Takime joformale për qeverisje të mirë në Ranillug, Kamenicë dhe Kllokot

31.07.2019

Përmirësimi i qeverisjes lokale është ndër fokuset e institutit Demokraci për Zhvillim përmes projektit “Pjesëmarrje e gjerë për qeverisje të mirë”. Për të kuptuar më mirë se sa zbatohen parimet e qeverisjes së mirë, D4D në partneritet me organizatën Qendra për De-politizim të Shoqërisë Kosovare (CDKD) ka vazhduar me organizimin e takimeve jo-formale “breakfast briefings” në komunat serbe Ranillug, Kamenicë dhe Kllokot. Të ftuar kanë qenë zyrtarë komunal, këshilltar komunal, organizata joqeveritare, dhe organizata rinore për të diskutuar mbi planet/programet e Komunave dhe pjesëmarrjen e qytetarëve në të gjitha proceset politikëbërëse dhe vendimmarrëse.

Gjatë takimit në Ranillug, fokus më i madh iu dha punës së Komunës për përmirësimin e kushteve dhe ofrimin e mundësive për të rinjtë pemës programeve të punës praktike, dhe projekteve të ngjashme të ofruara nga organizatat joqeveritare lokale dhe UNMIK-ut. Përkundër këtyre projekteve, u theksua se pjesëmarrja e rinisë së Ranilugut në proceset vendimmarrëse nuk është në nivelin e kënaqshëm, dhe se shoqëria civile është shumë pak e zhvilluar. Prandaj, Komuna është duke u munduar që të ofroj mbështetje dhe mundësi bashkëpunimi me organizatat joqeveritare, lokale dhe ndërkombëtare, nëse ato bëjnë ndonjë kërkesë për mbështetje. Në anën tjetër, gratë janë më aktive në këtë Komunë, ku përmes grupit joformal kanë përgatitur një rregullore dhe plan veprimi, i cili është votuar nga kuvendi komunal tash vonë.

Në takimin e organizuar në Kamenicë, ku pjesëmarrës ishin nënkryetari i Komunës, gratë këshilltare komunale, organizatat joqeveritare dhe ato të rinisë, u tha se grave iu është dhënë më shumë hapësirë për të qenë pjesë e vendimmarrjes, pasi që 6 nga drejtoritë e kësaj Komune udhëhiqen nga gratë. Gjithashtu, gratë janë përfshirë edhe në përbërjen e disa komiteteve të kuvendit komunal dhe kanë formuar grupin joformal të grave në kuadër të Kuvendit Komunal, forum ky i cili është shumë aktiv në hartimin e politikave që kanë të bëjnë me fuqizimin e gruas dhe pjesëmarrjen e tyre në proceset vendimmarrëse. Njëkohësisht, në këtë takim u diskutua edhe për rininë, ku nënkryetari theksoi mbështetjen që Komuna u ka ofruar atyre gjatë këtij mandati, përmes bashkëpunimeve në projekte të ndryshme me organizatat rinore, mbështetje financiare të të rinjve në projekte të agrobiznesit, ofrimit të bursave shkollore për student, si dhe duke i ftuar vazhdimisht për pjesëmarrje në proceset politikëbërëse dhe vendimmarrëse.

Ndërsa, në Kllokot është një situatë krejtësisht e kundërt. Në takimin e organizuar me këshilltarët komunal dhe të rinjtë e kësaj Komune, u tha që Komuna nuk ofron pothuajse fare mundësi për pjesëmarrje në proceset politikëbërëse dhe vendimmarrëse dhe se nuk punon aspak në përmirësimin e kushteve të punësimit për të rinjtë e kësaj Komune. Sipas të pranishmëve, në Komunën e Kllokotit më shumë ka probleme se sa përmirësime nën mandatit e partisë në pushtet. Mbledhjet e Kuvendit Komunal mbahen vetëm sa për të përmbushë dispozitat ligjore, zgjasin pak minuta, dhe nuk diskutohet asgjë. Gjithashtu, përfshirja e rinisë në proceset politikëbërëse dhe vendimmarrëse, sipas pjesëmarrësve, bëhet në baza të afërsisë partiake, pasi që vetëm përkrahësit e partisë në pushtet janë të përfshirë në takimet me zyrtarët komunal, dhe vendimet në nivelin komunal merren vetëm nga ata.

Ky aktivitet organizohet në kuadër të projektit “Pjesëmarrje e gjerë për qeverisje të mirë”, i cili implementohet nga instituti Demokraci për Zhvillim (D4D) në partneritet me organizatën Qendra për De-politizim të Shoqërisë Kosovare (CDKD), me mbështetje financiare nga Ambasada Holandeze në Kosovë.