Punëtori “Dialogu social për lejen e lindjes dhe lejen prindërore”

13.03.2019

Në një format më ndryshe, D4D ka organizuar punëtorinë një-ditore me temë “Dialogu social për leje të lindjes dhe leje prindërore”. Më shumë se 80 pjesëmarrës, anëtarë të organizatave të shoqërisë civile, përfaqësues të institucioneve, organizime sindikale dhe asociacione të bizneseve, dhe të rinjë/reja, të ndarë në gjashtë grupe punuese, diskutuan për rëndësinë e politikave familjare – lejen e lindjes, lejen e atësisë dhe atë prindërore – si dhe për ndikimin e ndryshimeve legjislative të ndërmarra nga MPMS për lejen e lindjes dhe lejen prindërore në adresimin e pabarazisë gjinore dhe mundësive të grave dhe burrave për jetën familjare dhe punën.

Në një fjalë rasti, Ambasadorja e Suedisë në Kosovë, znj. Karin Hernmarck Ahliny, foli për rëndësinë e dialogut social në gjetjen dhe adaptimin e një modeli të përshtatshëm për leje të lindjes dhe leje prindërore për familjet në Kosovë – model i cili siguron pjesëmarrjen e të dy prindërve në kujdesin e fëmijeve, si parakusht i barazisë familjare dhe barazisë shoqërore. Duke marrë për shembull sistemin suedez të lejes prindërore, znj. Hernmarck Ahliny theksoi rëndësinë e përfshirjes së plotë të baballarëve në kujdesin ndaj fëmijëve përmes lejes së atësisë dhe asaj prindërore, duke mundësuar kështu zbehjen e stereoptive gjinore për kujdesdhenie në familje.

  • Ndër të tjera, pjesëmarrësit kanë diskutuar dhe kanë dhënë rekomandimet e tyre për:
  • Përfitimet  e politikave për leje prindërore në mirëqenie dhe zhvillim socio-ekonomik.
  • Ndikimin e lejes së lindjes në qasjen e grave në punësim
  • Rëndësinë e lejes së paguar të atësisë për barazi familjare dhe shoqërore
  • Efektin e politikave për leje prindërore në tregun e punës
  • Domethënien e politikave familjarë në zhvillimin emocional dhe kogntiv të fëmijëve
  • Implikimet buxhetore të modelit të përshtatshëm për leje të lindjes dhe prindëore për biznese dhe Qeverinë

Këto diskutime dhe rekomandimet të dala nga punëtoria, do të përfshihen në dokumentin në formë manifesti për dialogun social, me të cilin do të avokohet tutje për amandamentime ligjore tek Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Qeveria dhe Parlamenti i Kosovës, dhe akteret tjerë të përfshirë në draftimin e ligjit të veçantë për leje të lindjes dhe leje prindërore, për të cilin D4D ka avokuar në dy vitet e fundit sipas modelit të zhvilluar nga vetë Instituti D4D në bashkëpunim me organizata të tjera joqeveritare.

Kjo punëtori u mbështetet nga Qendra Ndërkombëtare Olof Palme dhe Ambasada Suedeze në Kosovë.