Ballafaqimi me të vërtetën: Sa është e mbrojtur pronësia intelektuale?

26.06.2018 D4D

Instituti D4D me datë 26 qershor ka mbajtur sallonin e fundit për këtë sezonë në Prishtinë me temën “ Ballafaqimi me të vërtetën: Sa është e mbrojtur pronësia intelektuale?”

Pjesë e panelit në këtë sallon ishin Atdhe Lila, Zyrtar i lartë për të drejtat e autorit në Zyrën për të Drejtat e Autorit dhe të Drejtat e Përafërta; Driton Hapçiu, Drejtor Ekzekutiv, Cacttus; dhe Florin Lata, Avokat – JUDEX.

Diskutimi u fokusua në pronësinë intelektuale, kryesisht në aspektin e teknologjisë, programerëve dhe IT. Në këtë aspekt u theksua se duhet të aplikohen standarde sepse jemi të pa vetëdijshëm si shoqëri se sa kontribuojmë në industrinë ilegale, duke blerë kështu mallra e produkte pirate, dhe rrjedhimisht duke dëmtuar kompanitë të cilat kanë krijuar ide dhe i kanë jetësuar ato.

Sipas panelistëve në Kosovë ekzistojnë institucione përkatëse për mbrojtjen e pronësisë intelektuale dhe të drejtat e autorit tash e 10 vite të cilat kryesisht kanë rol informues  dhe promovues për qytetarët të cilët bëjnë shkelje të vazhdueshme të pronësisë intelektuale të shkelje të ligjit. Përveç institucioneve informuese po ashtu Gjykatat, Doganat dhe Policët merren me raste dhe hetimin e rasteve të tilla në mënyrë zingjirore. Krahas këtyre institucioneve pronësia intelektuale është e rregulluar edhe me Kushtetutën e Kosovës. Mirëpo pavarësisht të gjitha këtyre u tha se është shumë e vështir të kontrollohen shkeljet sidomos në fushën digjitale, kjo pasi që ka marrë përmasa globale si dhe kontrolli i tyre është jashtëzakonisht i kushtueshëm e sidomos për buxhetin e Republikës së Kosovës ato janë të pa arritshme. Në anën tjetër kopjet fizike janë më të qasshme dhe të kontrolluara, ku gjatë një viti Institucionet e Kosovës kanë arritur të konfiskojnë rreth 1000 kopje të librave.

Krejt në fund panelistët ndanë edhe Rekomandime, ku u potencua patentimi i veprave dhe krijimeve të autorëve si dhe rritja e inovacionit dhe mundësive inovative për të rinjë/reja, ku në të njëjtën kohë do të bëhet edhe vetëdijesimi i tyre për tregun legal, dhe mos shkelja e ligjit.

Ky sallon është moderuar nga Ermal Sadiku, nga Linkplus; ndërsa editoriali do të shkruhet nga Nora Hasani, Drejtoreshë Menaxhuese në Odën Ekonomike Gjermane në Kosovë.

Realizimi i sallonit është mundësuar nga financimi i Odës Ekonomike Gjermane në Kosovë.

Sallonet e ardhshme