Fuqizimi i pjesëmarrjes së të rinjve në proceset politike

24.12.2019

Instituti Demokraci për Zhvillim (D4D) po vazhdon të punoj ngushtë me të rinjtë e subjekteve politike në mënyrë që të krijoj frymë pozitive shoqërore dhe bashkëpunuese mes tyre, pa marr parasysh se cilit subjekt politik i përkasin. Në data 6-7-8 dhjetor 2019, në Mavrovë, Maqedoni janë mbajtur punëtoritë: “Punëtoria mbi Lidershipin” me të rinjtë e subjekteve politike dhe “Punëtoria e politikëbërësve të rinj” me anëtarët e rinj të Kuvendeve të Komunave.

Gjatë ditës së parë dhe të dytë të “Punëtorisë mbi lidershipin” ku ligjërues ka qenë Bekim Baliqi, të rinjve të subjekteve politike u është ofruar mundësia që të njihen më afër me bazat e lidershipit politik, stilet e lidershipit si dhe rolit të liderëve partiak. Përpos kësaj, fokus ishte edhe puna në grupe, ku këta të rinj kanë hartuar punime në grupe mbi planin zhvillimor të tyre në parti si dhe mbi zgjedhjet partiake dhe afirmimin e liderëve të rinj.

Nga ana tjetër, gjatë kësaj kohe në “Punëtorinë e politikëbërësve të rinj” ku ligjërues ka qenë Isuf Zejna, anëtarët e rinj të Kuvendeve të Komunave kanë marrur njohuri të reja mbi Prokurimin Publik, legjislacionin, mënyrat dhe institucionet e mbikëqyrjes së Prokurimit Publik, zbatimin e kontratave si dhe qasjen në dokumente zyrtare. Ndër të tjera, është zhvilluar edhe punë grupore për gjetjen e të dhënave në e-Prokurim.

Në ditën e tretë këto dy grupe të të rinjve kanë përfituar nga ligjërimi mbi të folurit në publik, me ligjëruese Shenaj Shala. Imazhi personal, komunikimi efektiv, aftësitë e prezantimit, menaxhimi i stresit para të folurit në publik, komunikimi jo-verbal dhe gjuha e trupit ishin vetëm disa nga pikat të cilat u diskutuan gjatë kësaj dite.

Ky aktivitet është realizuar në kuadër të projektit “Fuqizimi i pjesëmarrjes së të rinjve në proceset politike”, me mbështetje nga National Endowment for Democracy (NED).