• Shqip

Fëmijët nuk janë veç të nënës!

13.12.2018 Doruntina Baliu

‘I ndihmon shumë gruas’, i thuhet një babai që kryen ritualet bazike në kujdesin ndaj foshnjës, siç është ushqimi apo ndërrimi i pelenës së një bebeje. Në raste të tjera këta baballarë edhe zhvishen nga ‘petku i burrërisë’, nëse guxojnë të sakrifikojnë diçka nga puna për të kontribuar në punët që tradicionalisht njihen si të nënave. Të nxitur nga stereotipet gjinore tradicionale dhe të mbështetur nga ligji, burrat në Kosovë po vazhdojnë të luajnë një rol sekondar në kujdesin ndaj fëmijëve pas lindjes. Pamundësia që baballarët e rinj të marrin pushim të paguar për kujdes ndaj fëmijëve të porsalindur po cenon të drejtat e tyre për të qëndruar afër fëmijëve. Kjo pabarazi në ligj po shkakton edhe deaktivizim të grave në treg të punës.

Barazia e dy prindërve të gjinive të kundërta në kujdesin primar në familje shihet si risi dhe koncept jo shumë i njohur në shoqëri. Kjo duke nënkuptuar se në familjet me dy prindër- burrë dhe grua- kjo e fundit e luan rolin primar të kujdesit ndaj foshnjës.

Në Kosovë prindërit e të dy gjinive konsiderohen kujdestarë legjitim të një fëmije. Megjithatë, ligji nuk parasheh që baballarëve t’iu epet pushim me pagesë pas lindjes së një fëmije, përpos në raste të jashtëzakonshme siç është sëmundja apo vdekja e nënës.

Nënat dhe gratë që janë në moshën potenciale për t’u bërë nëna diskriminohen në vende të punës duke u parë si një rrezik që lë një vend pune vakant dhe duhet t’i paguhet pushim i gjatë i lehonisë. Një faktor kontribues në diskriminim është fakti që baballarët nuk shihen si rrezik i tillë dhe rrjedhimisht janë në avantazh në treg të punës.

Debati mbi kujdesin prindëror mirëpo edhe problemet e prindërve në tregun e punës u ringjall nga një nismë legjislative që rregullon në mënyrë të veçantë pushimin e lehonisë. Pushimi i lehonisë dhe ai atësisë sot për sot rregullohet në kuadër të Ligjit të Punës . Ky ligj parasheh deri 9 muaj pushim me pagesë për nënën ndërsa për babain parashihen dy ditë pushim të paguara.

Në anën tjetër, këtë vit Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale ka draftuar një projektligj të veçantë për çështjen e prindërve që punojnë duke futur për herë të parë edhe termin pushim prindëror. Në këtë projektligj, sërish nuk parashihet pushim më i gjatë se disa ditë me pagesë për baballarët e rinj. Në fakt, sipas ministrisë ky projektligj u hartua duke pasur ndërmend shqetësimin lidhur me rënien e natalitetit në vitet e fundit. Aq shumë, sa ministria vendosi të paguajë nënat lehona të papuna për gjashtë muaj pas lindjes së fëmijës.

Organizatat jo qeveritare që po avokojnë për ndryshimin e këtij modeli thonë se po krijon stimuj për gratë që të qëndrojnë jashtë tregut të punës. Sipas një pjese të konsiderueshme të shoqërisë civile, një pushim pak më i shkurtë për nënën dhe i balancuar me babain mund të ndikojë në mënyrën se si gratë trajtohen në vend të punës. Në masë të përgjithshme modeli i propozuar nga organizatat që parasheh 8 muaj pushim me pagesë për nënën dhe 5 muaj po ashtu me pagesë për babain.

Një nga qëndrimet kundërshtuese të këtij modeli, thotë se baballarët në fakt do të hezitojnë ta marrin këtë pushim, çoftë për arsye sociale apo të tjera. Sipas hulumtimit të organizatës Demokracia për Zhvillim, qëndrimi hezitues i baballarëve për të marë këtë pushim është më i theksuar tek gjeneratat më të vjetra. Ndërkaq, sipas hulumtimit, moshat më të reja janë shprehur pro kësaj ideje në një përqindje shumë më të lartë.

Në anën tjetër sipas psikologëve, në aspektin kognitiv, afërsia e të dy prindërve në moshat e hershme të foshnjave, i ndihmon ata në zhvillim. E përveq kësaj, edhe për nënat mund të jetë më i lehtë rikuperim fizologjik por edhe kujdesi i shëndetit mendor pas lindjes, nëse partneri është afër.

Ndikimi ekonomik i pushimit të balancuar prindëror

Të dhënat tregojnë se joaktiviteti i grave në punë ka kaluar 80 për qind të fuqisë punëtore nga kjo gjini. Po ashtu, vetëm 18 për qind e pronës së përgjithshme në vend është e regjistruar në emër të grave ndërsa mungon përfaqësimi i tyre në qeverisje. Në këtë mënyrë një përqindje e konsiderueshme e popullsisë nuk kontribuon në ekonominë e vendit.

Megjithatë, qeveria ka paraparë zbutjen e diskriminimit të grave në punë jo duke i balancuar me baballarët por  duke i ulur punëdhënësve barrën e pagesës të pushimit të lehonisë për gratë. Në fakt, akterë të shumtë të përfshirë në diskutimin e këtij projektligji pajtohen që në një të ardhme të afërt, punëdhënësit do duhej të mos kenë përgjegjësi për të bërë pagesat e pushimeve prindërore. Në vend të kësaj është paraparë një fond i veçantë që do të kryente këto pagesa.

Në sensin e ekonomive familjare, një model i pushimit me pagesë që përfshin edhe burrat, nënkupton në parim më shumë para për prindërit që punojnë. Modeli po ashtu do të thotë një varietet më të madh të opsioneve që familjet e reja kanë për të balancuar punën dhe jetën familjare por edhe kuletën e përbashkët.

Në konkluzion, nismat legjislative janë projekte afatgjata që nuk mund të ndryshohen ad-hoc për të përmirësuar gabime apo përfshirë ide të reja në situata të reja. Në të njëjtën kohë, nevojiten masa konkrete për problemet ekzistuese dhe prioritare siç është përfshirja e grave në treg të punës dhe kontributit të tyre në ekonomi. Kjo duhet të bëhet pa u mbështjellur në ide dhe politika populliste që krijojnë status quo dhe stimulime për të mbajtur një gjendje aktuale të grave në ekonomi. Përfshirja e burrave në kujdesin e fëmijëve dhe ligjërisht nuk duhet të shihet si revolucion i hershëm apo ide inovative. Përkundrazi, barazia gjinore në familje, shoqëri e punë do duhej të bëhej normë jo diskutabile në drejtim të së mirës së përgjithshme.