Takim me gratë ndërmarrëse për prezantimin e inkubatorit për vullnetarizëm dhe qytetari aktive

14.03.2018

Në vitin 2016 në kuadër të projektit “Vullnetarizmi për zhvillim: Promovimi i vullnetarizmit dhe qytetarisë aktive në Kosovë” instituti Demokraci për Zhvillim (D4D) së bashku me disa organizata joqeveritare krijuan inkubatorin “Vullnetarizëm për zhvillim”. Synimi kryesor i kësaj iniciative ka qenë krijimi i një rrjeti të organizatave, bizneseve dhe institucioneve të cilat ofrojnë mbështetje për organizatat e reja në fazat e hershme të zhvillimit, dhe të cilat kanë qëllim të bashkëpunojnë në adresimin e sfidave në fushën e vullnetarizmit dhe aktivizmit qytetar.

Gjatë vitit të parë të krijimit të këtij inkubatori janë anëtarësuar 17 organizata me bazë në komunitet, të cilat në një mënyrë apo tjetër kontribuojnë në promovimin dhe zhvillimin e vullnetarizmit dhe qytetarisë aktive në Kosovë. Kjo njëherësh ka shënuar fillimin e realizimit të njërës prej synimeve të inkubatorit: anëtarësimin e organizatave me bazë në komunitet dhe krijimin e një rrjeti të bashkëpunimit ndërmjet veti për realizimin e aktiviteteve të ndryshme. Gjatë kësaj faze, në kuadër të projektit janë ndarë edhe grante të vogla për organizata të vogla dhe individë, projektet e të cilëve kanë pasur synim promovimin e vullnetarizmit dhe qytetarisë aktive në komunitetet ku ato operojnë.

Inkubatori, si projekt në vete, do të vazhdoj të operojë dhe të zgjerohet si rrjet i promovimit dhe zhvillimit të vullnetarizmit dhe qytetarisë aktive. Këtë vit ka filluar implementimi i fazës së dytë të rekrutimit, bizneset e ndryshme në Kosovë që në ndonjë mënyrë apo tjetër kontribuojnë në fushën e vullnetarizmit, qoftë me financim të ndonjë aktiviteti të realizuar nga një organizatë tjetër, qoftë edhe me organizime të ndryshme humanitare që në mënyrë të drejtpërdrejtë apo jo të drejtpërdrejtë ndikojnë në mirëqenien e komunitetit ku ato operojnë.

Prandaj, më 14 mars 2018 është mbajte takimi i parë me disa prej grave më të fuqishme ndërmarrëse në Kosovë për të diskutuar mundësinë e anëtarësimit të tyre në rrjetin e inkubatorit dhe krijimit të kontaktit ndërmjet shoqërisë civile dhe bizneseve me mundësinë për të bashkëpunuar në realizimin e aktiviteteve të ndryshme të fushës së vullnetarizmit dhe qytetarisë aktive në Kosovë.

‘Ky aktivitet u realizua me mbështetje financiare nga Ambasada Britanike në Prishtinë’