• Shqip

Shoqëria Civile, ndikim pozitiv në shoqëri

25.10.2016 Shkelqim Hysenaj

Cili është imazhi i shoqërisë civile? Çka mendon opinioni publik, por edhe aktorët tjerë për sektorin? Kush e krijon imazhin për sektorin dhe cilat mesazhe përcillen te opinioni publik nga aktorë të ndryshëm rreth këtij sektori? A vlerësohet realisht puna e shoqërisë civile në Kosovë? Këto janë pyetjet që u diskutuan në sallonin e së martës organizuar nga D4D i cili u mbajt javën e kaluar. Për të diskutuar për imazhin e sektorit, është e rëndësishme të theksohet që përveç organizatave jo-qeveritare, pjesë e rëndësishme e shoqërisë civile janë edhe grupet e qytetarëve të organizuar dhe nismat tjera që jo patjetër regjistrohen ose formalizohen. Madje edhe në nivel individual, ata që krijojnë opinion për çështje të interesit publik hyjnë në kuadër të shoqërisë civile. Përderisa në Kosovë nismat qytetare ende nuk po arrijnë që të marrin rol domethënës në zhvillimet shoqërore, shembulli i protestave qytetare në Maqedoni (i njohur si “revolucioni laraman”) e tregon që rëndësinë e angazhimit qytetar pa pasur nevojë të formalizohet në organizata të regjistruara.

Imazhi në vetvete është kategori subjektive dhe perceptimi ndryshon varësisht se kush e jep një vlerësim të tillë. Megjithatë, disa të dhëna ekzistuese hedhin dritë mbi atë se si shihet shoqëria civile nga qytetarët dhe aktorët tjerë jashtë sektorit. Anketat me popullësinë e Kosovës për shumë vite me rradhë e nxjerrin shoqërinë civile si një nga sektorët më të besueshëm (me rreth 60% të qytetarëve që i besojnë sektorit), me vetëm institucionet e sigurisë (Policia, FSK) të renditura më lart, ndërsa me Qeverinë, Kuvendit e partitë politike në fund të listës (15-20%, me trend të rënies). Edhe pse fushat ku sektori është më aktiv përfshijnë transparencën, llogaridhënien dhe sundimin e ligjit, ndikimi i shoqërisë civile në këto fusha mbetet i kufizuar. Kjo për faktin që ndryshimi në këto fusha është përgjegjësi e institucioneve kompetente, ndërsa shoqëria civile e ka të kufizuar hapësirën e veprimit dhe ndikimit të vet. Në anën tjetër, vlerësohet që ndikimi më pozitiv i shoqërisë civile është në demokratizimin e shoqërisë në përgjithësi, përfshirë edhe institucionet publike. E fundit por mjaft interesante, të tjerët jashtë sektorit kanë mendim më pozitiv sesa vet sektori rreth ndikimit të shoqërisë civile në këto dy fusha.

Shoqëria civile në Kosovë vjen nga të qenit bartëse e angazhimit gjithëshoqëror si reagim ndaj regjimit të viteve të 90-ta në një periudhë të përkrahjes së madhe nga donatorët e huaj pas vitit 1999. Kjo ka ndikuar në disa nivele. Ndikimi pozitiv i përkrahjes së donatorëve vërehet me zhvillimin e shumë organizatave të shoqërisë civile në nivele të larta profesionale, specializimin e tyre dhe ndikimin pozitiv në procese të rëndësishme në vend. Në anën tjetër, pasojat anësore përfshijnë një varësi nga donatorët e huaj për fonde dhe jo vetëm, dominim të hapësirës mediale nga organizatat e mëdha dhe lënie anash të shumë punëve të mira që bëhen në zona jashtë kryeqendrës. Kjo krijon përshtypjen që vetëm nëse përkrahesh nga donatorët e huaj mund të arrish ndonjë ndryshim.

Kanalet e komunikimit me publikun vlerësohen si shumë të rëndësishme për krijimin e një imazhi të drejtë për punën e sektorit. Përderisa aktivizmi qytetar është në nivel shumë të ulët, vet organizatat e shoqërisë civile nuk kanë ndonjë nivel të lartë të komunikimit të drejtpërdrejtë me qytetarë. Disa mendojnë që pikërisht OJQ-të janë ato që kanë ngulfatur aktivizmin qytetar, duke u shndërruar në një treg për punësim të cilët më shumë kujdesen që të mbajnë raporte me donatorin/punëdhënësin sesa me qytetarët. Në anën tjetër, mediat mbesin mënyra kryesore e informimit të qytetarëve rreth sektorit. Duke qenë të interesuara për lajme të “profilit të lartë”, lënë jashtë vëmendjes së tyre shumë nisma e arritje të shoqërisë civile në fshatra e qytete gjithandej vendit. Mediat i japin mjaft hapësirë edhe politikanëve të cilët rregullisht ngrisin dyshime mbi financimin e sektorit, “agjendat e fshehura” dhe të tjera, e të cilat më shumë vlerësohen si tentim për të dëmtuar kredibilitetin e sektorit sesa të bazuara në raste e fakte konkrete.

Pritjet nga sektori civil janë vendimtare për atë se si shihet ky sektor nga të tjerët, përfshirë nga publiku i gjerë. Një pjesë e politikës kosovare ka investuar gjatë që t’ia pamundësojë shoqërisë civile marrjen e qëndrimeve politike, ndërsa pjesë të tjera të spektrit politik e kërkojnë të kundërtën – pozicionimin e sektorit edhe në çështjet e pastra politike. Nga ky prizëm, hezitimi i sektorit që të deklarohet dhe përfshihet në zhvillimet ditore politike mund të shihet si një ngurrim e frikë e tyre që të sfidojnë pushtetin e politikën. Në anën tjetër, vet organizatat e shoqërisë civile janë themeluar për të punuar në një fushë të caktuar, dhe çfarëdo dalje e organizatës jashtë asaj fushe mund të konsiderohet me të drejtë si keqpërdorim i emrit, kredibilitetit dhe investimeve që janë bërë në atë organizatë. Fundi i fundit, përderisa në nivel personal edhe aktivistët e shoqërisë civile mund të angazhohen në çështje nga më të ndryshmet (përfshirë ato politike), organizatat duhet të jenë të kujdesshme që të mos dalin nga misioni për të cilin janë themeluar.

Në fund, nuk duhet të harrohet që shoqëria civile e një vendi është rezultat i zhvillimit të përgjithshëm shoqëror dhe nuk mund të konsiderohet e ndarë nga shoqëria që e prodhon. Me probleme shumë të mëdha në edukim, me një skenë politike problematike dhe qeverisje të cilës jo patjetër i konvenon angazhimi qytetar dhe të ballafaquar me një të kaluar të gjatë patriarkale, të komunizmit dhe izolimit, shoqëria civile megjithatë ka ndikuar që Kosova të jetë një vend më i mirë.