Sfida e konsolidimit – Fuqizimi i pavarësisë së institucioneve të medias në Kosovë

08.01.2014 D4D Naser Miftari

Përgjatë rreth një dekade të menaxhimit ndërkombëtar sektori i medias në Kosovë ka përjetuar një transformim të rëndësishëm. Megjithatë, ende ekziston një perceptim i përgjithshëm që sistemi i medias në Kosovë ka performancë të dobët dhe se ky sektor luhatet nga të qenit stabil deri në gjendje të brishtë. Regjimi i mediave liberale i aplikuar nga administrata e OKB-së pas zbarkimit të saj më 1999 në Kosovë ishte i suksesshëm në atë që siguroi demonopolizim të informatave në Kosovë, por rritja e pakontrolluar e mediumeve në vitet në vijim ka çrregulluar sektorin e medias, duke krijuar një treg të fryrë të medias, burimi i të ardhurave i të cilave pësonte rënie.

Asistenca ndërkombëtare për mediat në Kosovë është ofruar në tri faza. 1) Mbështetja për mediat opozitare gjatë sundimit serb (1990-ta) 2) intervenimi në media pas konfliktit (1999-2007), dhe 3) mbështetja e kufizuar për media (që nga viti 2007, në vazhdim e sipër). Asistenca për mediat gjatë këtyre tri fazave përbëhej nga katër lloje: 1) zhvillimi i kapitalit njerëzor; 2) mbështetje e drejtpërdrejtë për media; 3) korniza rregullative dhe 4) mbështetja për institucionet e medias. Përderisa asistenca për mediat gjatë të tri fazave ishte e konsiderueshme në të katër llojet e asistencës, donatorët nuk kanë shkuar përtej synimeve parësore – që ishin themelimi i një game institucionesh së medias dhe atyre mbështetëse. Për më tepër, si duket strategjitë, qasjet dhe synimet e asistencës së huaj nuk ishin gjithmonë të qarta dhe/apo të bashkërenduara dhe kjo pati implikime për tërë sektorin.