• Shqip

Forumi “Reforma” i shoqërisë civile për reformë të mirëfilltë zgjedhore

10.02.2014 D4D

Për më shumë se dy vite, Forumi “Reforma” ka punuar në përgatitjen e propozimeve lidhur me reformën e sistemit zgjedhor. Disa nga rekomandimet tona më të hershme janë pranuar më herët nga Komisioni për Reformë Zgjedhore dhe janë përfshirë në draft ligj. Tani që reforma zgjedhore është sërish në proces, edhe pse të ngutshëm, paraqitet mundësia për të avokuar edhe për një sërë propozimesh që nuk janë pranuar më herët. Forumi “Reforma” shfrytëzon rastin që rekomandimet e mëposhtme t’ia dorëzojë Komisionit për Legjislacion duke shpresuar se këto rekomandime do të merren parasysh gjatë punës në vijim. Shoqëria civile vazhdimisht është angazhuar për të ruajtur listat e hapura sepse i japin votuesit fuqi vendimmarrëse dhe mundësi që të votojë për përfaqësuesit e tyre të preferuar. Mbyllja e listave zgjedhore do e zhvishte qytetarin nga fuqia vendimmarrëse, duke e zhvendos atë në duar të liderit të subjektit politike dhe paraqet hap prapa. Forumi Reforma mendon se reforma zgjedhore duhet të jetë sa më substanciale që është e mundur, edhe pse afati kohor vështirëson disa nga përparimet thelbësore që kërkojnë kohë. Listën më poshtë ja dërgojmë Komisionit për Legjislacion në emër të Forumit “Reforma”:

 

