• Shqip

Siguria nga mbyllja e informacionit

12.04.2016 Kreshnik Gashi

Në minutat e tij të parë si president, Hashim Thaqi u kujdes që faqja e Presidencës të mbushej me të dhëna për të kaluarën dhe të tashmen e presidentit të betuar.  Shpejtësia e rifreskimit të faqes së Presidencës ua mbylli gojën atyre që vazhdimisht arsyetohen se qeveria dhe institucionet e tjera nuk kanë mundësi teknike e njerëzore për të publikuar  të dhëna e dokumente publike. Përvoja me presidentin e ri na e dëshmoi edhe një herë se kur është vullneti, të dhënat azhurnohen në sekondat e parë.  Dhe normalisht kjo ndodh kur ekziston  vullneti për të kryer punë. Në vazhdimësi  qeveritarë e pushtetarë kanë folur për të drejtën e publikut për të pasur qasje në të dhëna e dokumente, por realiteti na dëshmon një mungesë të madhe të vullnetit për t’i publikuar të njëjtat.

Vet presidenti i tanishëm, Hashim Thaqi,  refuzoi për vite të tëra të bëjë publike dokumentet të cilat japin të dhëna për shpenzimet e  parasë publike, duke përfshirë kontratat dhe faturat e shpenzimeve të tij në udhëtimet  jashtë vendit.   Gazetarëve dhe shoqërisë civile në vazhdimësi u mohohet e drejta për të pasur qasje në kontrata e kjo veçanërisht në kontratën për ndërtimin e autostradës, e cila, deshëm apo jo, është shndërruar në një simbol të rezistencës qeveritare në dhënien llogari  publikut për shpenzimet me paratë publike.

Precedenti i BIRN

Në vitin 2012 ne të BIRN-it patëm kërkuar nga Qeveria e Kosovës publikimin e të dhënave për shpenzimet e  udhëtimet jashtë vendit të kryeministrit (të atëhershëm) Thaçi dhe zëvendësve të tij. Kryeministri dhe pesë zëvendësit e tij refuzuan t’i japin qasje BIRN-it me arsyetimin se në to mund të fshihen dietat e qeveritarëve. Në një proces të gjatë gjyqësor padia e BIRN-it u miratua nga gjykata dhe vendimi në fjalë krijoi edhe një precedent të rëndësishëm për të gjitha rastet  e tjera ku kërkohet qasje në shpenzimet e parasë publike. Konstatimet e dhëna nga gjykata në aktgjykim se shpenzimet me paratë publike nuk mund të hyjnë në domenin e ruajtjes së privatësisë dhe konstatimi se publikimi i të dhënave për mënyrën e shpenzimit të parasë publike duhet të jenë në funksion të llogaridhënies duhet të shfrytëzohen në të ardhmen. Është dëshpëruese që, edhe pas gjashtë muajsh sa ky aktgjykim është në fuqi, ai ende nuk është zbatuar. Qeveria e Kosovës vazhdon të mos e zbatojë aktgjykimin e plotfuqishëm të gjykatës, ndërsa, edhe pse para disa muajsh BIRN ka ushtruar kallëzim penal në prokurorinë e Prishtinës,  kjo e fundit ende nuk ka ndërmarrë ndonjë hap për t’i  sjellë para përgjegjësisë zyrtarët qeveritarë të cilët bllokojnë qasjen në dokumentet publike. Pas aktgjykimit të plotfuqishëm, tash është radha e prokurorisë që të dëshmojë veten dhe të krijojë precedentin e ri  me të cilin të gjithë ata që nuk zbatojnë vendimet e gjykatës do të dënohen.

