Në këtë opinion argumentoj se sjelljet tona të përditshme e kanë degraduar mjedisin në atë masë sa që mirëqenia jonë dhe e gjeneratave të ardhshme vazhdon të cenohet. Pyetja shtrohet se a mundemi ne ta ndalim këtë ritëm dhe si?
Menaxhimi i mbeturinave:
Jemi katandisur në këtë masë me mbeturina të hedhura e të shpërndara edhe më tepër se shtrirja e operatorëve mobil. Nuk kërkon ekspertisë për të konkluduar se gjithandej nëpër Kosovë ka mbeturina të hedhura, sepse kjo pasqyrohet në çdo cep të vendit dhe na jep një imazh të shëmtuar.
Konsumi ka ndryshuar drastikisht, pothuajse çdo produkt i blerë është i paketuar, përfshirë edhe pemët e perimet dhe të cilat futen në qese të plastikës. Këto paketime më pas duhet të hudhen e sistemohen si mbeturina.
Në vendin ka telashe të shumta (hapësirat e gjelbërta edhe ashtu të mangëta nuk mirëmbahen, automobilat parkohen në trotuare, ndriçimi publik nuk funksionon, rrugët janë keq të mirëmbajtura, ndërtimet bëhen pa asnjë plan urbanistik, ligji nuk zbatohet. Parregullsitë e shumta krijojnë përshtypje që një mbeturinë e hedhur nuk do të bënte më tepër dëm.
Unë besoj që mundemi ta ndryshojmë këtë gjendje. Më kujtohet koha kur merrnim shportën në shtëpi për të blerë gjëra në shitore, qeset e plastikës kanë qenë një komoditet i rrallë dhe tani një ndotje e tepërt. Për shishet të qelqit kemi paguar kaucion i cili na është kompenzuar pas kthimit të shisheve. Shumë vende në botë kanë ndaluar përdorimin e qeseve të plastikës, duke i zëvendësuar me qese të letrës. Qeveria mund të vendosin edhe komisionin mbi shishe të qelqit, kanaqe të aluminit, por edhe në paketime tjera.
Besoj se ne mund të ndryshojmë sjelljen ashtu siç e ndryshojmë sjelljen kur ndodhemi jashtë Kosovës. Për çfar Kosove ne kemi luftuar? Ndryshimi duhet të fillojë nga secili prej nesh dhe të pasohet tek anëtarët e familjes dhe shoqëria e gjerë. Vetëdijësimi merr kohë, por ne duhet të synojmë gjeneratat e reja. Edukimi për mjedisin duhet të fillojë nga parashkollorët dhe të vazhdojë në të gjitha nivelet, dhe me këto veprime sigurohemi që kemi qytetar të përgjegjshëm ndaj mjedisit.
Pos mbeturinave të hedhura e të grumbulluara gjithandej, së shpejti do të kemi edhe problemin e stërmbushjes së deponive aktuale. Shpresojmë që së shpejti do të procedohet ligji për menaxhim të mbeturinave, ligj i cili do të mundësojë riciklimin e mbeturinave si dhe përdorjen e tyre për të gjeneruar ngrohje për qytete apo për të gjeneruar energji elektrike nga to. Kjo do të rezultojë me vende të reja punës dhe me mbeturina të menaxhuara sipas standardeve evropiane.
A e kemi tokën e ndotur:
Diskutimet se a kemi tokën e ndotur apo jo janë bërë pjesë e çdo debati për mjedisin, si pasojë e një raporti i dalur nga një projekt i përkrahur nga Komisioni Evropian. Pa aluduar në vërtetësinë apo jo të këtij raporti është duke pasur edhe anën pozitive sepse na ka bërë të mendojmë dhe të diskutojmë për tokën dhe ndotjen e saj.
Në Kosovë kemi pak tokë pjellore për kokë të banorit. Edhe këtë tokë të pakët pjellore, jemi duke e tkurrur me betonime e ndërtime. Në kushte optimale për tu formuar 2.5 cm tokë pjellore, nevojiten nga 800 deri në 1000 vite. Kurse ne, çdo vit shkatërrojmë me mijëra hektarë tokë të punueshme – kjo është bukë përmbysje.
Mirëpo ti kthehem pyetjes se: a e kemi tokën e ndotur? Për tu përgjigjur në këtë pyetje fillimisht të filloj nga dy burimet më evidente. ndustritë e mëdha gjatë procesit të prodhimit emetojnë gazëra toksike në ajër, të cilat bijnë mbi tokë duke e kontaminuar atë deri në 30 km. Nëse ujisim tokën nga lumenjtë në të cilët shkarkohen ujërat e patrajtuara industriale apo ujërat e zeza (gjithashtu të patrajtuara) atëherë ajo tokë do të kontaminohet. Nuk ka dëshmi të mjaftueshme se ndotësit më të mdhenjë në Kosovë (KEK-u, Trepça, Feronikeli dhe Sharrcemi) kanë standarde dhe teknologji moderne.
Janë të pakëta ato industri të cilat trajtojnë ujrat para se ti shkarkojnë ato në lumenj, prandaj shpesh dëgjojmë për peshq të ngordhur. Ujërat tona të zeza tona shkarkohen në lumenj pa trajtim paraprak. Përveç ndotjeve tona, aty derdhen edhe preparate të ndryshme që ne përdorim në (deterxhentë, shampona) të cilët përmbajnë kimikale të dëmshme. E bateritë e ndryshme gjithashtu ne i hedhim si çdo mbeturinë tjetër, me pasoja të pariparueshme për ndotjen e tokës, u pajtuam ne apo jo.
Mjedisi është një çështje që tejkalon gjeneratat. Ne nuk ja patëm për borxh gjeneratës së kaluar që ta ndotë tokën me metale të rënda në Trepçë, KEK e Ferronikel. Nuk ia patëm për borxh as që të shkatërrojnë tokën më të mirë me ndërtimin e industrive në tokën më pjellore. Gjenerata jonë është duke e dëmtuar natyrën edhe më shumë për një kohë shumë më shkurtër. Nuk kemi të drejtë ti shkatërrojmë dhe pakësojmë resurset natyrore për gjeneratat e ardhme. Nëse ky degradim vazhdon, vetë do të bartim pasojat por edhe pasardhësit tanë do të na mallkojnë pasi që nuk do të kenë jetesë në këtë vend.
Çfarë mund të bëjmë?
Të jemi më të përgjegjshëm për rolin që kemi ne me mjedisin. Të jemi shumë të zëshëm ndaj ndotësve të mjedisit dhe dëmtuesve të resurseve natyrore. Të kërkojmë nga politikanët e nivelit lokal dhe qëndror për vizionin dhe strategjinë mjedisore para se ti votojmë. Të fillohet me edukimin e gjeneratave të reja për kujdesin ndaj mjedisit.
Së fundi kemi një mundësi të mirë që të fillojmë këtë vit së mbari për të përmirësuar gjendjen mjedisore në Kosovë. Të fillojmë duke iu bashkangjitur fushatës me 24 maj: ‘Ta pastrojmë Kosovën.’ Për këtë ditë mos të diskutojmë se ata që i kanë hudhur duhet edhe ti mbledhin mbeturinat, mos të argumentojmë se janë kompanitë ato që duhet të pastrojnë. Edhe nëse e dijmë se ato sërish do të hudhen, për një ditë, ti përvjelemi punës e të pastrojmë Kosovën, duke pastruar lagjet tona. Me këtë veprim do të jemi pjesë e një fushate botërore. Të jetë ky vetëm fillimi.