Promovimi i qeverisjes së mirë lokale përmes platformës ‘Qeveris mirë’

11.07.2018

Promovimi i qeverisjes së mirë lokale përmes platformës ‘Qeveris mirë”, po vazhdon nëpër komuna në Kosovë. Gjatë javës së fundit, Instituti Demokraci për zhvillim (D4D) ka mbajtur takime informuese në Komunën e Graçanicës, Kamenicës si dhe Novobërdës. Duke u fokusuar në specifikat e platformës, lehtësinë për t’u qasur në informata, relevancën e informatave si dhe përdorshmërinë e kësaj platforme së bashku me akterë relevantë të fushës së shoqërisë civile, institucioneve publike lokale dhe qendrore, platforma u prezantua si mekanizëm i rritjes së pjesëmarrjes qytetare në procese të rëndësishme vendimmarrëse.

Pjesë e diskutimit gjatë takimeve në Komunën e Graçanicës, Kamenicës si dhe Novobërdës, ishin anëtarë të kuvendeve komunale të këtyre komunave, zyrtarë të departamenteve të drejtorive komunale, anëtarë të shoqërisë civile si dhe qytetare. Duke vlerësuar platformën si mekanizëm të rritjes së pjesëmarrjes së qytetarëve në procese të rëndësishme politike për nivelin lokal në Kosovë, pjesëmarrësit e këtyre takimeve cilësuan si të rëndësishme përpjekjen për informim të saktë të qytetarëve për të drejtat dhe përgjegjësitë e tyre të cilën kjo platformë e mbulon. Marrë parasysh rëndësinë politike të zbatimit të parimeve të qeverisjes së mirë në punët e përditshme të qeverisjes lokale, rritja e vetëdijes kolektive për respektim të këtyre parimeve sjell rezultate të mira në ngritjen e transparencës dhe llogaridhënies publike.

Platforma ‘Qeveris mirë’ është prodhuar si një nevojë në Kosovë për të sjellë vendimmarrësit lokalë më pranë qytetarëve për të promovuar qeverisjen e qëndrueshme. Duke marrë parasysh se në Kosovë ka zyrtarë publikë të cilët kanë vështirësi për të kuptuar qeverisjen e mirë kur ushtrojnë detyrat e tyre të përditshme dhe standardet që duhet t’i përmbahen gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare, platforma informuese Qeveris mirë adreson këtë problem duke ofruar sqarime për marrëdhëniet midis organeve komunale dhe qytetarëve, midis vetë organeve komunale dhe secilit organ komunal ndaj shtetit, duke përcaktuar proceset e mira vendimmarrëse ashtu siç është përcaktuar me ligj. Kjo platformë është e dobishme në plotësimin e hendekut të njohurive të zyrtarëve komunal, duke ndihmuar përfaqësuesit publikë dhe qytetarët, pasi të dyja palët do të jenë vazhdimisht në gjendje të verifikojnë funksionimin korrekt të procedurave dhe marrëdhënieve në institucionet publike.

Për më shumë rreth kësaj platforme, vizitoni:
qeverismire.info / dobroupravljanje.info / goodgovernance.info

Këto aktivitete u mbajtën në kuadër të projektit “Pjesëmarrje e gjerë për qeverisje të mirë”, i cili implementohet nga D4D, me mbështetje nga Ambasada Holandeze në Kosovë.