Ndikimi i diasporës në zhvillimin ekonomik të Kosovës: Potencial i shfrytëzuar apo jo?

25.09.2018

Të martën më 25 shtator u zhvillua salloni i së martës me temë “Ndikimi i diasporës në zhvillimin ekonomik të Kosovës: Potencial i shfrytëzuar apo jo?”, ku ndër të tjera u diskutua mbi shfrytëzimin e potencialeve të diasporës në terma afatgjatë; u propozua që të hartohen programe dhe projekte të cilat do të nxisnin diasporën për të bërë investime afatgjate; ndërmarrja e iniciativave për eksportimin e produkteve kosovare përmes ndërmarrjeve të diasporës në Bashkimin Evropian dhe bashkëpunimi i organizatave dhe ndërmarrjeve të diasporës me organizatat dhe ministritë përkatëse të Kosovës.

Të ftuarit për të diskutuar në këtë sallon ishin z. Xhelal Dërguti, koordinator i programit për Migrim dhe Diasporë, GIZ/DIMAK; znj. Sytrime Dërvisholli, udhëheqëse e Departamentit për Tregti, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë dhe z. Bekim Brestovci Drejtor menaxhues i Unionit të Biznesit Shqiptaro-Gjerman. Ky sallon u moderua nga z. Lirim Krasniqi, anëtarë i bordit në IG Alpbach Kosova, dhe editoriali do të shkruhet nga z. Blend Hyseni, hulumtues në institutin GAP.

Znj. Dërvisholli theksoi se Ministria e Tregtisë dhe Industrisë është duke hartuar një strategji për diasporën, se si remitancat të mund t’i shndërrojmë në investime afariste, dhe një strategji për rritjen e pranisë së produkteve të Kosovës në diasporë dhe anasjelltas. Këto plane parashihen të fillojnë implementimin në fillim të 2019-së. Gjithashtu, u potencua që do të ketë bashkëpunim me ekspertë të diasporës, të cilët në mënyrë vullnetare shprehin gatishmërinë e tyre për të dhënë kontributin përmes programeve, trajnimeve, ideve inovative dhe këshillimit të institucioneve më qëllimin të zhvillimit ekonomik.

Sa i përket liberalizimit të vizave, u theksua se përkundër efekteve negative, si për shembull migrimi i popullsisë, do të ketë edhe efekte pozitive, si për shembull shkëmbimi i njohurive dhe ideve që do të kontribuojë në fuqizimin e fuqisë punëtore.

Ky Sallon u mundësuar nga financimi i Odës Ekonomike Gjermano Kosovare.

Sallonet e ardhshme