Toleranca dhe mosveprimi

Edhe përkundër ankesave të vazhdueshme të shoqërisë civile, medieve, Avokatit të Popullit e organizatave të tjera vendore e ndërkombëtare organet shtetërore të vendit kanë bërë hapa të ngadalshëm në përmirësimin e qasjes së qytetarëve në të dhënat publike. Është Qeveria e Kosovës ajo që vazhdon të mos e zbatojë vendimin e gjykatës për të dhënë qasje në shpenzimet publike dhe padyshim se tolerimi që prokuroria i bën refuzimit  të Qeverisë për ta zbatuar këtë vendim e ka inkurajuar edhe kryeministrin e tanishëm Isa Mustafa që t’i mbyllë dosjet. Mustafa dhe zëvendësit e tij, me përjashtim të Kujtim Shalës i cili ofroi qasje në shpenzimet jashtë shtetit, refuzojnë të bëjnë publike shpenzimet me paratë e qytetarëve në udhëtimet e tyre jashtë vendit.   Dilemë në këtë situatë është fakti se kujt i konvenon mbyllja e shpenzimeve apo mbajtja në sirtarë e dokumenteve publike.

Thënë më qartë, a janë të interesuara institucionet e vendit që t’i tolerojnë edhe më tej zyrtarët të  mbyllin të dhënat publike? Si gazetar mendoj se shumë nga kolegët kanë të drejtë kur thonë se nuk kanë kohë për të pritur që dikush nga zyrtarët të vendosë nëse dokumentet janë ose jopublike. Nuk duhet shumë për të mësuar se si bëhen publike të dhënat dhe dokumentet dhe nuk duhet shumë teknologji për t’i bërë ato publike. Bile, në rastin e presidentit publikimi ishte çështje sekondash. Për ata, që kanë pasur mundësinë të provojnë përvojat e mira, mjafton të merren për bazë zyrat për qasje në dokumente publike në vendet e BE-së apo SHBA-ve.  Aty çdo dokument, nëse nuk është vlerësuar si sekret, është publik, ndërsa përgjigja nuk do edhe shumë kohë. Vlerësimi nëse dokumenti është publik, sekret apo përmban të dhëna personale  është edhe dilema më e madhe me të cilën përballen zyrtarët e shtetit të Kosovës  e të cilët paguhen për të ofruar qasje në dokumente dhe të dhëna publike. Dokumentet e hartuara deri më tani nuk janë klasifikuar si publike apo sekrete, ndërsa situata shfrytëzohet mjaft mirë për t’u arsyetuar për mosdhënien e dokumenteve. Normalisht mos transparenca u konvenon atyre që kanë për të fshehur skandale e korrupsion brenda dokumenteve shtetërore. Mungesa e qasjes në të dhënat e shpenzimeve për autostradat dhe tenderë të tjerë, që mbahen sekret, normalisht që ngrit dyshime se diçka fshihet brenda dosjeve. Tentativat për të fshehur informatat krijojnë pasiguri tek opinioni, ndërsa në vazhdimësi terri informativ mund të shfrytëzohet për informata të rreme.

Personalisht më shqetëson fakti se pjesë e institucioneve, të cilat kanë vendosur t’i mbyllin të dhënat, së fundmi janë edhe gjykatat. Me një vendim, i cili nuk ka asnjë kuptim, Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka vendosur t’i mbulojë emrat dhe mbiemrat e të dënuarve me aktgjykime të plotfuqishme të gjykatave. Për KGjK-në nuk është i rëndësishëm fakti se këto vendime shpallen në seanca publike të filmuara para kamerave. Vendimet e çuditshme të kësaj natyre na tregojnë se shumë zyrtarë, përfshirë edhe ata të drejtësisë, vazhdojnë të mos e kenë të qartë se vendi ynë është një vend demokratik dhe interesi  i publikut për informacione është para çdo të drejte tjetër. Qasja e këtillë dhe veprimi në këtë formë duhen ndryshuar. Institucionet e Kosovës i kanë dy rrugë: ta ‘liberalizojnë’ mënyrën e dhënies së një dokumenti zyrtar ose emërtimin e vendit të punës zyrtar për qasje në dokumente zyrtare ta riemërtojnë në zyrtar për refuzim të kërkesave për qasje në dokumente zyrtare.