Memorandumi Reagues Nr. 5 – Reforma Zgjedhore

28.01.2014 D4D

Për: Kuvendin e Kosovës, Presidenten, Kryeministrin, Komisionin Qendror të Zgjedhjeve

Nga: Instituti Demokraci për Zhvillim (D4D)

VEPRIMI I REKOMANDUAR

Kuvendi i Kosovës duhet të eliminojë votën e garantuar për bartësit e listave në zgjedhjet lokale përderisa duhet të vazhdojë masën afirmative për gjininë më pak të përfaqësuar.

ÇËSHTJA

Përderisa kuota dhe vendet e ndara për pakicat kombëtare kanë justifikim në kushtetutë dhe në konventa të ndryshme ndërkombëtare, mekanizmi i bartësit të listës nuk ka justifikim dhe mund të sfidohet suksesshëm se shkel pikat 1 dhe 2 të nenit 45 të Kushtetutës së Kosovës, pra që mohon të drejtën për t’u zgjedhur dhe se vota është e barabartë. Kuota gjinore prej 30% është masë afirmative e justifikuar dhe e lejuar me nenin 24, paragrafi 3 të Kushtetutës së Kosovës si dhe me standardet dhe vendimet gjyqësore ndërkombëtare. Në disa raste ku masat afirmative janë sfiduar pranë Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg, kjo e fundit i ka lënë gjykatave vendore autoritet të zgjeruar për të vendosur, për aq sa masat e tilla janë të parapara me ligj, kanë një synim legjitim dhe nuk janë disproporcionale në raport me dëmet eventuale që mund të shkaktojnë. Kuota gjinore prej 30% është një masë e paraparë me ligjet relevante për zgjedhjet në Kosovë; ajo ka një synim legjitim, respektivisht synon të përmirësojë apo kompensojë një padrejtësi historike ku femrat përgjatë historisë kanë qenë të diskriminuara, të pabarabarta dhe të përjashtuara nga proceset e vendimmarrjes publike. Qartësisht, kuota prej 30% nuk është disproporcionale, madje nuk është as sa pragu natyror i popullatës të gjinisë femërore e që është 50% e popullatës. Prandaj, nuk ka bazë ligjore që të sfidohet kuota gjinore dhe as nuk është i domosdoshëm hapja e kushtetutës për revidim apo qartësim siç është pohuar disa herë. Me reformën zgjedhore të vitit 2008, përmes Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme dhe atij për Zgjedhjet Lokale, Kuvendi i Kosovës obligoi qytetarët që duke votuar për partinë e preferuar, autonomatikisht t’i japin edhe votën bartësit të listës. Ligji për Zgjedhjet Lokale në Republikën e Kosovës, në nenin 7, ndër të tjera, thotë se vota për subjektin politik “…konsiderohet si votë për kandidatin e parë në listën e kandidatëve të subjektit politik….” Një dispozitë të ngjashme e kishim edhe në Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme në Republikën e Kosovës të vitit 2008, mirëpo ajo është eliminuar me rastin e amandamentimit në vitin 2010. Si rezultat i kësaj lidhjeje ligjore të votës për partinë me votën për bartësin e listës janë krijuar një numër problemesh që në kombinim me masat afirmative të tjera cenojnë të drejtën për zgjedhje të lirë të qytetarëve të Kosovës. Një obligim i tillë krijoi një masë afirmative për bartësit e listave ngjashëm me atë të kuotës gjinore dhe vendet e rezervuara për komunitetet pakicë. Përderisa kuota gjinore dhe vendet për pakicat kanë një synim legjitim dhe justifikohen,vota automatike për bartësin e listës qartazi bie ndesh me parimin kryesor të demokracisë, atë të zgjedhjes së lirë, të barabartë dhe të pakushtëzuar të përfaqësuesve politikë, nga qytetarët e Kosovës. Zgjedhjet e fundit lokale kanë vënë në pah këtë problem qartazi. Kandidati i AKR-së për Asamble Komunale të Gjilanit, z. Tefik Ibrahimi ka parashtruar ankesë tek Gjykata Kushtetuese duke sfiduar votën automatike për bartësin e listës si mekanizëm anti-kushtetues. Ibrahimi pretendon se për shkak se partia e tij ka marrë dy mandate, ato i kanë takuar padrejtësisht bartësit të listës dhe kandidates femër si rezultat i kuotës gjinore. Në këtë mënyrë, Ibrahimi nuk ka arritur të zgjedhet përkundër se hiq bartësin i cili nuk ka vota personale, Ibrahimi del personi më i votuar i subjektit. Garantimi i vendit për bartësin e subjektit, së bashku me përdorimin e kuotës mund të ‘zaptojnë’ mbi 50% të këshilltarëve komunal të cilët shkojnë me automatizëm (bartësit së bashku me gjininë më pak të përfaqësuar të cilat janë zgjedhur vetëm duke ju falënderuar kuotës). Kjo do të thotë që të gjithë garuesit efektivisht garojnë për më pak se gjysmën e vendeve. Pesha e zaptimit të votës së bartësit është e lartë për pushtetin lokal sepse mund të ‘rehatojë’ 5-10 këshilltarë komunalë, që si përqindje e kuvendeve komunale mund të jetë jo pak (madhësitë e kuvendeve komunale janë nga 15 deri në 51).

OPSIONET

Institucionet relevante politike dhe shtetërore duhet të shfrytëzojnë momentumin politik për të riparuar këtë defekt ligjor që shkel vullnetin e lirë dhe demokratik dhe cenon të drejtat kushtetuese për zgjedhje të lira dhe të barabarta. Reforma zgjedhore duhet të eliminojë votën automatike për bartësin e listës i cili duhet t’i nënshtrohet garës zgjedhore njëlloj si gjithë të tjerët në zgjedhjet lokale. Qytetarët duhet të jenë të lirë të votojnë për partinë dhe për kandidatin e zgjedhjes së tyre dhe jo të obligohen që votën për partinë t’a përkthejnë edhe në votë të garantuar për bartësin e listës. Përkundër, kjo dispozitë do të sfidohet dhe Gjykata Kushtetuese do të duhet të vendos nëse kjo paraqet shkelje të kushtetutës siç pohojmë ne apo jo. Nëse gjykata nuk e merr në shqyrtim rastin e z. Ibrahimi si të paqartë, atëherë raste tjera të përgatitura më mirë do të sfidojnë këtë suksesshëm. D4D është duke shqyrtuar mundësinë që të kërkojë Gjykatës Kushtetuese që t’i lejojë D4D-së të parashtrojë një amicus curiae (parashtresë miqësore për gjykatën) në rastin e z. Ibrahimi që t’i asistojë gjykatës në kuptimin më të qartë të kundërshtimit të z. Ibrahimi kundër bartësit të listës si formë kundërkushtetuese dhe jo-demokratike e fitimit të mandatit zgjedhor.

ZBATIMI

Menjëherë

Të fillojë një diskutim i mirë informuar dhe pa paragjykime në mes të partive politike dhe institucioneve relevante për eliminimin e obligimit ligjor për të votuar edhe bartësin e listës si pjesë të votës për partinë ngase një lidhje e tillë është kundërkushtetuese dhe jodemokratike. Kjo dispozitë duhet të përfshihet në mesin e amendamenteve për Ligjin për Zgjedhje Lokale në Kosovë.