Diskutim Agora me fokus në temën: “Rinia Përtej Kufijve”

13.12.2018

Shkathtësitë janë të nevojshme në çdo vend, dhe mundësitë për të zhvilluar këto shkathtësi ekzistojnë edhe në Kosovë. Të rinjtë në Kosovë përbëjnë një potencial të madh, por shpeshherë të çuar dëm. Faktorët që i paralizojnë këta të rinj për të qenë pjesë e dinamikave të tregut të punës variojnë nga arsimimi, e deri tek mungesa e politikave zhvillimore në vend. Në këtë drejtim, sa ja vlen të zhvillohet karrierë në Kosovë? A është jetesa në vendet perëndimore ashtu siç perceptohet? A janë lëvizjet e fuqisë punëtore nga një vend në tjetrin, të dëmshme? Janë këto disa nga çështjet të cilat panelistët i diskutuan më specifikisht, duke i lidhur edhe me eksperiencat e tyre personale përgjatë karrierës, ku pavarësisht vështirësive që i kanë hasur kohë pas kohe, kanë arritur sukses në fushat e tyre përkatëse.

Duke iu drejtuar të rinjve në audiencë, përgjatë diskutimit folësit/et thanë se definimi preciz i suksesit është diçka subjektive dhe si i tillë nuk ekziston. Për të arritur sukses një i ri/e re, është e nevojshme që fillimisht të definohet pasioni, e më pastaj të përkushtohen, të punojnë dhe të mos dorëzohen. Panelistët diskutuan më detajisht rreth rrugëtimit të karrierës së tyre profesionale, me fokus në pika ngritje e rrëzimi, ku u tregua se si kundrejt të dyjave duhet të vazhdohet me kurajo drejt objektivave finale të cilat synohen të arrihen.

Zhvillimet përgjatë diskutimit e sollën në pah edhe pyetjen se a duhet që shteti i Kosovës të fokusohet në parandalimin e largimeve të mëtutjeshme, apo duhemi që t’i sjellim mbrapsht “trurin” e larguar më parë. Në lidhje me këtë, folësit/et theksuan që jo gjithmonë vetëm arritja në një vend jashtë mjafton për t’u zhvilluar dhe se migrimi qarkor jo domosdoshmërisht është i dëmshëm. Duke u bazuar në përvojat e tyre personale, panelistët thanë se më shumë ia vlen investimi në vete dhe zhvillimi i aftësive për t’u përdorur në Kosovë, sesa një punë e zakonshme në Perëndim.

Pjesë e panelit në këtë diskutim ishin: Mërgim Cahani, themelues dhe CEO i Gjirafa.com, Xhevahire Izmaku, Deputete e Kuvendit të Kosovës, dhe Donikë Qerimi, Ligjëruese. Ndërsa, diskutimi u moderua nga Berat Miftari.

Diskutimi Agora me fokus në temën: “Rinia Përtej Kufijve” është mbajtur më 13 Dhjetor 2018.

Ky diskutim mbështetet nga GIZ/ DIMAK Kosovo.