatdhesuar është vërejtur që mekanizmat e komunikimit, person i riatdhesuar dhe institucioni kompetent, nuk ka funksionuar siç duhet. Ata kanë potencuar se nuk kanë qenë fare të informuar se mund të gëzojnë statusin e personit të riatdhesuar, që në momentet e kthimit nga shteti që ka migruar. Kjo është pohuar edhe nga ZKKK në Lipjan, se ka raste të tilla që paraqitën në zyre, dhe pas informimit regjistrohen dhe mund t’i gëzojnë të drejtat që ju takojnë. Por ka edhe raste të tilla që paraqitën me vonesë, pas afatit ligjor që është tremuaj dhe si rrjedhojë nuk mund të regjistrohen si persona të riatdhesuar. Si pasojë e saj nuk mund të jenë përfitues të shërbimeve që ofrohen për personat e riatdhesuar.

Në komunën e Lipjanit për vitin 2018, nga ky program gjegjësisht për krijim të bizneseve të reja kanë aplikuar gjithësej 40 persona, dhe në bazë të konkurencës kanë arritur të jenë përfitues vetem 5 persona të riatdhesuar. Prej tyre 3 janë të komunitetit shqiptar dhe 2 janë të komunitetit ashkali. Prej masave që i’u ofrohen personave të riatdhesuar, interesimi i tyre më i madhë është tek aftësimi professional, që i’u mundëson të aftësohen në profesione të caktuara.

Është me rëndësi fuqizimi edhe i sektori privat, që përmes politikave të punësimit, të i’u mundësohet personave të riatdhesuar të integrohen në tregun e punës. Një prej masave tjera në kuadër të Programit Aktiv për Tregun e Punës në Kosovë, është edhe subvencionimi në paga, për personat e riatdhesuar, në bizneset private. Por zbatimi i kësaj mase është mjaft sfiduese për sektorin privat. Kjo është për faktin se bizneset private nuk shprehin interesim për të marrë punëtor në kuadër të kësaj mase, për shkak edhe të procedurave burokratike.

Duke pasur parasysh sfidat që paraqiten për riintegrim të qëndrushëm të personave të rikthyer, vërehet se është reduktuar vullneti institucional, veçanërisht në nivelin lokal, për të ofruar zgjidhje praktike e lehtësim për të rikthyerit. Të rikthyerit duhet të kenë adresën e qartë dhe shtetin kujdestar për të trajtuar kërkesat dhe nevojat e tyre. E gjitha mund të realizohet me seriozitet dhe koordinim gjithëpërfshirës, ne mesë akterëve qeveritar, por duke përfshirë edhe sektorin joqeveritar, për të bërë më me mundësi vendin për të gjithë të rikthyerit.