Instituti Demokraci për Zhvillim (D4D), në partneritet me Institutin Kombëtar për Demokraci (NDI), organizoi sot një tryezë diskutimi me temën “Zgjedhjet dhe Teknologjia: ndikimi në demokracinë moderne.” Në këtë ngjarje morën pjesë ekspertë, politikëbërës dhe përfaqësues të shoqërisë civile, të cilët shqyrtuan sfidat dhe mundësitë që ofrojnë inovacionet teknologjike, përfshirë aspekte të sigurisë, transparencës dhe besimit të publikut.
Në një kohë kur teknologjia po transformon thellësisht çdo aspekt të procesit zgjedhor, qëllimi i këtij diskutimi është të shqyrtojë sfidat dhe ndikimin e saj në transparencë, angazhimin e votuesve, dhe sigurinë, si dhe të analizohet si përparimet e reja teknologjike po ndikojnë në këto fusha.
Ky aktivitet është realizuar me mbështetjen e projektit rajonal “SMART Balkans – Shoqëria civile për vlera të përbashkëta në Ballkanin Perëndimor” të zbatuar nga Centar za promociju civilnog društva (CPCD), Qendra për Kërkim dhe Politikëbërje (CRPM) dhe Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim (IDM) dhe i mbështetur financiarisht nga Ministria e Punëve të Jashtme Norvegjeze (NMFA).