• Shqip

Jeta përtej diplomës

14.06.2016 Doruntina Baliu

Çdo vit, mijëra studentë nga universitetet publike hedhin në ajër kapelat katrore për të marrë më pas një letër me të njëjtën formë nga e cila shpresojnë të realizojnë ëndrrën për një të ardhme të sigurtë. Duhet një debat i gjatë për të analizuar faktorët dhe modelet shoqërore të cilat i nxisin ëndrrat dhe ambiciet  te studentët të cilët sot ngrenë kapelat. Në vendin tonë, problemet nisin që nga shkolla e mesme nga mungesa e orientimeve apo udhërrëfyesve për karrierën e shumë prej maturantëve. Në mungesë të një sistemi këshillues për filtrimin e ëndrrave, nxënësit vihen në ambientin e vrazhdë me shumë dilema për rrugën e re. Rol modelet janë të paktë dhe të kufizuar në politikanë, bankierë, VIP apo edhe pronarë të bizneseve të mëdha. E në mungesë të rol modeleve nga shkenca e teknologjia, inercioni i dërgon studentët te disa drejtime të cilat prodhojnë kuadro të cilat më pas nuk garantojnë punësim.

Sot është sekret publik që diplomat universitare në Kosovë në masë të madhe nuk po u sigurojnë të diplomuarve vende të punës ose të paktën jo në fushën për të cilën kanë studiuar. Papunësia e të rinjve të diplomuar nga universitetet publike si problem evident mund t’i atribuohet në një masë përgatitjes së këtyre të rinjve për tregun e punës. Përderisa ekziston një numër i madh programesh në universitetet publike në Kosovë numri i studentëve të pranuar nëpër degë të caktuara është në disproporcion me nevojat aktuale të tregut të punës. Sektori privat mund të konsiderohet një nga mundësitë më të mira për zbutjen e problemit duke qenë se nevojat janë reciproke. Universitetet ofrojnë kuadro për kërkime shkencore që zhvillojnë sektorin privat dhe në të njëjtën kohë bizneset private ofrojnë punësim në fushën përkatëse të studimit. Përveç kësaj bizneset apo kompanitë private do të mund të këshillonin përshtatjen e programeve të studimit me nevojat e tregut të punës. Shembull i mirë i këtij bashkëpunimi është Fakulteti i Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike.

Në sallonin e së martës ku u diskutua mu kjo temë, profesoresha Myzafere Limani, ish dekane e FIEK-ut, tregon për të ashtuquajturin “Bordin këshillëdhënës industrial’, i cili sipas saj ka qenë një organ i përbërë nga përfaqësues të kompanive të rëndësishme publike dhe private që ishin të interesuar në punësimin e të diplomuarve nga ky fakultet.  Ky bord ka pasur edhe rol këshilldhënës në bazë të të cilit janë dizajnuar edhe dy programe të masterit në këtë fakultet.

Një strukturë e tillë vështirë të jetë e implementueshme në të gjitha programet e universiteteve publike duke ditur specifikat dhe problemin e lartcekur të zbatueshmërisë së vogël të aftësive të fituara në studime në tregun aktual të punës. Ndërkaq një model i tillë bashkëpunimi të paktën do të ndihmonte në orientimin programeve ekzistuese drejt përmirësimit apo modifikimit varësisht prej nevojës. Kjo sigurisht varet edhe nga gatishmëria dhe vullneti jo vetëm i universiteteve por edhe sektorit privat në këtë lloj bashkëpunimi sepse përfitimi i kuadrove të përgatitura mund të mos jetë stimulim i mjaftueshëm për këtë lloj angazhimi të bizneseve private.

A duhet të jenë praktikat profesionale pjesë e kurrikulës për studim?

Mos përgatitja e studentëve për tregun e punës mund të jetë edhe si pasojë e mungesës së përvojës praktike në fushën që e studiojnë. Edhe në këtë aspekt ka përjashtime në degë të caktuara megjithëse mungojnë rregullore që do të sistematizonin mundësitë e praktikave profesionale për studentë në kuadër të fakultetit përkatës. Shembull konkret mund të merret edhe Dega e Gazetarisë në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina” që për mungesë mjetesh për ta praktikuar për brenda fakultetit profesionin e së ardhmes bën që departamenti të ngelë më në hije në krahasim me degën e njëjtë në kolegjet private.

Sigurisht marrëveshjet brenda universitetit me mediumet edhe nga sektori privat për mundësi të praktikave me përqindje në vlerësim apo kredi në fakultet do të kontribuonin në zgjidhjen e problemit. Por deri së fundmi, përpjekje të tilla kanë qenë më shumë individuale nga profesorë të caktuar pa ndonjë sistem gjithëpërfshirës apo të organizuar. Praktikat profesionale  do të mund të realizoheshin me bashkëpunim me sektorin privat dhe  bashkëpunimi i ndërsjellë por me organizim të mirëfilltë mund të jetë me shumë përfitime edhe për studentët, universitetet dhe sektorin privat. Tregu specifik i punës që ka Kosova kërkon studim specifik për arritjen e zbutjes së papunësisë së të diplomuarve dhe popullatës në përgjithësi.