Trendet zgjedhore 2000-2014: Analizë numerike e pjesëmarrjes dhe përfaqësimit

30.07.2015 Leon Malazogu

Dhjetë palë zgjedhje gjatë një periudhe prej pesëmbëdhjetë vjetësh ofrojnë distancë të mjaftueshme kohore për të vlerësuar si e kuptojmë dhe ushtrojmë ne demokracinë. Duke pasur parasysh se nuk do të ketë zgjedhje së shpejti, dy vjetët e ardhshëm paraqesin mundësi të shkëlqyer për të reflektuar dhe përmirësuar përvojën zgjedhore. Ky punim shqyrton një sërë trendesh dhe nxjerr përfundime dhe analiza në mënyrë neutrale për t’i informuar politik-bërësit të cilët mund të debatojnë lidhur me dizajnin elektoral në të ardhmen.

Matja e evolucionit të demokracisë tonë kërkon perspektivë kohore. Suksesi i një reforme kërkon një vegël matëse për të krahasuar nëse ka pasur përparim gjatë viteve të kaluara. Ndonëse në fazë të hershme, demokracia kosovare ka filluar të tregojë disa shenja të konsolidimit, që dëshmohet me zvogëlimin e numrit të partive që garojnë në zgjedhje, që mandatet e kohëve të fundit kanë filluar të jenë më jetëgjata, si dhe me kalimin e tri gjysmë-transicioneve paqësore.

Në gjysmën e parë të hulumtimit, kemi krahasuar shifrat zyrtare të nxjerra nga KQZ-ja që kanë të bëjnë me listën e votuesve, pjesëmarrjen në votime, performancën e partive, votat individuale, në përpjekje për ta shikuar në trendin afatgjatë dhe se çfarë kuptimi mund të nxirret si rezultat. Punimi fillon duke analizuar arsyet që qëndrojnë prapa rritjes së fletëvotimeve të pavlefshme dhe atyre të dëmtuara, që nuk do të ndodhte po të kishim zona zgjedhore. Kemi tërhequr vërejtjen mos të organizohen më disa palë zgjedhje në të njëjtën ditë, posaçërisht nëse fletëvotimi nuk thjeshtohet. Është për habi kur vërehet se ndonëse të gjithë votuesve u ishin dhënë tre fletëvotime, rreth një e gjashta e votave nuk kishin hedhur fletëvotimin për këshillin komunal, që është një tregues i fuqishëm i mashtrimit potencial.

Lista e votuesve është përmirësuar kohëve të fundit, që inkurajon se mund të bëhet edhe më shumë. Saktësimi i mëtejmë i listës së votuesve do të mund të ishte në interesin e politikanëve të popullarizuar të cilët do të zgjidheshin me një pjesëmarrje më të lartë të votuesve. Pjesëmarrja reale në zgjedhje është afër dy të tretave, që dëshmon se nuk ka krizë të daljes siç duket nga rezultatet zyrtare. Është e vështirë dhe e kushtueshme të punohet me shifra zyrtare për shkak se shumë shifra mungojnë dhe se një pjesë e të dhënave nuk publikohen në mënyrë të njëtrajtshme nga viti në vit.

Në gjysmën e dytë të punimit krahasohen rezultatet e tri anketave të opinionit publik – si kosovarët perceptojnë udhëheqësinë e tyre, institucionet që janë përgjegjëse për zgjedhjet, anëtarësinë e partisë – të cilat gjithashtu janë kros-tabuluzar me faktorë demografik. Gjithnjë e më tepër, votuesit ndërrojnë partinë e tyre të preferuar – nga viti 2007 deri më 2010, rreth gjysma e respondentëve e kanë ndryshuar zgjedhjen sa i përket partisë së tyre. Respondentët e moshës mesatare, ata me arsimim të lartë dhe gratë përbëjnë pjesën më të madhe të votuesve të luhatur dhe për këtë arsye ata do të duhej të jenë pikësynim i fushatave politike në të ardhmen. Njëri nga trendet në rritje është se sa më të mëdha të jenë të ardhurat e personit, aq më shumë ka të ngjarë që ai/ajo ta ketë takuar një zyrtar publik. Anëtarë të partive zakonisht janë të arsimuarit dhe ata të moshave mes 35 dhe 44 vjeç. Numri i atyre që ndiheshin shumë afër partisë së tyre ka rënë nga 25% në 15%, gjersa shkalla e kosovarëve që nuk ndihen të afërt me politikën është rritur.

Ky punim është përgatitur me kontributin dhe ndihmën në hulumtim nga: Ngadhnjim Halilaj dhe Rezarta Delibashzade.