Demokracia e Kosovës në rrezik?

24.05.2018 Dr. Besnik Pula

Ky studim trajton tri fusha shqetësuese për zhvillimin demokratik të Kosovës: stabilitetin dhe kohëzgjatjen e qeverive, paqëndrueshmërinë zgjedhore dhe kohëzgjatjen e proceseve përfshirë negocimin dhe formimin e koalicioneve qeverisëse pas zgjedhjeve. Që nga pavarësia në vitin 2008, asnjë qeveri në Kosovë nuk e ka përfunduar një mandat të plotë. Kjo ka çuar në shqetësime rreth stabilitetit politik dhe konsolidimit demokratik të Kosovës. Megjithatë, në kundërshtim me perceptimet e përgjithshme, qeveritë e Kosovës janë relativisht jetëgjata. Në të vërtetë, qeveritë e Kosovës që nga viti 2008 bëjnë pjesë në grupin e qeverive me jetëgjata në krahasim me demokracitë parlamentare evropiane. Ngjashëm, paqëndrueshmëria zgjedhore e Kosovës e matur me indeksin Pedersen, ndonëse relativisht e lartë, hyn në kategorinë e demokracive të tjera të Evropës që janë në tranzicion. Siç ndodh në këto raste, është niveli më i ulët i institucionalizimit të sistemit partiak që është kryesisht përgjegjës për ndryshimet e mëdha elektorale viteve të fundit, duke përfshirë suksesin dramatik të disa partive të reja. Për më tepër, gatishmëria gjithnjë në rritje dhe e dukshme e elektoratit të Kosovës për t’i ndëshkuar ata që janë në pushtet kanë bërë që të zbehet mbështetja për dy partitë dominuese në Kosovë, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK). Kjo është një shenjë e rritjes së pjekurisë demokratike të votuesve kosovarë. Si rezultat, studimi arrin në përfundimin se as jetëgjatësia e shkurtër e qeverive, e as paqëndrueshmëria e dukshme zgjedhore nuk paraqesin kërcënime për konsolidimin e demokracisë së re në Kosovë.

Studimi tërheq vëmendjen në nevojën që partitë të bashkëpunojnë për ndërtimin e përbashkët të kulturës demokratike të normave joformale të nevojshme për t’i rregulluar proceset e rëndësishme gjatë transicionit të pushtetit.  Duke qenë se PDK-ja vazhdimisht ka qenë në pushtet që nga pavarësia e Kosovës, Kosova ende nuk ka përjetuar një transfer të plotë të pushtetit ku një parti në pushtet heq dorë nga kontrolli i qeverisë. Studimi tërheq vëmendjen edhe në nevojën për më shumë kapacitete politikëbërëse brenda partive politike për t’i orientuar negociatat mbi formimin e koalicionit drejt qëllimeve programore dhe drejtimeve të politikave, për dallim nga ndarja e plaçkës së pushtetit politik, siç ka qenë trendi në vitet e fundit.

“Ky botim është realizuar me përkrahjen e projektit Promovimi i Shoqërisë Demokratike (DSP) – i financuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) dhe Ministria e Punëve të Jashtme e Danimarkës (DANIDA) dhe menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF). Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e Demokraci për Zhvillim (D4D) dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i SDC-së, DANIDA-së apo KCSF-së.”