Zhvillimi i turizmit përmes politikave dhe legjislacionit efikas

12.07.2017 Isuf Zejna

Qëllimi i këtij dokumenti të politikave është të iniciojë avokimin lidhur me ndryshimet e politikave të turizmit dhe krijimin e Organizatës Kombëtare të Turizmit (OKT), duke vlerësuar kornizën aktuale ligjore, duke ofruar stimuj për përmirësimin e sektorit të turizmit, duke filluar një dialog intensiv dhe gjithëpërfshirës publiko-privat dhe duke u përpjekur të rris ndërgjegjësimin e palëve të interesit lidhur me zhvillimin e turizmit dhe të sigurojë përfshirjen e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë për të iniciuar themelimin e Organizatës Kombëtare të Turizmit.

Ligji për Turizmin dhe Programi i Qeverisë 2015-2018 paraqesin një kornizë dhe prioritete të qarta për zhvillimin dhe promovimin e turizmit, si dhe për përmirësimin e infrastrukturës, zhvillimin dhe promovimin e turizmit rural dhe malor. Përkundër kornizës ligjore dhe programeve të ndryshme, ato janë të pamjaftueshme kur bëhet fjalë për sigurimin e stimujve për promovim më të mirë të sektorit të turizmit në Kosovë. Mungesa e dialogut publiko-privat, defektet në aspektin e infrastrukturës së nevojshme fizike, marketingut dhe disponueshmërisë së burimeve të kualifikuara njerëzore janë elemente që pengojnë zhvillimin e qëndrueshëm të turizmit.

D4D ka organizuar pesë dëgjime publike në bashkëpunim me të gjithë palët relevante të interesit anembanë Kosovës, në Gjakovë, Pejë, Prizren, Mitrovicë dhe Shtërpce. Përveç kësaj, është organizuar një konferencë në Prishtinë për të paraqitur gjetjet preliminare. Ky dokument ofron një bazë të mirë për diskutim të hapur për të gjitha palët e interesit. Të pesë dëgjimet publike ishin të lidhura ngushtë me ministrinë përkatëse për të siguruar se dëgjimet publike ndjekin rregullat më të avancuara.