• Shqip

Parashikime dhe skenare – Kosova dhe bota më 2014

17.01.2014 Leon Malazogu

Në vitin 2014, Kosova nuk do të preket as nga vërshime masive, as tërmete shkatërruesve apo ndonjë vullkan të paparashikuar. Ngricat nuk do të jenë siberike, as i nxehti tropik nuk do të na kaplojë dhe nuk do të na pikasë asnjë cunami apo rrjedhje nukleare. Asnjë nga fatkeqësitë e tmerrshme që prekin pjesën më të madhe të globit nuk do të ndodhë dhe për mungesën e përparimit në vendin tonë për herë të parë mbase duhet të fajësojmë vetëm vetveten.

Pikat kryesore që duhet vëzhguar janë (a) nëse do të vazhdojë trendi i zgjedhjeve fer dhe kush do të fitojë në zgjedhjet parlamentare në vjeshtë, (b) nëse do të vazhdojë integrimi i veriut dhe si do të krijohet Asociacioni i komunave serbe, dhe (c) nëse do të përfundojnë negociatat për MSA dhe nëse do të vazhdojë entuziazmi i të rinjve për politikën.

Të gjithë kryetarët e komunave do të kurdisin alarmin për shtator, e nuk do të mendojnë për mandatin e plotë. Disa kryetarë tjerë do të qeverisin pa shumicë ne kuvendet komunale. Qysh në fillim do të shohim se diku do të ketë bllokadë, diku pazarllëqe joparimore por në shumicën prej tyre do të ketë transparencë të shtuar. Me zgjedhje qendrore në sfond, koalicionet nuk do t’i lihen nivelit vendor për të vendosur. Në Mitrovicë, qytetarët shpejt do të vendosin nëse me Bahtirin kanë përfunduar ndryshimet e kërkuara apo ky është vetëm uji i parë që duhet ndërruar kur ‘zien fasulen’.

Në mes të detyrave që na presin për 2014 është edhe reforma zgjedhore edhe pse kjo ose përfundon në shkurt ose nuk përfundon fare. Këtë herë fushata mund të zgjasë 14 ditë. Qytetarët do të njehen të lehtësuar por opozita do të humbë rast për shpjeguar vizionin e vet. Edhe më 2014 do të vriten kosovarët për çështje pronësore e ndonjë fanatik edhe si shehid në Siri.

Ambasadorja amerikane do të përfshihet më shumë në proceset politike, përfshirë në veri. Edhe pse e filloi mandatin me tema të lehta, Amb. Jacobson do të shohë të domosdoshme të ndihmojë me ligjin zgjedhor, përmbushjen e obligimeve të dialogut, tejkalimin e ngërçeve politike, votimin e ligjeve bazike, dhe organizimin e takimeve politike. Nevoja për bashkëpunim ndër-partiak do të jetë tepër e madhe pikërisht kur armiqësitë do të rriten skajshmërisht dhe interesi partiak do të ketë prioritet. Nga janari, Greqia merr kryesimin e BE-së, për t’ja pasuar Italisë gjashtë muaj më vonë. Malta dhe Qiproja shënojnë përvjetorin e dhjetë të anëtarësimit në BE përderisa Bullgaria dhe Rumania fitojnë të drejtën e punës në Angli. Nëse moldavët e maqedonasit (të pajisuar me pasaporta rumune e bullgare) vërshojnë tregun e punës atje, mund të vështirësohet qëndrimi evropian për liberalizim të mëtutjeshëm të vizave për ne dhe për turqit.

Në planin ekonomik, sfidë do të jetë zbatimi i pakës së reformave ekonomike: licencat për banka private, heqja e pengesave për firma private, liberalizim të normave të interesit, të drejtat e emigrantëve nga zonat rurale, reformat agrare. Kreditë me kamata të lira nuk mund të vazhdojnë më, shpenzimet duhet të ulen, ekonomia duhet të vihet në ekuilibër, borxhi publik e privat që ka arritur në mbi 200% të GDP-së duhet të ulet. Në vitin e ri (të kalit sipas kalendarit kinez), Kina do të investojë më tepër në thënxhill dhe smogu do të vazhdojë të vrasë qindra mijëra kinezë.

“Ky botim është realizuar me përkrahjen nga projekti Promovimi i Shoqërisë Demokratike (DSP) – i financuar nga Zyra Zvicerane për Bashkëpunim në Kosovë (SCO?K) dhe menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF)”. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e Demokraci për zhvillim (D4D) dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i SCO-K-së apo KCSF-së.