• Shqip

Papunësi apo pa/strategji?

19.04.2016 Shkelqim Hysenaj

Kokat e kosovarëve përgjatë viteve u mbushën me shifra prej 200 apo 300 mijë vende pune, premtime këto të eksponentëve politik të bëra kryesisht në prag të fushatave zgjedhore. Sikur këto shifra të jetësoheshin kosovarët nuk do të kishin problemin kryesor papunësinë. Premtimet erdhën nga njerëzit që aktualisht janë të thirrur që të krijojnë Politika Zhvillimore Ekonomike që do të ishin të prekshme. Por, shifrat mbetën në diskursin e fushatave elektorale. Pas dy viteve qeverisje, Qeveria deklaroi që përmes politikave të veta ka punësuar rreth shtatëmijë persona, por pa treguar se në cilët sektorë u punësuan ata.  Rritja e shkallës së papunësisë nga 30 në 35% dhe numri i madh i emigrantëve nga Kosova tregojnë se politikat e punësimit të Qeverisë së Kosovës nuk janë treguar efektive. Në vitin 2015, qytetarët e Kosovës kryesonin listën e azilkërkuesve në Evropë, më 74,755 aplikime, të ndjekur nga qytetarët e Sirisë dhe të Afganistanit. Përderisa të fundit kanë lëshuar vendin për shkaqe të sigurisë, kosovarët po emigrojnë kryesisht për shkak të gjendjes jo të mirë ekonomike.  Në tregun e punës çdo vit futën mijëra të rij, por fatkeqësisht, vende te punës për ta nuk ka. Raporte të ndryshme të organizatave vendore e ndërkombëtare flasin për klimë jo të mirë të të bërit biznes. E, si pasojë e kësaj në diskursin e përditshëm prej jetësimit të Republikës, në çdo diskutim fjala papunësi është kyçe.

Madje, edhe buxheti i shtetit  nuk garanton pasi që ai është i orientuar në programet sociale dhe jo zhvillimore. Kjo duke pasur parasysh që janë rritur pensionet dhe asistenca sociale.  Politika flet me shifra të larta të investimeve, por në terren nuk shihet gjë. Politika e kontestuar e privatizimit, mbase i dha goditjen më të madhe zhvillimit ekonomik të vendit. Tani kur flitet për mundësinë e krijimit të vendeve të reja të punës duke iu referuar analizave të ekspertëve të fushës së ekonomisë, kostoja e krijimit të një vendi të punës si në sektorin publik ashtu edhe në atë privat del të jetë e lartë. Për të krijuar një vend pune qeverisë i nevojiten përafërsisht 8 mijë euro. Por kjo shifër dallon varësisht nga sektori në të cilin bëhet investimi. Në bujqësi krijimi i një vendi të ri të punës llogaritet të kushtojë hiq më pak se 14 mijë euro. Ndërsa në sektorin e “ICT” kostoja është shumëfish më e lartë duke arritur shifrat prej 50 mijë eurosh. Madje në sektorin ndërtimin kostoja e një vendi pune mund të arrijë 60 mijë euroshin.  Nëse bëhet një analizë e asaj se në çka janë të fokusuar ndërmarrësit kosovar del se shumë prej tyre janë të kufizuar në ide dhe se ndjekin shembullin e një biznesi tjetër të suksesshëm. Por shpesh kjo tendencë e imitimit rezulton me efekt negativ pasi ndërmarrësit vërehet se fokusohen vetëm në plotësimin e nevojave të momentit-afatshkurtra dhe zakonisht synimet dhe investimet janë vetëm për tregun e brendshëm.  Kjo ndodh edhe për shkak të mungesës së kulturës së këshillimit me profesionistë. Në shumicën e rasteve mungojnë edhe analizat e tregut. Shumë vende me ekonomi të zhvilluara kanë politika të rëndësishme të trajnimit të punëtorëve sidomos në fusha specifike. Kjo për vendin tonë paraqet problem pasi trajnimet kanë një kosto shumë të lartë dhe në mënyre direkte ndikojnë në rritjen e çmimit në krijimin e një vendi të punës.Kosova nuk ka një strategji të mirëfilltë të ngritjes së kapaciteteve përmes stimulimit të trajnimeve. Një prej mundësive më të përfolura është investimi në sektorin e bujqësisë. Edhe investimet në këtë sektor kanë një kosto të lartë. Llogaritet që kostoja për krijimin e një vendi të punës në sektorin  e bujqësisë të jetë diku rreth 14 mijë euro, ndërkohë që paga mesatare llogaritet 3 mijë euro në vit. Tek ky sektor evidentohen disa avantazhe pasi ka mundësi më të madhe të operimit,pasi nuk ka nevojë p.sh si investim të behët blerja e tokës.

