Ballkani Perëndimor pa mundësi për gratë

05.12.2022 Kreshnik Gashi

Diku më shumë e diku më pak, në pesë vendet: Shqipëri, Kosovë, Mali të Zi, Serbi dhe Maqedoni të Veriut, punësimi i grave është larg standardit dhe me barriera të shumta.

Një hulumtim i thellë i autorëve nga pesë vendet e Ballkanit me titull ‘(Pa) fuqia ekonomike e grave në tregun e Ballkanit Perëndimor’, identifikon sfidat e secilit shtet në punësimin e grave.

Autorët e raportit në të gjithë përmbajtjen konstatojnë që gratë janë të diskriminuara, të nën-paguara dhe me mundësi më të pakta në realizimin e të drejtës për punë.

Pasojat e mosangazhimit në punë të grave përfshijnë humbje të mëdha në prodhimin bruto dhe mungesë të të ardhurave për gratë.

Raporti e rëndit Kosovën si ‘liderin’ e diskriminimit të grave në punësim.

Vetëm 17% e grave me mundësi pune janë të punësuara në Kosovë, ndërsa të dhënat tregojnë që ato janë të nën-paguara në krahasim me burrat.

Situata e tillë në Kosovë i atribuohet vetëdijes dhe kulturës shoqërore por edhe aspekteve investive e sociale.

Faktorët që i lënë gratë jashtë tregut të punës sipas raportit, janë mungesa e qendrave për kujdesin e fëmijëve. Këto qendra edhe pse ekzistojnë në disa zona janë të papërballueshme. Faktorë të tjerë janë mungesa e transportit publik dhe pushimi i lehonisë, faktor ky që i bën gratë të mbesin të pabarabarta në punësim.

Shqipëria vlerësohet të ketë një traditë të ngjashme kulturore me Kosovën, mirëpo atje dominimi i patriarkatit vlerësohet të jetë më i ulët dhe kjo ka ndikuar të ketë më shumë gra në tregun e punës. Sipas të dhënave të cilat matin numrin e të papunëve në Shqipëri 55.5% e të pa punëve janë burra, ndërsa 44.5% janë gra.

Megjithatë edhe Shqipëria nuk e ka arritur standardin e kërkuar dhe si rrjedhojë 20% e bruto produktit vendor humbet për shkak të mosangazhimit të grave në tregun e punës.

Të dhënat nga raporti tregojnë që gratë në Shqipëri vazhdojnë të jenë të diskriminuara në udhëheqje, në menaxhim dhe në punësim në pozita të larta udhëheqëse.

Raporti konstaton që fondet qeveritare të alokuara për projekte gjinore kanë pasur pak ndikim në përmirësimin e situatës.

Maqedonia e Veriut ka sfida të ngjashme në punësimin e grave.

Projektet qeveritare që synonin angazhimin e grave në punësim u refuzuan nga komuniteti. Sipas raportit kjo ka krijuar një situatë ku mbi 51% e grave që janë aktive për punë të mos jenë të punësuara.

Të dhënat e grumbulluara konstatojnë që Maqedonia e Veriut është një shoqëri tradicionale ku dominon perceptimi që gratë duhet të jenë amvise e burrat mbajtësit kryesor të familjes.  Diskriminimi i grave konstatohet edhe në çështjet e pronës, vetëm 27% e grave kanë prona të regjistruara në emrin e tyre.

Sfidat e punësimit të grave janë të ngjashme edhe në Malin e Zi. Atje konstatohet se 44.1% e grave të afta për punë janë të punësuara, ndërsa sfidat janë përafërsisht të ngjashme. Kultura patriarkale, dominimi i burrave mbi gratë apo edhe mungesa e mundësive të barabarta konsiderohen si faktorë që demotivojnë gratë për punësim.

Të dhënat nga raporti tregojnë që edhe në pronësinë e ekonomisë gratë janë të diskriminuara.

