Memorandumi Reagues Nr. 4 – Universiteti i Prishtinës

24.01.2014 D4D

Për: Kuvendin e Kosovës, Zyrën e Kryeministrit, ministrinë e Arsimit, Shkencës Dhe Teknologjisë, Prokurorinë e Kosovës, Universitetin e Prishtinës

Nga: Instituti Demokraci për Zhvillim (D4D)*

VEPRIMI I REKOMANDUAR

1. Kuvendi i Kosovë të zhvillojë një debat të hapur, i cili do të shpie deri tek ndryshimet e nevojshme në Statutin e Universitetit të Prishtinës (UP). Të pengohen me ligj emërimet në krye të UP-së të personave që kanë qenë pjesë e Qeverisë apo Kuvendit në 12 muajt e fundit (ngjashëm sikurse për bankat komerciale) dhe të krijohet konsensus parlamentar për të larguar politikën nga UP edhe në të ardhmen. Gjithashtu duhet adresuar ndryshuar praktikat e punësimit dhe avancimit profesional brenda UP-së si dhe për të përmirësuar llogaridhënien ndaj interesit publik.

2. Organet e drejtësisë të hetojnë deri në fund akuzat dhe dyshimet e shumta për thyerje të ligjit në UP, pa i amnistuar profesorët, menaxhmentin dhe administratën. Deri tash janë arrestuar vetëm dy asistentë, ndërkohë që janë konstatuar shkelje flagrante ligjore (regjistrim të parregullt me apo pa të holla dhe në kundërshtim me konkursin, shitje dhe falsifikim notash apo dokumentesh të tjera, etj.), për të cilat vepra, pa paragjykuar hetimet, duket se nuk ka pasur llogaridhënie adekuate.

3. Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT) të konsiderojë freskimin e Këshillit Drejtues të UP-së, duke emëruar persona kompetentë dhe me integritet, dhe duke e shqyrtuar mundësinë e emërimit të një ose dy profesorëve ndërkombëtarë në Këshillin Drejtues të UP-së. Këshilli i ri Drejtues i UP-së të përgatisë strategjinë për një menaxhment që do ta kthejë UP-në në binarë për të ofruar studime cilësore, për të pajisur studentët me njohuri, shkathtësi e përvoja të dobishme për punësim në funksion të përparimit shoqëror. Njëkohësisht UP-ja duhet të rritë transparencën, të trajtojë të gjitha ankesat për shkelje me seriozitet dhe t’i japë fund klimës së mosndëshkueshmërisë për të gjithë shkelësit e normave akademike, etike e ligjore.

ÇËSHTJA

UP ka shërbyer si vegël e promovimit dhe shpërndarjes së përfitimeve drejt përfituesve të sistemit klientelist dhe kjo duhet të përfundojë. Në dhjetor 2013, mediat raportuan për arrestimin e 11 personave, ndër të cilët ishin edhe 2 asistentë të UP-së, për pjesëmarrje në një grup kriminal që përfitonte të holla duke regjistruar studentë në UP, duke shitur nota dhe vepra tjera të kundërligjshme. Në tetor 2013, mediat raportuan për probleme të tjera në UP, që e implikonin Rektorin e UP-së, z. Ibrahim Gashi, për avancim të paligjshëm në pozitën e profesorit të rregullt, duke u bazuar në botime skandaloze në një revistë me kredenciale të dyshimta. Qysh në 2013, Freedom House kishte raportuar se rektori aktual i UP-së kishte ardhur në këtë pozitë si pjesë e marrëveshjes ndërmjet PDK-së dhe AKR-së për ndarje të pushtetit duke rikujtuar postin e tij të deri-atëhershëm si zëvendës Ministër i Punëve të Jashtme (nga radhët e AKR-së). Mediat kanë raportuar edhe për manipulime të tjera, si p.sh. falsifikim të dhjetëra notave nga një studente që u kandidua dhe u zgjodh anëtare e Kuvendit Komunal në Prishtinë nga radhët e PDK-së, nënshkrim të vendimeve për pranimin e studentëve në bazë të provimeve të manipuluara, si dhe për pranim të qindra studentëve jashtë konkursit të shpallur, madje disa muaj pasi kishte filluar zyrtarisht viti akademik. Shembujt të shumtë që janë dokumentuar për vite me radhë, dëshmojnë qartazi ekzistimin e problemeve të mëdha në UP, të cilat lidhen me faktorë politik dhe si të tillë dëmtojnë rëndë misionin dhe reputacionin e UP-së. Arsimi i lartë i dobët ka brengosur edhe BE-në e cila kërkon nga Kosova përpjekje më të mëdha që të ngrisë cilësinë e programeve të rregullta dhe pas-diplomike, dhe për të siguruar se programet arsimore janë më të përshtatshme ndaj nevojave të tregut të punës. Problemet e UP-së janë theksuar në numër të konsiderueshëm raportesh. Ato lidhen kryesisht me politizimin, mbikëqyrjen dhe menaxhimin, rregullimin dhe funksionimin e brendshëm, zbatimin e ligjeve dhe statutit, transparencën, infrastrukturën fizike, lidhjen e programeve me ekonominë, investimet në aktivitete hulumtuese shkencore, përdorimin e teknologjisë informative dhe mobilitetin (dalës por edhe hyrës). Duke qenë universiteti më i vjetër dhe dukshëm më i madhi, e deri pak vitesh i vetmi universitet publik në Kosovë, rëndësia e UP-së është jashtëzakonisht e madhe për kulturën, shoqërinë dhe ekonominë e vendit. Për këtë arsye, ka nevojë që situata e krijuar të analizohet jo vetëm brenda UP-së, por edhe prej institucioneve shtetërore dhe shoqërisë civile. Nuk ka dilemë se duhet të merren masa të shpejta dhe konkrete për kthimin e kompetencës dhe epitetit që UP i’a ka borxh taksapaguesve kosovarë. Fshehja e brengave nuk e ndihmon integritetin e universitetit, përkundrazi vetëm e vonon kthelljen e tij. Vonesat në trajtimin e tyre vetëm sa sakrifikojnë gjenerata të cilat ky universitet do të duhej të përgatisë që të jenë produktiv për 40 vite me radhë.

