Komuna e Gjakovës: Takim me kryetarin

29.09.2020

Në takimin e realizuar nga instituti Demokraci për Zhvillim (D4D), më 28 shtator 2020 në Gjakovë, me kryetarin e Komunës së Gjakovës, z. Ardian Gjini, u diskutua më gjerësisht mbi përfshirjen e qytetarëve në politikëbërje dhe vendimmarrje, infrastrukturën e shkollave, konsultimet publike, si dhe stimulimin institucional dhe financiar për grupet e margjinalizuara.

Qëllimi i këtij takim ishte prezantimi i programit Kosova që Duam (KQD) – në kuadër të FES, dhe i platformës qeverismire.info – e zhvilluar nga D4D përmes një projekti mbi qeverisjen lokale, dhe njëkohësisht të marrim informata mbi punën e Komunës karshi problemeve kryesore të identifikuara gjatë punës dyvjeçare të KQD.

Për shkak të përhapjes së pandemisë COVID-19 edhe pjesëmarrja e qytetarëve në politikëbërje dhe vendimmarrje ka qenë shumë më e vështirë. Megjithatë, z. Gjini deklaroi se deri në muajin mars të këtij viti ka realizuar takime të drejtpërdrejta (1-me-1) në zyrën e tij me qytetarët e Komunës së Gjakovës për të dëgjuar brengat dhe nevojat e tyre. Këto takime fatkeqësisht janë ndërpre për shkak të shpërthimit të pandemisë në atë kohë në Kosovë, dhe ende nuk janë rikthyer në nivelin e njëjtë sikurse më parë. Gjithashtu, konsultimet publike të parapara me ligj por edhe ato shtesë, z. Gjini njoftoi se janë mbajt përmes alternativave të tjera, veçanërisht përmes platformave virtuale (online), dhe të gjithë qytetarët janë njoftuar për këto takime përmes kanaleve zyrtare të komunikimit që përdorë komuna.

Sa i përket infrastrukturës së shkollave në Komunën e Gjakovës, kryetari na njoftoi për një mori projektesh që kanë përfunduar tashmë, si për shembull rregullimi i hapësirave sanitare nëpër të gjitha shkollat e komunës, mbi 90% e shkollave janë pajisur me ngrohtore qendrore – duke zëvendësuar stufat me dru nëpër klasa, si dhe rregullimi oborreve të shkollave (pjesa më e madhe janë përfunduar tashmë). Njëkohësisht, Komuna e Gjakovës ka filluar ndërtimin e katër (4) kopshteve për fëmijë (2 në qytet, 2 në vendet rurale), meqë ka një kërkesë të madhe të prindërve për kopshte që t’i dërgojnë fëmijët e tyre gjatë kohës sa janë në orar të punës.

Për marrëdhënien me Kuvendin e Komunës, përkatësisht me këshilltarët komunal, z. Gjini deklaroi se janë mjaftë të mira, dhe se gjithnjë mundohen që t’u japin hapësirë të gjitha partive politike që të japin kontributin e tyre gjatë hartimit të politikave lokale.

Kryetari gjithashtu theksoi punën që janë duke e realizuar në mbështetje të grupeve të margjinalizuara, me theks ofrimit të infrastrukturës për personat me aftësi të kufizuara dhe ndërtimin e një objekti në Komunën e Gjakovës që do t’i plotësonte disa prej nevojave të tyre. Gjithashtu, janë duke punuar në përmirësimin e kushteve të jetesës dhe integrimin në shoqëri të komuniteteve Romë, Ashkali, dhe Egjiptian (RAE) përmes projekteve të shumta, ku ndër ta ishte stimulimi dhe avokimi për mos ndërprerjen e shkollës për fëmijët e tyre.

Për fund, z. Gjini gjithashtu tregoi për problemet që i ka shkaktuar komunës së Gjakovës pandemia COVID-19, veçanërisht në rënien e të hyrave vetanake si rezultat i mbylljes së bizneseve nga masat për parandalimin e përhapjes së pandemisë, dhe janë duke punuar në vazhdimësi që të ofrojnë ndihmë sa më të madhe të bizneset në rimëkëmbjen e tyre.

Ky takim u realizua në kuadër të projektit “Qeverisje lokale transparente dhe llogaridhënëse” si pjesë e programit Kosova që Duam (KQD), mbështetur nga FES dhe implementuar nga D4D.