Megjithatë personat që merren në bujqësi në Kosova zakonisht nuk kanë ide biznesore. Ata shpesh herë fokusohen në kultivimin e kulturave që krijojnë më pak vende pune dhe se fitimi rezulton të jetë më i vogël e më këtë zvogëlohet edhe mundësia e rritjes së biznesit. Qeveria aktuale me të marrë pushtetin ishte zotuar se shumicën e vendeve të punës do t’i rris pikërisht në këtë sektorë. Me këtë rast nga viti në vit janë rritur grantet dhe subvencionet (përjashtuar viti 2016) duke u pretenduar në zhvillimin e bujqësisë. Megjithëkëtë, as këta indikatorë nuk kanë dhënë rezultate të prekshme. Kjo pasi që edhe në këtë rast Qeveria nuk e ka para vetës një Strategji aftë shkurtre ose afat mesme. Për më keq, investimet në bujqësi janë rritur nga viti në vitit, ndërsa nuk ka asnjë Planë hapësinor që i trajton tokaverurale -prodhuese. Në mungesë të planit, ndërtimet në tokat më të pëlleshme ndodhin duke nisur nga ato më të egrat.

Qytetarët janë të lodhur nga shifrat, po ikë “fuqia punëtore”

Numri i lartë i papunësisë te popullata rinore ka pasur efekt dekurajues. Në publikimin e Institutit “RIINVEST”, “Klima e biznesit në Kosovë 2014” thuhej se kjo kategori është dekurajuar dhe synim e ka largimin dhe gjetjen e një pune jashtë Kosovës. Shkalla e lartë e papunësisë në këtë mënyrë ka dërguar në rritjen e shkallës së varfërisë. Në këtë publikim të Institutit “RIINVEST” thuhej se në Kosovë rreth 34.5% e popullsisë jeton në varfëri dhe rrethe 12.1% jeton në varfëri të skajshme me më pak se 1 euro në ditë. Me tej konstatohej se arsyeja kryesore që kishte prodhuar këto shifra ishte e lidhur me zhvillimin e dobët të sektorit privat dhe investimeve të ulëta kapitale. Kjo analizë e bërë në vitin 2014 rezultoi të kishte qenë e suksesshme, pasi në fund të vitit 2014 dhe gjatë vitit 2015, kryesisht të rinjtë dominuan fluksin e migrimit ilegal drejt vendeve perëndimore. Vetëm në shtetin e Gjermanisë, sipas shifrave të Zyrës Federale për Migracion rreth 54 mijë kosovar kanë kërkuar azil vetëm për këtë periudhë kohore. Shumica prej azilkërkuesve janë të rinj dhe të reja që nga dëshpërimi dhe pamundësia e krijimit të mirëqenies në vendin e tyre kanë ikur drejt Gjermanisë.

Në fund, qeveria duhet që urgjentisht të bëhet e sinqertë me qytetarët dhe t’iu tregojë atyre se zhvillimi ekonomik nuk bëhet brenda ditës.  Kryeministri, ministrat dhe të gjithë aktorët e tjerë duhet që të flasin me shifra reale dhe t’ua bëjnë me dije qytetarëve se zhvillimi mund të ndodh,porse duhet angazhim i përbashkët. Derisa logjika e shifrave do të dominojnë politikëbërjen varfëria do të shtohet dhe dëmet politike do të vërehen vetëm atëherë kur Kosova do të marrë Liberalizimin e Vizave dhe të gjithë do t’i thonë TUNG Kosovës. Kosovës nuk i kanë munguar asnjëherë strategjitë rreth zhvillimit ekonomik. Por, që asnjëra prej tyre nuk ka dhënë rezultate të prekshme. Prandaj, qeveria duhet që urgjentisht të futë në funksion strategjitë, e jo dokumentet të mbesin në sirtarët e Qeverisë, ku përmes kësaj do të krijojë politika të punësimit, ku do të shiheshin saktë rezultatet e indikatorëve ekonomikë që do të mund të ndodheshin në një periudhë aftëshkurte apo aftë mesme. Përderisa nuk behtë një veprim i tillë, papunësia në vend përditë e më shumë do të thellohet.