• Shqip

REAGIM: “RIMËKËMBJA E NDËRMARRJEVE PUBLIKE KËRKON BORDE PROFESIONALE, TË PAVARURA DHE QË REFLEKTOJNË DIVERSITETIN SHOQËROR”

03.04.2020

Qeveria e Republikës së Kosovës ka njoftuar se ka bërë emërimin e anëtarëve të përkohshëm të ndërmarrjeve publike, në mesin e të cilëve, ne shohim të emëruar partiak. Gjithashtu, emërimet nuk reflektojnë diversitetin gjinor, minoritar dhe etnik të shoqërisë sonë. Kjo praktikë e qeverisjeve të kaluara ka shkatërruar ndërmarrjet publike duke i vënë udhëheqjet e tyre në shërbim të partive politike dhe jo të së mirës publike. Andaj, i bëjmë thirrje Qeverisë së Kosovës, që duke rishqyrtuar dhe ndryshuar këto vendime, të sjellë ligjshmëri dhe të shtrojë rrugën për zhvillimin e ndërmarrjeve publike, rritjen e kualitetit të shërbimeve dhe nxitjes së zhvillimit ekonomik.

Emërimet, në disa prej rasteve shkelin Ligjin Nr. 03/L-087 për Ndërmarrjet Publike. Edhe pse emërimet janë bërë të përkohshme dhe me afat prej 6 muajsh në bazë të Ligjit, ato prapë është dashur të reflektojnë kërkesat e nenit 17. Ligji është i qartë që:

“17.2 Të gjithë drejtorët përveç KE duhet të jenë të pavarur. Një person nuk konsiderohet i pavarur dhe nuk kualifikohet për zgjedhje si drejtor në një NP nëse:

k) është ose në çfarëdo kohe gjatë periudhës 36 muajsh para datës së aplikimit ka qenë (i) zyrtar i zgjedhur publik, (ii) i emëruar politik ose (iii) bartës i një posti udhëheqës ose vendimmarrës në një parti politike.[1]

Për më tepër, në emërtimet e Ligjit është sqaruar që: “I emëruar politik” nënkupton personin i cili është emëruar ose propozuar nga subjekti politik si kandidat për një post të zgjedhur.[2] Pra, me zgjedhjen e ish kandidatëve për poste të zgjedhura që nga zgjedhjet e vitit 2017, Qeveria ka shkelur Nenin 17 të Ligjit Nr. 03/L-087 për Ndërmarrjet Publike. Edhe neni 43 mbi Emërimet e Përkohshme, nuk përjashton zbatimin e dizpozitave të nenit 17. Kërkesat nga ky nen kanë të bëjnë drejtëpërdrejtë me profesionalizmin dhe ruajtjen e pavarësisë së ndërmarrjeve publike.

Përveç kësaj, me këto vendime, Qeveria nuk ka zbatuar kriteret e Ligjit Nr. 05/L -020 për Barazi Gjinore. Aty është e qartë që zgjedhja e trupave udhëheqës në institucione publike duhet të bëhet në proporcionin gjinor 50:50.

“Përfaqësimi i barabartë gjinor në të gjitha organet legjislative, ekzekutive dhe gjyqësore dhe institucionet e tjera publike arrihet kur sigurohet përfaqësim minimal prej pesëdhjetë përqind (50%) për secilën gjini, përfshirë edhe organet e tyre drejtuese dhe vendimmarrëse.”[3]

Për më tepër, edhe Ligji Nr. 03/L-087 për Ndërmarrjet Publike kërkon përfaqësim të barabartë në harmoni me Ligjin për Barazi Gjinore. Përbërja e bordeve të drejtorëve të NP-së duhet te jetë në harmoni me Ligjin për Barazi Gjinore.[4]

Për këto arsye, ne, organizatat e poshtëshënuara, i kërkojmë Qeverisë së Kosovës të rishqyrtojë vendimet e datës 02 prill 2020 dhe të përzgjedhë borde profesionale, të pavarura politikisht dhe që reflektojnë barazinë dhe diversitetin shoqëror. Ia rikujtojmë Qeverisë se departizimi i bordeve dhe rikthimi i kriterit profesional në zgjedhjen e tyre ishte njëri ndër premtimet elektorale dhe është pjesë edhe e programit qeverisës.

Organizatat përkrahëse:

Balkan Green Foundation (BGF)

ÇOHU

Demokraci Plus (D+)

Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS)

Instituti D4D

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI)

Instituti GAP

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD)

Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP)

Instituti Kosovar për Kërkime dhe Zhvillime të Politikave (KIPRED)

Lëvizja FOL


[1] Republika e Kosovës, (2008), Ligji Nr. 03/L-087 për Ndërmarrjet Publike, Neni 17 Kushtet e Kualifikimit dhe Përshtatshmërisë Profesionale, faqe 11, i qasshëm në https://gzk.rks-gov.net/ActDetail.aspx?ActID=2547 (qasur në prill, 2020)
[2] Republika e Kosovës, (2012), Ligji Nr. 04/L-111 për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit Nr. 03/L-087 për Ndërmarrjet Publike, faqe 1, i qasshëm në https://gzk.rks-gov.net/ActDetail.aspx?ActID=2547 (qasur në prill, 2020).
[3] Republika e Kosovës, (2015), Ligji Nr. 05/L -020, për Barazi Gjinore, Neni 6, paragrafi 8, i qasshëm nëhttps://gzk.rks-gov.net/ActDetail.aspx?ActID=10923, (qasur në prill, 2020).
[4] Republika e Kosovës, (2015), Ligji Nr. 05/L -009 për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit Nr. 03/L-087 për Ndërmarrjet Publike i Ndryshuar dhe i Plotësuar me Ligjin Nr. 04/L-111, i qasshëm nëhttps://gzk.rks-gov.net/ActDetail.aspx?ActID=2547 (qasur në prill, 2020).