• Shqip

Hendeku gjinor në punësim, barra që rëndon mbi gratë

13.06.2022 Adelina Ahmeti

Punësimi i grave ka mbetur ende në nivel premtimesh zgjedhore ndërsa strategjitë e miratuara zënë pluhur e u skadon afati pa u zbatuar nga institucionet relevante.

Përtej punëve në shtëpi, kujdesin ndaj fëmijëve e familjarëve të tjerë, gratë kanë treguar shpesh herë që mund të udhëheqin kompani, mund të jenë në krye të një institucioni kyç të një vendi, mund të garantojnë siguri dhe mund të punojnë edhe punë të cilat janë konsideruar se “vetëm burrat mund t’i kryejnë”.

Në çdo palë zgjedhje të reja në Kosovë, ata që ia mësyjnë pozitave drejtuese qeveritare hynë me misionin e ngjashëm që tashmë ka marrë formën e një rrethi vicioz, të rriten vendet e reja të punës. Në Kosovë ekziston një strategji sektoriale e cila prioritet i kishte kushtuar papunësisë dhe zgjidhjes së problemit.

Aktualisht strategjia për periudhën 2019-2022 skadon këtë vit, ndërsa qeveria e vendit është në proces të hartimit të strategjisë së re e cila sërish do të ketë fokus punësimin. Zyrtarët relevantë thonë se ky dokument do të jetë “interes nacional” .

Të dhënat në terren flasin më ndryshe se ajo që çdo qeveri premton në fushatë dhe e trumbeton gjatë mandatit. Rritja e punësimit të grave nuk po arrin të realizohet edhe pse kanë ekzistuar strategji të cilat e kanë trajtuar këtë problematikë.

Kjo pasi që gratë hasin në shumë problematika edhe gjatë kohës sa aplikojnë për një vend pune. Duke nisur nga pyetjet më personale lidhur me planifikimin e tyre te ardhshme të familjes, ato shumë herë diskriminohen edhe për vitet që kanë, për shkak se kompanitë private të cilat janë të interesuara të punësojnë gra, nuk i kanë cak ato që kanë mbi 35 vite.

Në konkurse të punës të cilat hapen nga kompanitë private, mosha e kërkuar është kryesisht 22 deri në 35 vjet. E pastaj shkelja tjetër përveç diskriminimit në moshë është që gratë të cilat punojnë kryesisht në sektorin privat nuk kanë kontrata pune, duke lejuar një hapësirë të gjerë për punëdhënësit të shkelin të drejtat e grave në punë.  Kjo u pamundëson më pas të njëjtave që të marrin edhe kontributet pensionale ashtu siç u takon sipas ligjit, dhe të shfrytëzojë të drejtat e tyre ligjore për të adresuar padrejtësitë ndaj tyre në organet e rendit dhe ligjit.

Të dhënat e fundit të publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, flasin për një diferencë të lartë mes punësimit të grave dhe burrave. Sipas Anketës së Fuqisë Punëtore në tre mujorin e parë të vitit 2021 (pasi që ende nuk janë publikuar të dhënat e këtij viti) në përgjithësi shkalla e punësimit të grave është 15.9 përqind ndërsa dominojnë burrat me një përqindje prej 42.8.

Duke pasur parasysh se një strategji sektoriale me fokus në punësimin e të rinjve dhe grave ishte në funksion, përqindja nuk është se ka përjetuar rritje gjatë zbatimit të strategjisë. Kjo duke marrë parasysh statistikat që nga viti 2019 kur kishte hyrë në fuqi strategjia e deri më tani.

Sipas ASK-së, të dhënat për punësim flasin për diferencë të lartë të punësimit mes grave dhe burrave. Në vitin 2019 përqindja e punësimit ishte kështu, 14.1 gratë dhe 49 burrat. Në vitin 2020 në kohën kur u shfaq edhe pandemia COVID-19, përqindja e grave të punësuara nuk kishte ndryshuar ndërsa te burrat pati ulje deri në 5 pikë të përqindjes duke e zbritur punësimin e burrave në 44 përqind. Pavarësisht kësaj, hendeku gjinor sërish mbeti i madh. Njëkohësisht të dhënat e organizatave ndërkombëtare treguan se gratë më shumë se burrat kishin humbur vendin e punës gjatë periudhës së pandemisë. Mirëpo, pasi që një numër i madh i grave janë pjesë e ekonomisë jo-formale (për shkak të mungesës së mundësive dhe jo për fajin e tyre) humbja e punës se grave nuk u evidentua pasi që ato nuk punonin formalisht. Më e rënda, ka raste të identifikuara kur gratë largohen nga puna për shkak edhe të shtatzënisë.

Sa është serioze çështja e punësimit të grave

Të dhënat ditore të institucioneve të cilat ofrojnë rend dhe siguri në vend, flasin për numër të vazhdueshëm të rritjes së rasteve të cilat kanë të bëjnë me dhunën në familje.

Nga përvoja në fushën së sigurisë, me gratë që i kam intervistuar si viktima të dhunës në familje, në shumë prej rasteve faktor kryesor del të jetë gjendja ekonomike e financiare në familje.

Kjo pasi që vetëm burri punon dhe gruaja nuk mund të marrë pagë pasi që duhet të ushqejë e kujdeset për fëmijët, të rregulloj shtëpinë, të kujdeset që burrit t’i bëhet gati ushqimi në kohë të caktuar dhe të kujdeset për të moshuarit.

Por pa të ardhura të mjaftueshme shumë prej gjërave të lartpërmendura nuk mund të realizohen. Kjo pasi që për të pasur ushqim, për të rritur fëmijë e për tu kujdesur për higjienën shtëpiake duhet të kesh para të mjaftueshme. Gjithashtu, për të ngritur zërin ndaj dhunës, abuzimit dhe shtypjeve të tjera, gratë duhet të kenë mundësi financiare për të përballuar jetën alternative.

Prandaj për të luftuar fenomenin e papunësisë te gratë, qeveria nuk duhet që seriozitetin ta vendosë vetëm në letër por edhe ta implementojë atë në terren.

Institucionet e përfshira në strategjinë e re duhet të fokusohen jashtëzakonisht shumë në rritjen e aktiviteteve dhe fushatave të cilat motivojnë gratë që të bëhen pjesë e tregut të punës. Inspektorati i Punës duhet të rrisë vigjilencën në aspektin e trajtimit të grave në punë në cilindo sektor dhe largimet nga puna pa bazë ligjore të trajtohen seriozisht në mënyrë që gratë të jenë në një nivel të njëjtë me burrat në punësim dhe të kenë siguri për vendin e tyre të punës. Institucionet e rendit dhe ligjit duhet të ndërmarrin masat që gratë të mos keqtrajtohen në punë dhe bizneset që veprojnë në kundërshtim me ligjin të dënohen sipas sanksioneve në fuqi. Fuqizimi i ligjit sjellë fuqizim ekonomik te gruas në Kosovë, dhe rrjedhimisht ulje të dukurive diskriminuese ndaj grave, pjesëmarrje dhe trajtim të barabartë për gratë duke filluar nga familja, institucionet dhe shoqëria në përgjithësi.