Takime me partnerë në kuadër të projektit “Rritja e qasjes së grave në punësin”

26.02.2019

Instituti Demokraci për Zhvillim (D4D), në kuadër të projektit “Rritja e qasjes së grave në punësim” gjatë periudhës Janar-Shkurt 2019, ka realizuar 37 takime me partnerë në shtatë regjionet e Kosovës, pjesë të projektit. Qëllimi i këtyre takimeve ishte njoftimi i tyre me projektin si dhe adresimi i nevojave dhe sfidave, specifike për secilën komunë.

Takimet janë realizuar në: Prishtinë, Prizren, Pejë, Gjilan, Gjakovë, Mitrovicë dhe Ferizaj, më përfaqësues nga: Drejtoritë Komunale të Zhvillimit Ekonomik, sindikatat e punëtoreve, zyrave të punësimit, grupeve të grave asambleiste, organizatave jo-qeveritare (OJQ-të), asociacioneve dhe shoqatave të cilat adresojnë çështjen e punësimit të grave.

Disa prej nevojave dhe sfidave të identifikuara gjatë takimeve janë:

Punësimi/Qasja institucionale:

  • Nevoja për thellim të koordinimit në mes të akterëve të ndryshëm institucional, bizneseve dhe përfaqësuesve të shoqërisë civile;
  • Mungesa e një plani strategjik komunal që do të lehtësonte/ndërmjetësonte qasjen e grave në punësim;
  • Numri i ulët i grave të regjistruara si punëkërkuese në zyrat përkatëse të punësimit;
  • Numri i ulët i grave përfituese të trajnimeve profesionale të ofruara nga Qendrat e Aftësimit Profesional në nivel komune;
  • Numri i pamjaftueshëm i çerdheve publike dhe çmimet e papërballueshme të çerdheve private, u konfirmua të jetë një prej barrierave për punësimin e grave;
  • Prezenca e stereotipeve gjinore në punësim, sidomos në sektorin privat.

Ngritja e kapaciteteve:

  • Trajnime të pamjaftueshme për gratë të cilat duan të përditësojnë njohuritë e tyre të kërkuara në tregun e punës, sidomos ato të moshës së mesme;
  • Mungesa e profileve te ofruara për ngritje të kapaciteteve të grave për profesionet që sfidojnë normat tradicionale gjinore;
  • Nevoja e forcimit të bashkëpunimit në mes të grave ndërmarrëse;
  • Nevoja për krijimin e asociacioneve dhe kooperativave të grave, sidomos atyre ndërmarrëse;
  • Nevoja për përkrahje të grave në biznese të vogla me trajnime, grante të vogla si dhe mentorimi i tyre përgjatë procesit;
  • Mungesa e aktiviteteve dhe iniciativave që adresojnë rritjen e qasjes së grave në punësim, në nivel komunal.

Instituti Demokraci për Zhvillim (D4d) do të punojë ngushtë me partnerët e projektit në mënyrë që të adresohen barrierat me të cilat ballafaqohen gratë, të cilat i mbajnë ato larg tregut të punës.

Ky projekt implementohet falë përkrahjes nga Ambasada Mbretërore Norvegjeze në Prishtinë.