• Shqip

Premtimet për kandidimin e grave, i mori era!

26.09.2017 Allen Meta

Kuotë gjinore obligative – kjo çështje e debatueshme në ditët e sotshme, atëherë kur partitë politike kërkojnë votën e qytetarëve/eve për 38 komuna e i kandidojnë vetëm 8 kandidate për kryetare të komunave. Duhet të pyesim se sa e drejtë është një zgjedhje e tillë nga të gjitha partitë pa përjashtime, duke e pasur parasysh që po kërkojnë votën e qytetareve të cilat jo vetëm në këto raste, por edhe në shumë sfera tjera janë të diskriminuara? Në zgjedhjet e parakohshme qendrore fokus kryesor ka qenë avancimi i pozitës së gruas në shoqëri duke përfshirë edhe atë në pozitat e larta vendimmarrëse. Por kjo nuk ka ndodhur me përbërjen e qeverisë së re, ndërsa në zgjedhje lokale këtë nuk e kemi as afër për shkak të numrit të vogël të të kandiduarave.

Së pari, gruaja nuk duhet të shihet si kuotë e as si farsë për të tentuar të ua mbyllni sytë qytetarëve/eve, që kinse po bëhet përfshirja e tyre në politikë. Gruaja në asnjërën prej partive politike nuk e ka përkrahjen e duhur siç që e kanë burrat në të njejtën parti. Në të kundërtën gruaja në partite politike shihet vetëm si pjesë obligative për “syefaqësin” të cilën tentoni të jua shitni popullit. Hapësira që partitë politike po japin për kandidatet për asambleiste tregohen qartë që gratë nuk shihen si potencial nga partitë politike por vetëm si obligim shkaku i kuotës, e që me këtë nuk po i kontribuojnë barazisë gjinore.  Me këtë partitë politike vetëm se po tregojnë që janë parti “burrash” që synojnë një “pushtet burrash”.

Së dyti është e rëndësishme të kuptohet që gratë mund të jenë bartëse e proceseve të  politike me rëndësi. Vendet si Suedia që kanë përfshirje të barabartë të grave dhe të burrave në institucioneve publike, ka bërë që proceset që kanë udhëhequr ato të kenë suksese të mëdha. Kjo domosdo dëshmon që gratë jo vetëm që nuk duhet të shihen si kuotë, por duhet edhe të ju jepet hapësirë që të jenë pjesë dhe të  bartin proceset e rëndësishme. Poashtu të dhënat nga Transparency International kanë treguar që gratë kanë më pak gjasa të korruptohen apo të korruptojnë sesa burrat, dhe kjo patjetër se do të i ndihmonte shtetit tonë për të luftuar korrupsionin.

Sa janë partitë politike diskriminuese ndaj grave?

Nëse i dëgjojmë deklaratat e ndryshme të partive politke, shohim një retorikë e cila të shtyn të besosh që gratë brenda strukturave të partive politike janë shumë të rëndësishme dhe si të tilla kontribuojnë në ngritjën dhe zhvillimin më të mirë brenda partiak. Këto parti “fytyrën” reale të tyre e treguan në momentin kur gratë duhet të ishin pjesë e pozitave udhëheqëse apo kur duhej të kandidoheshin për kryetare të komunës. Kjo u dëshmua në zgjedhjet e parakohshme nacionale të këtij viti dhe jo vetëm pasi për lavdatë nuk kanë qenë asnjë palë zgjedhje nëse shohim nga ky kontekst.  Dëshmi për këtë janë edhe emisionet të cilat mbahen në kohën e fushatës. Këtu kemi garë debati mes burrave, shumë rrallë ndonjë grua, që të krijon një bindje që në parti “nuk ka ndonjë grua e cila do të i përfaqësonte interesat e tyre”.

D4D ka monitoruar me vëmendje periudhën para fushatës, gjatë fushatës dhe pas zgjedhjeve, rreth 120 emisione televizive mbi zgjedhjet, dhe nga 310 përfaqësues të partive politike i kemi vetëm 59 gra. Nga kjo del që në emisionet e monitoruara kanë qenë më pak se 20%. Ky numër jo vetëm që nuk është i kënaqshëm, por edhe tregon nivelin se sa të rëndësishme i shohin gratë në partitë politike. Me këtë edhe është shkelur Deklarata për rrijten e përfshirjes së grave në proceset zgjedhore e cila është nënshkruar mes 17 partive politike (me inicim nga D4D, në vitin 2015), e që prej pikave të deklaratës ka qenë edhe “angazhimi i grave në aktivitete të ndryshme përbrenda strukturave partiake, si zyrtare të fushatës, administratore të zgjedhjeve, agjente të partisë dhe vëzhguese”. Këto janë barrierat që duhet thyer, pasi me këtë vetëm po krijojnë bindje që nuk kemi mjaftueshëm gra të cilat janë të gatshme për procese të rëndësishme. Në të njejtën kohë po u krijojnë “frikë” vajzave të reja të fillojnë ta shohin vetën si pjesë e këtyre proceseve, gjë që ndikon edhe me mospjesëmarrjen e mjaftueshme të grave/vajzave në politikë.

Zgjedhjet lokale 2017

Duke iu afruar zgjedhjeve lokale edhe më shumë po shohim probleme me qasjen e partive politike ndaj grave. Duke u bazuar që nga 91 subjekte politike që kanidojnë për krytar/e të 38 komunave, i kemi vetëm 8 gra kandidate për kryetare komune, që në total kap rreth 5% gra e mbi 95% të kandidatëve për kryetar të komunave janë burra. Bazuar në listat për asambleist/e shumica e partive politike vetëm se e kanë përmbushur kuotën gjinore. Me një logjik të thjeshtë lë të nënkuptojmë që po të mos ishte edhe kjo kuotë gjinore do të kishim edhe më shumë burra në listat për asambleist. Partitë politike duhet të punojnë që në një të ardhme të afërt gratë të mos shihen vetëm si kuotë por tu jepet më shumë hapësirë si brenda partisë po ashtu edhe në proceset tjera të rëndësishme politike. Edhe pse nuk kemi gra të kandiduara, partitë politike do të duhej që këtë politikë të mos e vazhdojnë edhe me debate televizive duke dërguar vetëm burra në debate, por në vend të saj të krijoj hapësirë edhe për gra.