OPSIONET

Situatat më të rënda janë traumatike por gjithashtu paraqesin rast ideal për ndryshime rrënjësore. Kjo periudhë duhet të shfrytëzohet për të marrë masa të shpejta për t’i ndihmuar personelit akademik e administrativ dhe studentëve, që ata kryejnë punën e tyre të lirë dhe me përkushtim, por edhe me llogaridhënie, në dobi të shoqërisë dhe interesit publik. Organet e drejtësisë duhet ta vazhdojnë hetimin dhe të mos dorëzohen para presioneve eventuale politike që t’i kursejnë personat e favorizuar nga politika. MASHT-i nuk guxon ta shikojë situatën si aktor pasiv, por duhet të kërkojë llogari nga Këshilli Drejtues. Kuvendi duhet të miratojë ndryshimet në Statutin e UP-së që e rrisin transparencën dhe e ndëshkojnë ndikimin politik. Nëse nuk merren masa serioze, situata aktuale mund të përkeqësohet dhe të humbet një mundësi për t’i ndihmuar UP-së dhe me këtë edhe vendit. Nevojiten veprime konkrete për ta larguar krimin nga UP-ja dhe për ta zmbrapsur ndikimin ditor politik në funksionim e të gjitha institucioneve publike të arsimit të lartë. E ardhmja e vendit varet nga arsimi cilësor i rinisë dhe koston e arsimit të tyre jocilësor do ta bartim të gjithë dhe gjenerata të tëra nuk do të jenë mjaft produktive me kosto të lartë për mirëqenien e vendit.

ZBATIMI

Menjëherë

Diskutim imirë-informuar në një seancë të veçantë të Kuvendit dhe inicimi i ndryshimit të Statutit të UP-së, për t’i garantuar UP-së mburojë nga ndërhyrjet ditore politike dhe organizim të brendshëm efektiv dhe llogaridhënës. Mbështetje e parezervë dhe mospengim i organeve të drejtësisë që ta vazhdojnë hetimin e të gjithë personave të implikuar në keqpërdorime në UP. Rikomponim i Këshillit Drejtues të UP-së duke emëruar 1-2 profesorë të jashtëm dhe strategji për daljen nga rrethi vicioz i skandaleve, që do të zbatohej nga menaxhmenti i ri i UP-së.

6 muaj

Monitorimi i afërt nga MASHT dhe Kuvendi i Kosovës i zbatimit të strategjisë së Këshillit Drejtues dhe menaxhmentit të ri në UP, që ndër të tjera, përmban standarde për të rritur transparencën e punës dhe llogaridhënien në UP.

*Ky reagim është realizuar me përkrahjen nga projekti Promovimi i Shoqërisë Demokratike (DSP) – i financuar nga Zyra Zvicerane për Bashkëpunim në Kosovë (SCO‐K) dhe menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF)”. Përmbajtja e këtij reagimi është përgjegjësi e D4D-së dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i SCO‐K‐së apo KCSF‐së.