Tryezë diskutimi në Ferizaj me temë “Avancimi i Proceseve Demokratike në Kosovë”

25.06.2018

Numri i madh i fletëvotimeve të pavlefshme në nivel vendi është mjaft shqetësuese andaj duhet patjetër ndërmarrë hapa konkretë në këtë drejtim. Mos informimi i votuesve për plotësimin e fletëvotimit, dhe njoftimi jo i drejtë se si duhet plotësuar zgjedhja e kandidatëve dhe partive, ka ndikuar në numrin e lartë të fletëvotimeve të pavlefshme.

Rol të pashmangshëm në këtë proces pa dyshim se kanë edhe anëtarët e komisionit të vend votimeve, të cilët duhet të punojnë më shumë dhe përgjegjësit ti marrin më seriozisht, ti informojnë votuesit për mënyrën e votimit si dhe të kenë kujdes të shtuar gjatë numërimit të votave. Me gjithë parregullsitë dhe numrit të madh të fletëvotimeve të pavlefshme, situata momentale është më e favorshme se sa në zgjedhjet e vitit 2010 kur po thuajse i gjithë procesi u karakterizua me parregullsi të shumta. Në zgjedhjet e vitit 2017 shqetësuese kanë qenë  fletëvotimet e pavlefshme në pjesën veriore të vendit.

Hapat që duhet të merren tutje për evitimin e parregullsive të lartpërmendura janë informimi i votuesve si dhe trajnimi i komisionerëve dhe kryesuesve të vendvotimeve si dhe të mendohet një dizajn më i thjesht i fletëvotimeve.

Mbarëvajtja e procesit zgjedhor, manipulimet, fletëvotimet e pavlefshme si pasojë e mos informimit apo pakënaqësisë, ishin këto disa nga pikat kyçe të shtjelluara në tryezën e mbajtur më 20 qershor në Ferizaj. Qëllimi i këtij takimi ishte avansimi i bashkëpunimit në mes institucione të përfshira në ciklin e procesit zgjedhor si dhe evidentimi i problemeve thelbësore të cilat pengojnë procesin.

Ky diskutim është organizuar në kuadër të projektit “Avancimi i Proceseve Demokratike në Kosovë”, përkrahur nga Departamenti Federal i Punëve të Jashtme të Zvicrës, përmes Ambasadës Zvicerane në Prishtinë, implementuar nga Instituti Demokraci për Zhvillim (D4D).