Zanafilla plus dhjetë

Para një dekade, përfaqësuesit e zgjedhur të popullit të Kosovës u mblodhën në një seancë të jashtëzakonshme për të shpallur vendin të pavarur dhe sovran. Një prej argumenteve kryesore, që ishte përsëritur vazhdimisht gjatë gjithë procesit të zgjidhjes së statusit politik të Kosovës, ishte se vendi paraqiste rast unik në politikën botërore. Ky aspekt unik nuk ishte i kufizuar vetëm në sferën juridike të marrëdhënieve politike dhe në mënyrën në të cilën Kosova e shpalli pavarësinë e saj nga Serbia, por po përfshinë edhe tranzicionet e shumta nëpër të cilat ka kaluar shoqëria kosovare. Si e tillë, ndonëse Shpallja e Pavarësisë paraqet një ngjarje kyçe në shtetësinë e Kosovës, ajo nuk është as fillimi e as fundi i tregimit të shtetndërtimit.

Pra, cili është tregimi i shtetësisë së Kosovës, dhjetë vjet pas pavarësisë? Nisur nga kjo pyetje, D4D ka hartuar këtë raport i cili përpiqet të analizojë shtetësinë me ndihmën e këndvështrimit të tanishëm. Duhet theksuar që në fillim se ky raport nuk është gjithëpërfshirës dhe nuk synon të thotë fjalën e fundit lidhur me shtetndërtimin në Kosovë.

Në të katër kapitujt e tij, ky raport ofron një vlerësim kritik të informuar për dekadën e parë të shtetësisë së Kosovës që mbulon domenin institucional, të pushtetit dhe atë diskursiv. Përkundër kufizimeve të veta si për nga fushëveprimi ashtu edhe metodat, raporti përpiqet të ofrojë një vështrim kritik të çështjeve kyçe lidhur me shtetësinë e Kosovës. Një shtojcë e veçantë në këtë raport ofron perspektivën e qytetarëve të Kosovës në përvjetorin e dhjetë të pavarësisë.