Gjendja e vullnetarizmit në Kosovë: Sfidat dhe perspektivat

20.03.2018 Vjollca Krasniqi

Në Kosovë, sikurse edhe në vendet e tjera të Evropës Juglindore (EJL), vullnetarizmi është bërë pjesë e politikës publike. Ai ka marrë një rol në kuadër të politikave për rini. Për më tepër, vullnetarizmi është bërë prioritet i politikave si pjesë e strategjisë së shtetit për bashkëpunim me shoqërinë civile. Megjithatë, politikat e vullnetarizmit ka nevojë për zhvillim të mëtejshëm për t’i zgjeruar hapësirat për një qytetari të angazhuar. Rritja e shkallës së vullnetarizmit frymëzon një nivel më të lartë të pjesëmarrjes qytetare dhe të bashkëveprimit ndërmjet faktorëve shtetërorë dhe jo-shtetërorë, duke sjellë me vete potencialin për një Kosovë më përfshirëse në aspektin shoqëror.

Në përgjithësi, vullnetarizmi kuptohet në terma altruistë. Të dhënat e anketës po ashtu kanë treguar se motivimi kryesor për vullnetarizëm ka të bëjë me interesin publik që pasohet nga motivimi individual, domethënë, duke kërkuar rritjen e kapitalit social, të arsimimit dhe të perspektivës së punësimit. Për më tepër, hulumtimi ka zbuluar se përfitimet nga vullnetarizmit perceptohen të jenë sociale, individuale dhe organizative (Anketa 2017 D4D). I kuptuar kështu, vullnetarizmi ofron një platformë për lidhjen e kapitalit social, rritjen e besimit dhe nxitjen e vendim-marrjes demokratike. Në këtë material diskutohen çështjet e politikave, sfidat dhe mundësitë për vullnetarizëm në Kosovë. Duke u fokusuar në mjedisin institucional dhe shoqëror, është kërkuar që të identifikohen boshllëqet dhe mundësitë për të promovuar aksionin vullnetar. Në këtë punim theksohet nevoja për ndërhyrje me politika për të mbështetur vullnetarizmin ndaj nismave me bazë në komunitet, si dhe për të përmirësuar ndërveprimin e qytetarëve me shtetin, shoqërinë civile dhe sektorin e biznesit.