“Breakfast briefing” me këshilltarët e Kuvendit Komunal të Mitrovicës

19.04.2019

Në krahasim me mandatet e kaluara, qeverisja aktuale e Komunës së Mitrovicës, si në legjislativ ashtu edhe në ekzekutivë ka pësuar përmirësime të dukshme, mirëpo ka ende hapësirë për përmirësim ishte njëra ndër konstatimet e dala nga takimi jo-formal “breakfast briefing” me Këshilltarët Komunal të Komunës së Mitrovicës, organizuar nga Instituti Demokraci për Zhvillim (D4D) më datë 17 prill.

Qëllimi i këtyre takimeve është diskutimi i politikave të Komunës së Mitrovicës për përmirësimin e parimeve të qeverisjes së mirë, puna e Kuvendit Komunal dhe bashkëpunimi ndërmjet grupeve të partive politike për të shtyrë përpara projekte që adresojnë kërkesat, shqetësimet dhe nevojat e qytetarëve që ata përfaqësojnë.

Përfaqësuesit e partive politike në Kuvendin Komunal të Komunës së Mitrovicës theksuan se koalicioni aktual qeverisës ka arritur që të bëjë një punë të madhe që nga marrja e mandatit, duke punuar vazhdimisht në përmirësimin e qeverisjes  së mirë dhe parimeve të saj, mirëpo duke mos lënë anash edhe kritikat për llogaridhënien jo shumë të mirë nga ekzekutivi. Megjithatë, u theksua se disa prej këshilltarëve komunal janë vazhdimisht aktiv në monitorimin dhe kërkimin e llogaridhënies nga ekzekutivi, ku disa prej tyre kërkojnë edhe raporte periodike nga drejtorët e drejtorive të Komunës së Mitrovicës.

Gjithashtu, përfaqësuesit e partive politike shprehën gatishmërinë për të bashkëpunuar më shumë për shtyrjen përpara të politikave të rëndësishme për komunitetin e Komunës së Mitrovicës, dhe të mbajnë llogaridhënëse ekzekutivin e Komunës bashkërisht për një qeverisje sa më të mirë lokale.

Këto takime realizohet në kuadër të projektit “Pjesëmarrje e gjerë për qeverisje të mirë”, i cili implementohet nga instituti Demokraci për Zhvillim (D4D) me mbështetje nga Ambasada Holandeze në Kosovë.