Iniciativat e Rinisë: Si të rriten dhe ku të gjejnë përkrahje?

13.12.2018

Pushteti lokal, mirëpo edhe ai qendror duhet të jetë më i kujdesshëm në caktimin e prioriteteve, e sidomos në ato që prekin realizimin e nevojave të të rinjve. Rinia, si asnjëherë më parë duhet të stimulohet, në mënyrë që të krijojnë një vizion më të qartë në atë se çka duan të arrijnë në të ardhmen. Në mënyrë që të realizohet një gjë e tillë, bashkëpunimi në mes të të rinjve dhe komunës duhet të jetë dukshëm më i theksuar.

Për më tepër, përgjatë diskutimit u adresua se duhet të shfrytëzohen edhe kanale të reja të komunikimit për të bashkëpunuar me të rinjtë, dhe madje të modifikohen metodat që implementohen për informim, siç është faqja zyrtare e Komunës. Ndërsa, u theksua se të rinjtë në anën tjetër, duhet të shprehin interesim për t’i adresuar problemet të cilat ata i shqetësojnë. Si kontribut në diskutim, panelistët dhe pjesëmarrësit patën rekomandime, ku u specifikua nevoja për një vetëbesim më të zëshëm dhe vullnet nga të rinjtë, në mënyrë që të shfrytëzohen të gjitha mundësitë dhe thirrjet për avancimin e mëtutjeshëm profesional të të rinjve.

Pjesë e panelit në këtë sallon ishin: Agim Idrizi, Zyrtar për Rini, Drejtoria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Podujevë; Shemsi Jashari, Drejtor Ekzekutiv, Demokracia Fillon Këtu, Podujevë; si dhe Leutrim Podvorica, Drejtor, Leadership and Development (LAD), Podujevë. Salloni u moderua nga Shpend Sopa, OJQ Ekovizion, ndërsa editoriali do të shkruhet nga Arbenita Krasniqi, Koordinatore e projektit, Kosovar Youth Council (KYC).

Salloni me fokus në temën: “Iniciativat e Rinisë: Si të rriten dhe ku të gjejnë përkrahje?” është mbajtur më datën 13 dhjetor 2018, në Komunën e Podujevës.

Sallonet e ardhshme