• Shqip

Ambasadat pa ambasadorë: Çfarë po ndodh me shërbimin e jashtëm?

09.11.2021 Fitim Gashi

Që nga shpallja e pavarësisë më 2008 Kosova ka hapur 32 misione diplomatike në vende të ndryshme të botës. Lënia e mbi gjysmës së tyre pa ambasadorë e ka vendosur në pozitë të vështirë Kosovën në arenën ndërkombëtare. Shkarkimi i 12 ambasadoreve në maj të këtij viti, përkeqësoi edhe me tutje përfaqësimin diplomatik. Për më shumë se pesë muaj, 21 ambasada mbeten pa përfaqësim të rangut të ambasadorëve. Kësisoj, Kosova e uli nivelin e përfaqësimit me të ngarkuar me punë në të gjitha këto misione.

Kosova ka mbetur pa ambasador në Londër e Tokio kurse pa të mbeti edhe në Washington, Bruksel, Berlin e vendet e rajonit.

Ndërkaq Ambasadës së Kosovës në Australi iu vu dryni pasi nuk mbeti asnjë diplomat pas largimit të ambasadorit.

Disa propozime me çelës politik dhe disa diplomatë karriere tashmë janë dekretuar nga presidentja dhe Ministria është në pritje të pëlqimeve nga vendet pritëse.

Megjithatë kjo procedurë merr kohë pasi shtetet paraprakisht shqyrtojnë profilin e ambasadorit të propozuar dhe më pas e lëshojnë pëlqimin ose e bëjnë refuzimin qoftë edhe në heshtje.

Ulja e përfaqësimit

Ulja e nivelit të përfaqësimit nuk kontribuon në avancimin e marrëdhënieve me shtetet që kanë njohur Kosovën. Zakonisht të ngarkuar me punë janë diplomatët e rangut më të lartë pas ambasadorit. Por këta persona nuk janë të akredituar tek shteti pritës, rrjedhimisht nuk kanë mandat të plotë.

Kësisoj, fillimisht do të duhej të bëhej identifikimi i personave që do t’i zëvendësonin ambasadorët e shkarkuar, më pas të nisin procedurat për emërimin e tyre, e krejt në fund të nxirreshin vendimet për lirimin nga detyra të ambasadorëve që ishin emëruar nga qeveritë e kaluara.

Tërheqja e ambasadorëve pa një plan për zëvendësimin e tyre dhe pa vlerësim tё punës sё tyre, është konsideruar veprim jo i mençur e papjekuri diplomatike.

Megjithë premtimin e qeverisë se emërimet e reja do të bëhen shumë shpejtë kjo nuk ndodhi.

Vonesat vijnë në kohën kur Serbia ka paralajmëruar ofensivë për tërheqjen e njohjeve, nëse Kosova iu rikthehet përpjekjeve për shtimin e njohjeve apo anëtarësimeve në organizata ndërkombëtare.

Përkundër arsyetimit të vonesave se në Kosovë ka ndryshim pushteti, marrëdhëniet bilaterale mes shteteve vazhdojnë edhe në mungesë të qeverisë.

Shembull i kësaj është Japonia, një ndër vendet kryesore në kontinentin aziatik, me të cilën Kosova vazhdimisht ka pasur qasje jo të kujdesshme. Përveç vonesës tri vjeçare, më 2015-ën një ambasador kishte lënë misionin në gjysmë të mandatit, pa i kryer procedurat formale.

Mungesa e përfaqësimit jo të denjë ndikoi negativisht në lobimin e Kosovës për anëtarësim në UNESCO.

Megjithëkëtë marrëdhëniet mes dy vendeve avancuan në vitin 2020, kur Japonia themeloi Ambasadën në Kosovë.

Tutje, jo stabiliteti politik dhe rrëzimi i shpeshtë i qeverive ka dëmtuar edhe politikën e jashtme, duke bërë që emërimet e reja të varen nga ndarja e hises së pushtetit mes partnerëve të koalicionit.

Reforma e premtuar në shërbimin e jashtëm

Në diskutim pati konsensus për reformën që i duhet shërbimit të jashtëm, në mënyrë që ai të jetë më efikas.

