Reformimi i Universitetit të Prishtinës – mision i mundur?

Qëllimi i këtij punimi është që të përcaktojë diagnozën për problemet kryesore me të cilat përballet Universiteti i Prishtinës dhe të ofrojë zgjidhje për to. Duke u bazuar në hulumtimet e bëra me palët e interesit si: studentët, mësimdhënësit dhe shoqërinë civile, punimi trajton nëntë temat më problematike nga të cilat lëngon UP-ja dhe përshkruan terapi për shërimin e tyre.

Kosova nuk ka traditë të mirëfilltë akademike të cilës mund t’i kthehet. Profesorët gjithnjë e më shumë po shihen si burim kryesor i problemit e jo i zgjidhjes. Ky është një moment ideal për të nisur një reformë ambicioze. Në mungesë të akademikëve me standarde të larta, cilësia mund të rritet vetëm përmes konkurrencës dhe vlerësimit të performancës.

Marrë parasysh ambientin e tanishëm, do të jetë pothuajse e pamundur të përmirësohet mësimdhënia vetëm duke aplikuar standardet minimale dhe monitorimin. Universiteti duhet po ashtu të ndihmojë personelin e vet akademik që të përcaktojë objektiva të matshme, të masin rezultatet e tyre dhe të gjejnë mënyra për të promovuar profesorët që arrijnë përparimin më të shpejtë brenda afatit kohor. Drejtuesit e universitetit duhet të pushojnë së shpërblyeri magjistarët që pretendojnë se kryejnë katërfishin e normës së tyre të rregullt. Në vend të kësaj duhet të shpërblejnë ata që ia dalin të transformojnë mësimdhënien e tyre për t’iu përgjigjur nevojave të ardhshme të tregut.

Qeverisja e universitetit duhet të ndryshojë, për t’a bërë atë më të përgjegjshëm vertikalisht dhe më të shkathtë horizontalisht. Merita individuale (dhe avancimi) nuk mund të jenë subjekt i votës demokratike. Standardet minimale duhet të eliminojnë arsyen e ekzistimit të grupeve joformale të interesit, duke trasuar rrugën drejt një institucioni dinamik ku më shumë vlen puna e madhe individuale se sa krijimi i koalicioneve për qëllime të liga. Të konsideruar për një kohë të gjatë si model, profesorët e UP-së kanë fituar imazhin e mungesës së etikës dhe integritetit. Profesorët meritorë duhet ta kuptojnë se ekziston një ambient i ri dhe se ata duhet të heqin dorë nga klanet në mënyrë që të krijohet një ambient akademik meritokratik.

Mbajtja e standardeve të larta do të jetë e vështirë dhe gjeneratat e para të përballura me pritjet e mëdha me të drejtë ndjehen të mashtruara. Rektori i ri ka demonstruar se është i gatshëm që të shihet si ‘i keqi’ nga ish kolegët e tij, për të mbrojtur interes e të gjithë neve. Ai duhet të përkrahet në caktimin e standardeve të larta kundër mashtrimit dhe plagjiarizmit, sado që këto mund të duken të ashpra duke marrë parasysh se janë toleruar për dekada të tëra. Rektori nuk pati nevojë të presë gjatë që të dëshmohet, sepse ai i mobilizoi kosovarët e rëndomtë si pak kush para tij.

Studentët duhet të kuptojnë se vendet e lira të punës për të cilat nuk kërkohet asgjë përveç diplomës tani më janë zënë. Sot studentët dhe prindërit e tyre duhet ta kuptojnë se nuk kanë shumë opsione tjera përveç se t’i përvishen punës.