SISTEMI ZGJEDHOR

  • Të hiqet vota preferenciale, të thjeshtohet mënyra e votimit dhe disenji i fletëvotimit (me ligj të minimizohet diskrecioni i KQZ-së) Mundësia për të abuzuar ulet ndjeshëm me heqjen e votës preferenciale ku votuesi shënon vetëm një person. Duhet thjeshtësuar mënyra e votimit sipas modelit një votë për një kandidat (një shënim i vetëm për kandidatin që nënkupton edhe votën për subjektin). Fletëvotimet duhet të kenë emrat e kandidatëve dhe jo vetëm numra.
  • Pragu zgjedhor të ulet në 3% që nuk vlen për kandidatë të pavarur (me ligj) Ulja e pragut zgjedhor jep më shumë mundësi për partitë e reja, prandaj pragu zgjedhor të ulet në 3% në nivel vendi dhe mos të vlejë për kandidatë të pavarur dhe subjektet politike që nuk përfaqësojnë komunitetin shumicë. Kërkesa nga një kandidat i pavarur që të fitojë 2.5% të votave për të fituar një mandat është shkelje siç argumentohet në një shkresë të veçantë të përgatitur nga shoqëria civile dhe Avokati i Popullit. Gjithashtu, rritja e pragut për koalicione zbulon frikën nga subjekte të reja në Kuvend. Forumi “Reforma” beson se gjithashtu nuk duhet të jemi pa prag për shkak se krijon jostabilitet në qeverisje. Prandaj, kemi konkluduar se mesi i artë është një prag prej 3% si për parti ashtu edhe për koalicione.
  • Të organizohen shtatë zona zgjedhore në sistem proporcional (me ligj) Organizimi i zonave zgjedhore siguron përfaqësim më të mirë të tërë vendit, forcon lidhjen në mes të deputetit dhe elektoratit, dobëson hierarkinë brenda partive dhe nxit demokratizimin e tyre të brendshëm. Krijimi potencial i zonave është teknikisht i lehtë sepse do të bazohej në një nga organizimet ekzistuese, si p.sh. kodet telefonike. Një e treta e vendeve në Kuvend mbeten si kompenzuese për të siguruar përfaqësimin gjinor dhe strikt proporcional të subjekteve më të vogla. Ky model është elaboruar më tepër në një raport tjetër dhe mund të dorëzohet veçantë. ORGANET PËR MENAXHIMIN E ZGJEDHJEVE
  • KQZ e balancuar në mes të pozitës dhe opozitës (me kushtetutë për trajtim të mëvonshëm) Përbërja e KQZ duhet të jetë e barabartë mes pozitës dhe opozitës në mënyrë që të shmanget mbivotimi si dhe të rritet numri i anëtarëve për dy. Kryesuesi të vazhdojë të jetë një gjykatës nga Gjykata Supreme dhe KQZ të jetë arbitër i vërtetë neutral i administrimit zgjedhor. Ky ndryshim vlen vetëm në rast se eventualisht kushtetuta hapet për ndryshim.
  • Të ulen kompetencat ligjvënëse të KQZ-së (me ligj) Në pajtim me rekomandimet e BE-së, kompetencat ligjvënëse të KQZ-së duhet të hiqen dhe pjesa më e madhe e akteve nënligjore aktuale të përfshihen në ligj. KQZ duhet të lëshojë vetëm udhëzime të natyrës teknike. Për të adresuar këtë, Komisionit duhet të shqyrtojë secilën rregullore të KQZ-së, dhe të integrojë pjesën më të madhe të tyre (që nuk është e natyrës teknike) në ligj. Duhet pasur kujdes sepse ka gjëra që duken teknike, por nuk mund t’i lihet në diskrecion një organi zbatues (p.sh. numri i nënshkrimeve për subjekte të reja).
  • Sekretariati i KQZ jopolitik dhe profesional (me ligj) Të fuqizohet roli i Sekretariatit të KQZ-së dhe Kryeshefi duhet të gëzojë mbrojtje dhe përgjegjësi si zyrtarë të lartë të shërbimit civil. Zgjedhja e Kryeshefit nga anëtarët politikë të KQZ-së ushtron trysni në performancën e Kryeshefit si dhe në paanshmërinë gjatë marrjes së vendimeve. Fokusi primar në ngritje të kapaciteteve duhet të jetë tek Sekretariati i KQZ. LISTA E VOTUESVE (PËR MPB, KQZ DHE KOMUNAT)
  • Të pastrohet dhe të mirëmbahet saktë lista e votuesve si dhe të hiqet votimi me kusht (të parashihen mekanizma për zbatim) Lista e votuesve duhet të jetë e saktë dhe mosazhurimi i listës ka pasoja edhe me mosheqje të votimit me kusht si dhe për mosliberalizim të vizave. Përgjegjësia nuk duhet ndarë por të qëndrojë vetëm me Ministrinë e Punëve të Brendshme e cila duhet të zhvillojë një fushatë vetëdijesimi që qytetarët të azhurnojnë adresat, përderisa nga komunat duhet të kërkohet të jenë më efektiv në largimin e emrave të personave të vdekur. Adresat e sakta do të mundësojnë që secili të votojë në vendvotimin më të afërt dhe të zvogëlohen gjasat që një person do të kthehet prapa në ditën e votimit. Pastrimi i listave mundëson heqjen e votës me kusht e cila është treguar shumë problematike në të kaluarën, si për shkelje, ashtu edhe për vonim të publikimit të rezultateve.
  • Listë e veçantë për diasporën (të parashihet me këtë ligj) Në ndryshimet e fundit në regjistrin civil, MPB duhet të kërkojë nga secili person që nxjerr një dokument që të deklarojë adresën primare, përfshirë nëse kjo nuk është në Kosovë. Rrjedhimisht, vendvotimi i rregullt për pjesën më të madhe të diasporës do të caktohej në konsullatat tona jashtë. Kjo do të rriste votimin e tyre si dhe do të shënonte një përafrim me vendlindjen.
  • Afati për konfirmim dhe sfidim të Listës së Votuesve të zgjatet (të parashihet me ligj) Duhet zgjatur periudha e verifikimit dhe sfidimit të listës së votuesve dhe lista të mbetet bëhet publike që nga data e shpalljes së zgjedhjeve (4-6 muaj para ditës së zgjedhjeve) deri në 3 javë para ditës së zgjedhjeve. QENDRAT E VOTIMIT 10. Komisionarët të shërbejnë në komuna tjera dhe jo aty prej nga vijnë (të përcaktohet me ligj) Anëtarët e KVV-së nuk duhet të jenë votues ne komunat të cilat caktohen për të punuar në ditën e zgjedhjeve (dhe anëtarët e KVV-së duhet të jenë të komunave të ndryshme nga njëri tjetri).
  • Doracak i detajuar i procedurës (ligji të obligojë KQZ-në) Doracakët për komisionarët duhet të përshkruajnë detajet më të vogla. Përveç doracakëve të trajnimit, duhet hartuar doracak shtesë për procedurat. Pas çdo zgjedhje, doracakët e trajnimeve duhet të përditësohen me raste të reja dhe zgjidhje të ofruara për këto zgjedhje.
  • Qëndrim strikt kundër turmave nëpër korridore dhe roli i drejtorëve të shkollave (ligji të obligojë KQZ-në) Duhet siguruar që nuk ka persona që sjellen vërdallë. Roli i drejtorit të shkollës ose të vihet në këtë funksion dhe të kërkohet përgjegjësi ose t’i hiqet kjo detyrë dhe të gjendet një zgjidhje tjetër, apolitike apo zëvendësim me një trup më të madh të balancuar. Gjithashtu, duhet zvogëluar numri i vëzhguesve të akredituar nga subjektet politike duke mos kaluar më tepër se një vëzhgues për vendvotim dhe maksimum 10% rezervë. Vëzhguesve duhet t’u kërkohet strikt që distinktivët t’i mbajnë ashtu që të shihen tërë kohën.
  • Kabinat të kthehen në anën e kundërt se si janë vendosur deri tani (të parashihet me ligj) Shpina e votuesit të mbetet e dukshme për vëzhguesit dhe komisionarët. Në këtë mënyrë edhe ruhet fshehtësia e votës dhe në të njëjtën kohë parandalohen format e ndryshme të manipulimit si i ashtuquajturi “treni bullgar” apo fotografimi i fletëvotimit.

 

NUMËRIMI DHE DREJTËSIA ZGJEDHORE

  • Rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve (të detajizohet me ligj) Raportimi përfundimtar i certifikuar i rezultateve të jetë uniform nga viti në vit dhe i zbërthyer për çdo vendvotim. Të gjitha rezultatet duhet të bëhen transparente, numri i votuesve, i votave të vlefshme, zbrazëta, të prishura, të refuzuara, të pranuara, të kthyera, rezultatet për subjekte dhe kandidatë për vendvotim dhe këto të ofrohen në softuer statistikor. Të bashkangjitura në aneks: Rekomandimet e detajuara për KQZ-në, sistemin zgjedhor, listën e votuesve. Këto rekomandime mbështeten nga: D4D, KIPRED, INPO, KMDLNJ, INDEP, DT, KHK, QPA, dhe NOMP.