Takim jo-formal me këshilltarët komunal të Komunës së Lipjanit

11.06.2019

Komunikimi brenda dhe jashtë sallës së Kuvendit Komunal, bashkëpunimi ndër-partiak për çështje madhore në të mirë të qytetarëve që përfaqësojnë, shqyrtimi i buxhetit të projekteve të Komunës, si dhe organizimi më i mirë i këshillave të fshatrave ishin ndër temat kyçe të diskutimit me shefat e grupeve të subjekteve politike të Kuvendit Komunal të Lipjanit në takimin jo-formal të mbajtur më 7 qershor 2019.

Qëllimi i këtyre takimeve është diskutimi i politikave të Komunës së Lipjanit për përmirësimin e parimeve të qeverisjes së mirë, puna e Kuvendit Komunal dhe bashkëpunimi ndërmjet grupeve të subjekteve politike për të shtyrë përpara projekte që adresojnë kërkesat, shqetësimet dhe nevojat e qytetarëve që ata përfaqësojnë.

Një problem që ekziston pothuajse në çdo Kuvend të të gjitha Komunave të Kosovës është çështja e shfrytëzimit të “numrave” nga subjektet politike në pushtet. Kjo brengë u përmend edhe në këtë takim nga të ftuarit, ku këshilltarët komunal të opozitës shprehën shqetësimin e tyre për aprovimin e pikave të rendit të ditës vetëm për faktin se pozita ka në dispozicion 50% +1 përfaqësues në Kuvend, duke shpërfillë kështu shqetësimet dhe ankesat e opozitës.

Shqetësim tjetër u paraqit edhe një mungesë e transparencës në buxhetin e Komunës të shfrytëzuar për rregullimin dhe mirëmbajtjen e rrugëve rajonale që lidhin Komunën e Lipjanit me Komunat tjera, për të cilën këshilltarët komunal në opozitë deklaruan se kishin kërkuar transparencë dhe llogaridhënie për shpenzime të tilla mirëpo nuk kanë marrë ndonjë përgjigje të qartë nga ekzekutivi.

Përkundër problemeve të përmendura, Komuna e Lipjanit ka arritur të bëjë progres në shumë aspekte të tjera. Përfaqësuesi i ashkalinjve në Kuvendin Komunal deklaroi se në fshatin me shumicë ashkalinjë ka pasur investime të shumta nga Komuna e Lipjanit gjatë vitit të fundit, duke iu siguruar kushtet bazë për jetesë, por gjithashtu edhe duke iu siguruar siguri dhe barazi në tregun e punës, gjë që në të kaluarën ka qenë shumë shqetësuese.

Të gjithë përfaqësuesit e subjekteve politike në këtë takim, përkundër problemeve të lartpërmendura, deklaruan se ekziston një bashkëpunim mjaftë i mirë ndërmjet subjekteve politike brenda Kuvendit në çështjet madhore në të mirë të qytetarëve të Komunës së Lipjanit, dhe ka raste kur edhe idetë e propozuara nga përfaqësuesit në opozitë janë marrë parasysh më shumë se sa ato të propozuara nga përfaqësuesit e subjekteve politike në pushtet.

Në fund, të ftuarit deklaruan gatishmërinë e tyre që të punojnë drejtë përmirësimit të bashkëpunimit ndërmjet tyre, duke lënë anash petkun partiak, që bashkërisht të çojnë përpara kërkesat dhe nevojat e qytetarëve në Kuvendin Komunal të Lipjanit.

Këto takime realizohet në kuadër të projektit “Pjesëmarrje e gjerë për qeverisje të mirë”, i cili implementohet nga instituti Demokraci për Zhvillim (D4D) me mbështetje nga Ambasada Holandeze në Kosovë.