Takim virtual me këshilltarët komunal të Komunës së Pejës

27.06.2020

Instituti Demokraci për Zhvillim ka zhvilluar një sesion informues me këshilltarët komunal të Komunës së Pejës mbi parimet e qeverisjes së mirë, veçanërisht transparencës dhe llogaridhënies.

Gjatë këtij takimi, sikurse këshilltarët komunal të komunave tjera në takimet paraprake, janë informuar më shumë mbi platformën e qeverisjes së mirë (qeverismire.info) si vegël që mund të përdoret për të mësuar më shumë rreth përgjegjësive dhe detyrave të këshilltarëve komunal, kryetarit dhe drejtorëve të Komunës, si dhe përgjegjësive që kanë ndaj qytetarëve që i kanë votuar në ato pozita. Gjithashtu, si pjesë e këtij takimi, këshilltarët komunal janë njoftuar mbi platformën Kosova që Duam, qëllimin e saj dhe punën që është realizuar gjatë dy viteve të fundit në kuadër të shtyllave kryesore që përbëjnë këtë platformë. Në fund, është diskutuar konkretisht mbi punën e këshilltarëve komunal dhe të kuvendit të Komunës së Pejës, punët e kryera dhe të pakryera të Komunës, si dhe problemet kryesore të Komunës së Pejës.

Të pranishmit në këtë takim virtual theksuan bashkëpunimin e mirë që kanë me kryesuesin e kuvendit komunal, për të cilin patën lëvdata për punën e madhe dhe lehtësuese që e bënë shpeshherë në Kuvendin e Komunës së Pejës për anëtarët e kuvendit komunal të të gjitha subjekteve politike.

Përkundër dallimeve partiake, bashkëpunimi ndërmjet këshilltarëve komunal është i mirë, megjithëse u theksua se ata duhet të jenë më aktiv në ekzekutimin e detyrave dhe përgjegjësive të tyre.

Për transparencën dhe llogaridhënien nga Komuna e Pejës, u theksua se të gjitha dokumentet publike të cilat kanë kaluar me votim në Kuvendin komunal të Pejës janë të publikuara në platformat digjitale të Komunës (uebfaqe, rrjete sociale, etj), megjithëse u theksua se për shkak të disa problemeve teknike ka pasur raste kur dokumentet e ngarkuara janë shlyer nga uebfaqja, gjë që ka shkaktuar problem për qytetarët në qasjen në këto dokumente publike.

Ndërsa, sa i përket konsultimeve me qytetarët për punën e Komunës së Pejës, pjesëmarrësit theksuan se Komuna ka realizuar mbi gjashtë (6) takime me qytetarët në vitin e fundit, ku njëra prej temave të vendosura për konsultim ka qenë plani i buxhetit të Komunës së Pejës dhe mundësitë për luftimin e situatës pandemike të shkaktuar nga COVID-19. Nga këto takime, një përqindje e lartë e komenteve të qytetarëve janë marrë parasysh nga Komuna e Pejës.

Në anën tjetër, këshilltarët komunal theksuan gatishmërinë e kryetarit të komunës për të qenë transparent dhe llogaridhënës, pasi që gjatë vitit të fundit kryetari ka raportuar pesë (5) herë para Kuvendit të Komunës së Pejës mbi punët e realizuara dhe ato të mbetura peng nga ekzekutivi.

Ky sesion informues virtual u realizua në kuadër të projektit “Qeverisje Lokale transparente dhe llogaridhënëse”, si pjesë e programit Kosova që Duam, realizuar nga instituti Demokraci për Zhvillim, me mbështetje financiare nga Friedrich Ebert Stiftung (FES) në Prishtinë.