Është mbajtur konferenca lansuese e raportit me temën: “Përfshirja e qytetarëve në vendimmarrje në nivel lokal”, ku janë prezantuar të gjeturat për nivelin e kënaqshmërisë së qytetarëve me shërbimet e pranuara nga zyrtarët komunal, si dhe kontaktet me komunat e tyre.
Rezarta Krasniqi, Drejtorja ekzekutive e Institutit D4D, ka treguar se në këtë raport janë pyetur mbi 1 mijë rezident, ku sipas saj, nga të gjeturat del se niveli i përfshirjes së qytetarëve në vendimmarrje në nivel komunal nuk është i kënaqshëm, pasi rreth 2/3 e të anketuarëve kanë deklaruar se nuk janë të përfshirë në asnjë formë. Gjithashtu, ajo ka bërë të ditur se të gjeturat e hulumtimit të opinionit publik tregojnë për nivel të ulët të kënaqshmërisë së qytetarëve me shërbimet e pranuara nga zyrtarët komunalë, si dhe në kontakte të pakta me komunën e tyre.
Po ashtu nga të gjeturat e raportit, Krasniqi ka treguar se kënaqshmëria e qytetarëve me shërbimet e pranuara nga zyrtarët komunalë është se të kënaqur apo shumë të kënaqur me shërbimet që kanë pranuar nga zyrtarët komunalë janë shprehur 44.2 për qind e të anketuarëve. Ndërsa të pakënaqur dhe shumë të pakënaqur janë deklaruar 17.3 për qind e të anketuarëve në nivel vendi. Nga analizimi gjinor i rezultateve vërejmë që nuk ka dallime të mëdha në përgjigje sa i përket kënaqshmërisë me shërbimet që kanë pranuar nga zyrtarët komunalë.
Ndërsa, Allen Meta, Menaxheri i Projektit në Institutin D4D, ka treguar se nga rezultatet e nxjerrura, shihet se pjesëmarrja e qytetarëve në vendimmarrje komunale nuk është e kënaqshme dhe është mjaftë e ulët. Meta është shprehur se është e rëndësishme pjesëmarrja e qytetarëve, nga rezultatet është parë që pjesëmarrja e qytetarëve nuk është e kënaqshme. Në atë vend, ku nuk marrin pjesë qytetarët, ajo demokraci nuk është e plotë. Hezitimi dhe mos besimi nga ana e qytetarëve është ajo që e kemi vërejtur nga kjo analizë. Nga dëgjimet publike që kanë marrë pjesë qytetarët, kërkesat e tyre nuk janë marrë parasysh dhe për këtë arsye ata kanë humbur besimin dhe hezitojnë që të marrin pjesë në dëgjime publike.
Po ashtu, Meta ka bërë të ditur se kënaqshmëria e qytetarëve me shërbimet e pranuara nga zyrtarët komunalë është se 5.7 për qind e tyre kanë qenë shumë të kënaqur, 38.5 për qind i/e kënaqur, 37.6 për qind nuk kanë pasur kontakt për 6 muajt e fundit. Përfshirja e qytetarëve në vendimmarrje komunale, qytetarët janë përgjigjur se të përfshirë kanë qenë 33.4 për qind, të pa përfshirë 38.5 për qind, e kështu më radhë. Ndër të tjera, nga këto të gjetura ka rezultuar se vlerësimi mbi pjesëmarrjen e qytetarëve në dëgjime publike në gjashtë muajt e fundit, 68.4 për qind e qytetarëve asnjëherë nuk kanë qenë në dijeni për mbajtjen e tyre, një gjë shqetësuese është se 27.1 për qind e qytetarëve nuk kanë marrë pjesë asnjëherë përkundër që kanë qenë në dijeni për mbajtjen e tyre.
Ky aktivitet përkrahet nga programi i Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) ‘EJA Kosovë’, bashkëfinancuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), Suedia dhe Qeveria e Dukatit të Madh të Luksemburgut.