Aktivitetet jashtë-kurrikulare si mundësi për ndërveprim etnik

28.04.2021

Aktivitetet jashtëkurrikulare janë mundësi e mirë e interaktivitetit ndër-etnik. Këto shihen poashtu si një mekanizëm në mënyrë që t’i kontribuojnë bashkëveprimit të shëndetshëm që synon drejt harmonisë shoqërore. Me qëllim diskutimin e këtyre pikave, me datë 27 prill 2021, u mbajt Salloni i së Martës me temë: “Aktivitetet jashtë-kurrikulare si mundësi për ndërveprim etnik”.

Gjatë këtij salloni u diskutua se të rinjtë/rejat duhet të kuptojnë se çfarë ka ndodhur dhe duhet të bashkëjetojnë duke respektuar njëri-tjetrin. Si barrierë në këtë drejtim shihet gjuha, ku të rinjtë shqiptar dhe serb komunikojnë me njëri-tjetrin kryesisht në gjuhën angleze.

Si rekomandim u dha se duhet të punohet me mësues/e në mënyrë që çdoherë kur ka tema që ndërlidhen me ndërveprim etnik, ata duhet të flasin gjuhë që nxit mirëkuptim mes njëri-tjetrit dhe jo mesazhe që nxisin përçarje. Përpos kësaj, panelistët potencuan se duhet të ofrohet hapësirë më e madhe për realizim të aktiviteteve interaktive mes të rinjve/rejave të komuniteteve të ndryshme si dhe kërkohet nga Institucionet përkatëse që të hartojnë strategji në mënyrë që shkollat të jenë sa më gjithëpërfshirëse.

Pjesë e panelit në këtë sallon ishin: Kreshnik Xharra, Udhëheqës i Divizionit për Promovim dhe Zhvillim të Edukimit Joformal, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit; Jovana Radosavljevic, Drejtore Ekzekutive, New Social Initiative; Marigona Shabiu, Drejtore Ekzekutive, Youth Initiative for Human Rights dhe Igor Markovic, Hulumtues/Menaxher projekti, NGO Aktiv.

Moderimi i këtij salloni u realizua nga Lirije Palushi, Hulumtuese dhe Asistente e jashtme në Universitetin e Prishtinës, nga e cila do të shkruhet edhe editoriali.

 

Ky sallon u realiua me mbështetje nga Konrad Adenauer Stiftung (KAS).