Doracak për barazi gjinore në procesin zgjedhor

Barazia gjinore, si komponent themelor i shoqërive gjithë-përfshirëse, ka ndikim të drejtpërdrejtë në forcimin e demokracive. Kur proceset zgjedhore dhe politike janë gjithë-përfshirëse nga aspekti gjinor, interesat e të dyja gjinive inkorporohen në të gjitha nivelet. Kuadri ligjor i Kosovës promovon barazinë gjinore në vendimmarrje, si në sektorin publik ashtu dhe në atë privat. Megjithatë, ka ende shumë sfida drejt sigurimit të përfshirjes së grave në proceset zgjedhore dhe politike.

Kuota gjinore prej 30% për listat e kandidatëve ka rezultuar në zgjedhje të më shumë grave drejtpërsëdrejti, pa pasur nevojë për kuotë. Për herë të parë, në zgjedhjet parlamentare të vitit 2014, 20 nga 39 gratë deputete nuk kishin nevojë për kuotë për t’u zgjedhur. Megjithatë, përderisa në kuvend shohim një numër gjithnjë më të madh të grave të zgjedhura si deputete, përfshirja e tyre në proceset zgjedhore ende çalon. Në po këto zgjedhje, përqindja e grave në stafin zgjedhor ishte vetëm 20%, duke shënuar një rritje të vogël nga 17% në zgjedhjet komunale në vitin 2013. Përqindja e grave në pozita drejtuese në terren ishte edhe më e ulët. Përveç që siguron respektimin e të drejtave themelore të të dyja gjinive, përfshirja e grave në proceset zgjedhore dhe politike sjell përfitime të shumta për të gjithë dhe kontribuon në qeverisje më të mirë. Ky doracak ofron informata lidhur me kuadrin ligjor dhe identifikon pengesat dhe përfitimet e përfshirjes së grave në proceset zgjedhore dhe politike. Gjithashtu, doracaku ofron zgjidhje të përshtatura enkas për organizatat përkatëse, për të nxitur progres në çështjen e përfshirjes së grave dhe për t’i ndihmuar të gjithë aktorëve që të bëjnë hapa të rëndësishëm drejt barazisë gjinore.