Qeverisja e mirë nëpër Komuna

20.08.2019

Gjatë dy viteve të fundit, instituti Demokraci për Zhvillim (D4D) ka qenë i angazhuar në promovimin e qeverisjes së mirë në nivelin lokal dhe qendror përmes aktiviteteve të realizuara në kuadër të projektit, “Pjesëmarrje e gjerë për qeverisje të mirë”, mbështetur financiarisht nga Ambasada e Mbretërisë së Holandës në Kosovë.

Për të arritur një bashkëpunim më të mirë ndërmjet qytetarëve dhe qeverisjes lokale, janë realizuar pesë (5) video me qytetarë dhe kryetarë të komunave të Vushtrrisë, Klinës, Kaçanikut, Ranillugut dhe Parteshit. Secila video shtjellon një parim të qeverisjes së mirë, me shembuj konkret të punës së realizuar nga komunat.

Qëllimi i videove është promovimi i punës së mirë të realizuar nga komunat dhe përafrimi i qytetarëve me përfaqësuesit e tyre të zgjedhur në zgjedhjet e fundit lokale më 2017. Njëherësh, këto video përmbajnë informata të rëndësishme për qytetarët e Kosovës, për të drejtën e tyre për të kërkuar transparencë, llogaridhënie dhe gjithëpërfshirje nga institucionet qeverisëse.

Këto video janë prodhuar në kuadër të projektit, “Pjesëmarrje e gjerë për qeverisje të mirë”, implementuar nga instituti Demokraci për Zhvillim (D4D) në partneritet me Qendrën për Depolitizim të Shoqërisë Kosovare (CDKD), mbështetur financiarisht nga Ambasada e Mbretërisë së Holandës në Kosovë.

Listat e videove:

Vushtrri – Transparenca
Kaçanik – Llogaridhënia
Klinë – Gjithëpërfshirja
Ranillug – Standardet minimale për qeverisje të mirë
Partesh – Përgjegjshmëria