• Shqip

Energjia apo Bujqësia? Cilit nga këta dy sektorë duhet t’i jepet përparësi për nga subvencionimi?

11.10.2016 Learta Hollaj

Po që se analizojmë përqendrimin e mbështetjes dhe subvencioneve në Kosovë që nga koha e pasluftës, vërejmë një fokus të qartë në fushat e energjisë dhe bujqësisë. Përderisa sektori i energjisë subvencionohej intensivisht në pjesën e prodhimit, subvencionet në bujqësi vonuan për një kohë të gjatë. Lëvizjet e para në këtë drejtim u vërejtën në vitin 2008, me alokimin e një shumë prej 400,000 EUR të destinuara për subvencionim të prodhimtarisë së grurit – shumë kjo e cila në vitin 2016 ka arritur vlerën prej 46 milion EUR. Mirëpo, të përballur me një buxhet deficitar i cili nuk arrin të përmbush të gjitha nevojat në nivel kombëtar, atëherë medoemos ballafaqohemi me sfidën e nevojës së prioritizimit. Ajo çka e bën këtë detyrë ende më të vështirë, është fakti se energjia ashtu edhe bujqësia, janë dëshmuar si dy sektorë me potencial të lartë për të kontribuuar në zhvillimin ekonomik të vendit. Prandaj, të gjendur përpara një dileme të tillë ku na kërkohet të pozicionohemi për njërën apo tjetrën, vijmë deri te ndërtimi i tre skenarëve të cilët medoemos duhet t’i shtjellojmë.

Skenari i parë i ashtuquajtur ‘as-as’, aludon për një zhvillim të të dy sektorëve pa prezencën e subvencioneve. Në një ekonomi ideale, që realisht e hasim vetëm në literaturën ekonomike, përgjigjja në pyetjen fillestare do të ishte ‘as njëra dhe as tjetra’. Duke qenë që, nevoja për prezantimin e subvencioneve apo ndihmave direkte lind në momentin që ne kemi mungesë të efikasiteti në një sektor të caktuar. Në pamundësi për të luftuar problemin në origjinë, atëherë i nënshtrohemi asaj që në ekonomi njihet si ‘second best’ apo alternativa e dytë më e mirë, e që në këtë rast janë subvencionet. Për më tepër, subvencionet krijojnë shtrembërime në incentiva dhe rishpërndarje të parave, pasi që në esencë ata mund të jenë edhe diskriminuese. Mirëpo, një skenar i tillë nuk gjen dot aplikim në rrethanat aktuale ekonomike.

Andaj lëvizim të skenari i ashtuquajtur ‘ose-ose’. Në rast të nevojës për qasje të tillë përjashtuese, duhet të sqarojmë se cili është objektivi ynë në rrafshin makroekonomik. Nëqoftëse qëllimi ynë është zvogëlimi i papunësisë, atëherë me automatizëm do të fitonte bujqësia. Kjo për shkak se, ndër të tjera, krijimi i një vendi të punës në bujqësi ka kosto dukshëm më të ulëta se krijimi i një vendi të punës në energji, që njihet si sektori me koston më të lartë në këtë drejtim. Njëkohësisht, në Kosovë, efektet e masave në kuadër të Programit të Zhvillimit Rural  në vitet e fundit kanë rezultuar në përmirësim të bilancit tregtar dhe nivelit të prodhimtarisë vendase. Ndikimi ne punësim është po ashtu i madh, ku nga viti i kaluar janë krijuar rreth 2,300-2,500 vende te reja te punës si rezultat i këtij investimi.

