Çfarë mundësi ofron tregu i punës për të rritur pjesëmarrjen e grave dhe vajzave – ku duhet bërë ndërhyrjet e menjëhershme?

27.12.2022 Shaban Maxharraj

Të dhënat e sakta për një çështje a fenomen e nxjerrin në pah gjendjen reale. Pa dyshim që nuk mund të flasim për kurrfarë teme pa pasur gjendjen e ekzaminuar. Prej pasluftës e deri tash institucionet vendore, ato ndërkombëtare e organizatat joqeveritare ofrojnë statistika për çështje të ndryshme. Njëjtë edhe për vajzat e gratë që janë aktive në tregun e punës dhe për ato që rezultojnë të papuna. Sa herë flitet për mundësinë e pamundësinë e grave për të punuar, ia përplasim fytyrës njëri-tjetrit shifrat. Ama, bash sa herë që flitet.

Por që të dalim përtej shifrave është e vështirë. Diskutohen edhe arsyet përse gjendja është e tillë. Nganjëherë edhe jepen propozime për hapat që duhen ndërmarrë, hartohen edhe strategji, por gjendja nuk ndryshon. Ose ndryshon krejt pak. Me hapat e ndonjë breshke të përgjumur. Shpesh përmendet mendësia, kryesisht e meshkujve, që ndikon edhe te gratë që ato të mos bëjnë hapa në karrierën e tyre. “S’është punë për gra”, është një togfjalësh i shpeshtë në mjediset tona. E nganjëherë kjo edhe ju konvenon grave. E marrin si kujdes ndaj tyre. Por në rastet kur ato bëjnë hapa para e vërtetojnë të kundërtën. Shpesh të dyja palët e shohin që janë gabim.

Në një ditë goxha në ftohtë shkurti, jo shumë larg nga Cologne në Gjermani, po bëheshim gati që të shkonim në qytetin e skijimit, Winterberg. Pak para se Filloreta (motra) ta mbyllte derën e shtëpisë, pranoi një telefonatë. Po vinte ekipi i ujësjellësit që e kishte thirrur para disa ditësh. Mua personalisht nuk më interesonte hiç se çfarë do të rregullonin. Derisa po qëndroja përballë televizorit, ajo më njoftoi se për pesë minuta do të mbaronin punë dhe do të niseshim. Për kureshtje hapa pak derën e banjës ku ishte ekipi. Një burrë prej dy metrash në mëzo moshë po qëndronte në këmbë duke kontrolluar disa gypa. Poshtë te vaska pashë vetëm këmbët me këpucë punëtorësh. Pjesa tjetër e trupit nuk shihej pasi ishte nën vaskë, dhe dola jashtë. Pas pak minutash nga shtëpia dolën burri bashkë me një grua, dhe aty mora vesh se ajo ishte e shtrirë nën vaskë. Nga kureshtja kuptova se bëhej fjalë për një çift serb që punojnë si mjeshtër ujësjellësi në atë rajon gjerman. Punëve nuk mund t’iu dilnin në krye nga kërkesat e shumta që merrnin.

Ballkani vazhdimisht është vend kontrastesh. Para pak vjetësh në Fakultetin Filozofik po diplomonin disa studentë të arkeologjisë. Bëhet fjalë për studimet bazike. Një studente kishte me vete edhe familjen e të dashurit. Pas ceremonisë të gjithë po i uronin të diplomuarit. Pas urimit, vjehrri potencial i një studenteje lëshoi një koment: “Kjo është punë e rëndë për gra”. Për të arkeologjia është punë e rëndë për gra. Ambienti përbëhej nga disa arkeologë, profesorë e historianë. Pra, të paktën nja pesë doktorë shkencash të kësaj fushe ishin aty. Por askush nuk bëzani. Vjehrri potencial e dha konstatimin e vet. Të tjerët nuk u pajtuan ndoshta në mendjet e tyre, por heshtja fliste ndryshe. Dhe, krejt kjo ndodhte në një universitet. Aty ku në kushte normale nuk pritej.

Statistikat do të na ndihmonin për të parë progresin pasa se të punohej për ta ndërruar këtë mendësi. Jo veç për të konstatuar çdo vit se jemi keq. Por derisa deputetja më e bullizuar e Kuvendit të Kosovës bullizon presidenten e shtetit, zor të ketë ide, strategji e platforma që prekin nyjën kryesore të potencialit të heshtur – gratë e papuna.

Institucionet duket sikur punojnë për të bërë “tika” nëpër raporte. Kaq deputetë sipas kuotës gjinore dhe aty vihet një “tik”. Kaq gra në filan komisioni, pasi e kërkon ligji, edhe aty një “tik” e kështu me radhë. Derisa shteti më i ri në Evropë, me trend të lartë të migrimit, nuk kthen sytë nga potenciali i heshtur, zhvillimi nuk do të marrë hov në asnjë fushë. Duhet shkuar përtej shifrave. Duhet prekur mendësinë.

Ky editorial është shkruar në kuadër të Sallonit të së Martës që organizohet nga Demokraci për Zhvillim, e që është mbështetur nga Ambasada Suedeze, Community Development Fund – CDF dhe Human Rightivism.