Më pak se 10% e kompanive janë në pronësi të grave, ndërsa matjet tregojnë që gratë fitojnë rreth 14% më pak se burrat për të njëjtin lloj biznesi dhe kanë mungesë pranie në pozita drejtuese në sektorin publik dhe privat.

Të dhënat nga raporti tregojnë që edhe në Serbi ka sfida të ngjashme. Në këtë shtet balanci është më i mirë, mirëpo kur krahasohen të dhënat e të papunëve del që ka më shumë gra të papuna sesa burra.

Raporti tregon se diskriminimi është sidomos në sektorët kyç të ekonomisë, si bujqësia, ku gratë zotojnë vetëm17 % të ekonomisë bujqësore.

Ballkani sfidë për ekonominë e grave

Të dhënat e raportit për pafuqinë e grave në ekonominë e Ballkanit u diskutuan në Prishtinë në një konferencë ku morën pjesë edhe Ambasadori i Norvegjisë, Jens Erik Grondahl, zëvendësministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Resul Makreshi, Fatmire Kollçaku dhe Albana Bytyç

Ambasadori Grondahl përmendi një shembull mjaft simbolik kur foli për përjashtimin e grave nga ekonomia.

“Nëse i lëmë gratë jashtë ekonomisë atëherë luajmë me gjysmë ekipi dhe kjo është e pa pranueshme”- tha Grondahl.

Sipas tij barazia gjinore është e rëndësishme për një shoqëri stabile, të fortë dhe paqësore. Ai u shpreh i lumtur për përkrahjen që kanë dhënë dhe tha se për këtë çështje është një rrugë e gjatë e cila duhet kaluar bashkë.

Zëvendësministri Resul Makreshi i sfiduar me të dhënat që gratë në Kosovë përbëjnë vetëm 17 % të të punësuarve, foli për punët që ka bërë qeveria lidhur me këtë problematikë.

Ai përmendi disa pako të qeverisë, përfshirë shtesat për lehona dhe subvencionimin e bizneseve që punësojnë gra.

“Jemi të vetëdijshëm që fuqizimi i grave në tregun e punës kërkon angazhim të mëtutjeshëm, andaj edhe puna jonë në këtë drejtim do të vazhdojë”- përfundoi Makreshi.

Disa prej problemeve që ndikojnë në nivelin e pjesëmarrjes së grave në tregun e punës sipas hulumtimit janë ndarja e profesioneve sipas gjinive, pagat e ulëta, pagesa e grave më pak se sa e burrave për punë të ngjashme, mungesa e punës me orar fleksibil, apo gjysmë orari, mungesa e qendrave të kujdesit ditor për fëmijë ose pamundësia për t’i përballuar ato.

Ndërsa, një problem tjetër i theksuar në zonat rurale është mungesa e transportit publik që do t’i përshtatej orarit të punës dhe orarit për t`u kujdesur për fëmijët e tyre.

“49.2% të grave deklaruan se kujdesi për familjen, punët e shtëpisë dhe fëmijët ishin arsyet pse nuk kërkonin punë”- thuhet në hulumtim.

Hulumtimi përveç gjetjeve, jep edhe rekomandime për secilin prej 5 vendeve të përfshira në hulumtim, ndonëse gjendja dhe rekomandimet nuk dallojnë shumë nga vendi në vend.

Harmonizimi i politikave arsimore me kërkesat e tregut të punës, rregullimi i kapaciteteve të organeve të inspektimit të punës për të përmirësuar kontrollin e zbatimit të duhur të legjislacionit, aktivizimi i masave apo fondeve për të ofruar shërbime që rrisin pjesëmarrjen e grave në tregun e punës, luftimi i diskriminimit jo vetëm gjatë punësimit, por edhe pas kthimit në tregun e punës, sidomos pas pushimit të lehonisë, ishin disa prej rekomandimeve.