Qeveria pati premtuar se shkarkimi i ambasadorëve politikë është hapi i parë në reformën e domosdoshme në shërbimin e jashtëm, teksa kishin dhënë zotimin se numrin më të madh do ta përbëjnë ata të karrierës.

Përfaqësues të partisë në pushtet kanë akuzuar qeverisjet e kaluara për mbi ngarkesë në Shërbimin e Jashtëm me diplomatë që ndjekin vetëm agjenda partiake. Prandaj, shkarkimi është konsideruar hap i duhur drejt kthimit të ligjshmërisë në këtë dikaster.

Por Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJ) fillimisht duhet ta bëjë një analizë të thellë të gjendjes, për t’i identifikuar përparësitë dhe mangësitë, në mënyrë që të shfrytëzohen maksimalisht kapacitetet të cilat i posedon.

Në këtë drejtim, është e domosdoshme që qeveria ta procedojë sa më parë për miratim projektligjin e ri për ministrinë e punëve të jashtme dhe shërbimin e jashtëm. Aty do duhej të përcaktohej qartë dërgimi dhe tërheqja e ambasadorëve nga misionet dhe çështja e gradimit dhe rotacioni i diplomatëve.

Mungesa e qartësisë ka bërë që vendimmarrja në MPJ shpesh të jetë e kundërligjshme. Ka pasur raste kur pa asnjë kriter, persona nga stafi politik janë shndërruar në staf diplomatik apo raste të tilla ku shpiken pozita për emra të përveçshëm, megjithëse nuk parashihen në ligjin për shërbimin e jashtëm.

Skandalet diplomatike

Edhe pse Kosova bën politikë të jashtme prej pak vitesh, për këtë periudhë të shkurtër kohore ka bërë skandale të shumta, përfshirë sjelljen e stafit diplomatik dhe skandalet me njohjet.

Veç mungesës së koordinimit ka pasur edhe akuza ndaj diplomatëve të caktuar se kanë punuar kundër interesave të shtetit. Ato patën marrë hov kur nisën diskutimet për shkëmbim territoresh mes Kosovës e Serbisë në kuadër të dialogut mes dy vendeve, me ç’rast u shpërfaqën hapur dallimet mes udhëheqësve kryesore të shtetit, të cilat reflektuan edhe në politikën e jashtme. Derisa presidenti promovonte idenë e korrigjimit të kufijve me Serbinë, kjo kundërshtohej nga kryeministri dhe shumica e spektrit politik në vend.

Njëri nga panelistët the se tendenca të tilla ka edhe tani teksa ka përmendur se disa raste kanë përfunduar edhe në gjykata për shkak të dyshimeve se ambasadat janë vënë në shërbim lobimit për interesa që cenojnë kushtetutën e vendit. Por largimin e përnjëhershëm të 12 ambasadorëve nga ish Konsullja është konsideruar veprim i dhunshëm duke ua vënë atyre etiketën se kanë bërë diçka të keqe.

Për incidentet e stafit diplomatik të Kosovës është mësuar vetëm nga qytetarët të cilët i kanë publikuar ose autoritetet vendase ku zyrtarët kosovarë janë zënë duke shkelur ligjin e duke u përplasur brenda ambasadave. MPJ, e cila posedon mekanizma të vlerësimit të punës së stafit nëpër misionet diplomatike nuk ka raportuar asnjëherë për ndëshkimin e atyre që kanë bërë gjeste të tilla.

Sipas rregullores së MPJ-së, për punën e shërbimit diplomatik kujdeset Komisioni i Gradave dhe i Disiplinës. Mes tjerash, ky komision ka për detyrë shqyrtimin e rasteve të shkeljeve të rënda nga nëpunësit e shërbimit të jashtëm dhe ndëshkimin e tyre.

Me propozimet e reja, qeveria duhet të dëshmojë se janë persona me integritet të lartë profesional dhe se nuk do shndërrohen në instrument të partive, siç ka ndodhur në qeveritë e kaluara.

Angazhim kryesor i ambasadorëve duhet të jetë ruajtja e imazhit dhe forcimi i subjektivitetit të Kosovës në arenën ndërkombëtare. Megjithatë, hapi i parë është që këto misione diplomatike të kenë ambasadorë.