Mirëpo, nuk mund të mos theksoj që përderisa bujqësia është duke qenë një prej sektorëve më dinamik i cili mëton të krijoj kushtet për krijimin e zinxhirit të vlerës së shtuar të agro-produkteve, një gjë e tillë mund të bëhet vetëm nëse paralelisht sigurojmë infrastrukturën e plotë energjetike. Rreth 50% të bizneseve në Kosovë e konsiderojnë mungesën e furnizimit të rregullt si pengesë të madhe. Panelistët e sallonit të së martes diskutuan edhe marrjen e ‘përparësisë krahasuese’ si kriter përcaktues për vendimin tonë se cilin sektor të prioritizojmë. Mirëpo, një qasje e tillë duket jo shumë racionale, duke qenë që subvencionet janë realisht vendime politike në vend se të jenë ekonomike. Dizajnimi i skemës së subvencionimit bëhen ‘pre’ e premtimeve elektorale.  Prandaj, subvencionet jo gjithnjë kanë për qëllim përfundimtar rritjen e efikasitetit.

Duke e parë që subvencionet janë pothuajse të pashmangshme dhe duke trajtuar mundësinë që të mos detyrohemi të zgjedhim njërën karshi tjetrës, lind ideja për skenarin e tretë ‘edhe-edhe’. Rrjedhimisht ne fokusohemi drejt identifikimit të pikave të përbashkëta ku këto dy sektorë do të mund të takoheshin dhe të zhvillohen krah për krah. Aktualisht në Bashkimin Evropian, subvencionet në agrikulturë përbëjnë rreth 40% të buxhetit total. Mirëpo, marrja e subvencioneve kushtëzohet me nevojën për investim në Burime të Ripërtëritshme të Energjisë (BRE). Me këtë rast bujqit do të mund të shfrytëzonin sipërfaqet e tokave të tyre për të instaluar panele solare. Kjo përveç se do të ju mundësonte të prodhohin energji për nevojat e veta, ata do të mund të shesin sasinë shtesë për konsum të përgjithshëm. Duke qenë qe Kosova është zotuar të arrij cakun obligativ prej 25 %, një bashkëdyzim i tillë do të ishte  më se i mirë se ardhur. SI duket një praktikë e tillë është në ngjizje të sipërme edhe në Kosovë.

Përpara se të tundohemi të japim një verdikt final, duhet sqaruar që subvencionet për prodhim të energjisë tashmë janë të ndaluara në bazë të politikave të përpiluara nga BE. Kosova i është nënshtuar këtyre obligimeve duke qenë nënshkruese e Traktatit të Komunitetit të Energjisë. Thënë ndryshe, lloji i subvencionimit që i është bërë Korporatës Energjetike të Kosovë deri me tani, tashmë nuk është i pranueshëm. Për më tepër, me liberalizimin e tregut, nuk lejohet që të ketë masa preferenciale karshi prodhuesve vendor, për të respektuar kështu parimet thelbësore të tregut të lirë.

Respektivisht, duke pas një limitim të tillë, ne do duhej të përcaktoheshim për kombinim të subvencionimit të bujqësisë me fokus në integrimin e BRE-ve. Vlen të theksohet që subvencionimi për BRE tashmë ekziston në Kosovë, duke qenë që skema e tarifave nxitëse, të njohura si Feed-In-tariffs, është një masë në vete e subvencionimit. Ajo çka nuk duhet të anashkalohet kurrsesi, është subvencionimi në fushën e efiçiencës së energjisë,  një tjetër fushë ku Kosova është betuar të arrij cakun prej 9% apo 91ktoe deri në vitin 2018. Mbi të gjitha, një qasje e tillë do ndihmonte në ngritje të vetëdijesimit të popullatës dhe si përfundim do të kishte një efekt të dukshëm në zvogëlimin e konsumit të energjisë elektrike.

Nevoja për përkushtim drejt identifikimit të modaliteteve për realizim të tezave të propozuara në skenarin e tretë do duhej dhe të bëhet objektiv i politikave qeveritare. Një qasje e tillë do të mundësonte zhvillim paralel të qëndrueshëm të dy sektorëve dhe njëherit një përmbushje reale të objektivave të parashtruara në rrafshin ekonomik si dhe në kuadër të proceseve integruese në organizatat ndërkombëtare.