Përveç tyre, u përmendën edhe sensibilizimi i publikut dhe rritja e vetëdijesimit të publikut nëpërmjet fushatave mediatike, miratimi i rregulloreve të veçanta që sigurojnë trashëgimi pronësore të barabartë në aspektin gjinor për gratë jo vetëm në ligje, por edhe në praktikë, fillimisht duke e rregulluar praktikën e heqjes dorë nga e drejta e pronës dhe trashëgimia.

Po ashtu u përmend edhe rishikimi i ligjeve ekzistuese të punës dhe miratimi i lejes prindërore në vend të pushimit të lehonisë me qëllim që të dy prindërit të ndajnë barabartë përgjegjësinë e kujdesit për fëmijët.

Përvoja e hulumtuesve

Pesë autorët e hulumtimit të mbledhur në një panel në Prishtinë kanë argumentuar të gjetjet e konstatuara në raport. Judita Krasniqi- Hajdari nga D4D përmendi nevojën që politikat sociale të qeverisë duhet të jenë specifike dhe të orientuara.

“Qëllimi është që të tregojmë se një politikë nuk mund të jetë e përkufizuar dhe të aplikohet te të gjitha gratë, mirëpo duhet të jetë specifike, për shembull për gratë në zona rurale ose urbane. Problemet me të cilat ballafaqohen gratë duhet të trajtohen gjithashtu në mënyrë specifike sa i përket aspektit institucional. Duhet të bëhet akoma më tepër për të fuqizuar mekanizmat që e implementojnë ligjin, sepse ligji ose implementimi i plotë i ligjit është mundësia e vetme për të eliminuar jo vetëm barrierat ose fenomenet negative të cilat aktualisht gjenden në tregun e punës në Kosovë”- tha Hajdari.

Shpjegimin e trendeve të papunësisë së grave në Malin e Zi autorja tjetër Andela Luçiq nga ISSP e lidhë me krizën e Covid-19 dhe luftën në Ukrainë

“Shpërthimi i luftës në Ukrainë u shoqërua me përkeqësim të ndjeshëm të prodhimit të brendshëm bruto në vitin 2022 në Mal të Zi”.

Ajo shpjegon se hulumtimi ka gjetur shumë probleme në punësimin e grave por normat gjinore tradicionale janë shkaktarët kryesorë

Autori tjetër, Kristijan Trajkovski nga CRPM nga Maqedonia e Veriut, përshkruan familjet e zonës si familje tradicionale.

“Mund të konkludojmë që është një fotografi e qartë e një familjeje patriarkale, ku gruaja rri në shtëpi dhe kujdeset për fëmijët, pjesëtarët më të vjetër të familjes, gatuan, e të tjera, ndërsa burri është ai që është mbajtës i familjes, siguron ushqim dhe kujdeset për financat”- thotë  Trajkovski.

Edhe autorja tjetër Svetlana Stefanoviq nga BFPE, shpërfaqi gjendjen në Serbi.

“Shumica e të dhënave në Serbi tregojnë që gratë kanë vështirësi më të mëdha në hyrjen dhe rihyrjen në tregun e punës se sa burrat. Dhe disa prej arsyeve kryesore janë diskriminimi, mungesa e edukimit të duhur ose edukim joformal, politika të verbëra gjinore, mospërputhja mes edukimit dhe tregut të punës te burrat dhe balanca mes jetës personale e profesionale”- tha ajo.

Raporti i publikuar së fundmi përpos shkaktarëve ka trajtuar edhe problemet ligjore e strukturore të shteteve në adresimin e barazizë gjinore në punësim dhe ekonomi.

Ky editorial është shkruar në kuadër të projektit “Shfrytëzimi i Zhvillimit: Rritja e qasjes së grave në punësim” që mbështetet nga Ambasada Norvegjeze në Prishtinë.

Editoriali është publikuar edhe në Kallxo.com: https://kallxo.com/gjate/hulumtim/ballkani-perendimor-pa-mundesi-per-grate/