• Shqip

Arsimi dhe Aftësimi Profesional dhe nevojat e tregut

18.10.2016 Dren Pozhegu

Në çfarë gjendje janë shkollat dhe institucionet tjera të aftësimit profesional në Kosovë? Të diplomuarit/at e shkollave profesionale: ku më pas, nëse jo në universitet?

Ndoshta do të ishte më se miri nëse këtë shkrim të e fillojmë me faktin që në Kosovë ka papunësi tejet të lartë dhe punësim tejet të ulët. Sipas statistikave të fundit zyrtare, 32.9 % e fuqisë punëtore janë të papunë, ndërsa të punësuar janë vetëm 25.2 % të të gjithë popullsisë. Papunësia bëhet ende më e madhe tek të rinjtë e moshës 15-24 vjet – rreth 57.7 %. Si është e mundur të ketë një numër kaq të madh të të papunëve? Zakonisht, ekonomistet supozojnë që papunësi nuk ka (përveç papunësisë natyrale prej rreth 3-7 %) për faktin që tregu e pastron vetveten – pra nëse ka shumë të papunë, rrogat ulen nga konkurrenca, dhe kjo e bën më të lehtë që bizneset të punësojnë më shumë, deri në pikën kur papunësia bie në minimum. Edhe pse tema e papunësisë kërkon një tjetër diskutim/shkrim më të detajuar, një pjesë e madhe e ekonomisteve dhe eksperteve të fushës mendojnë që papunësia e madhe në Kosovë ka të bëj me mospërputhjen e nevojave të tregut me aftësitë e fuqisë punëtore – pra papunësi strukturale. Dhe kur jemi tek aftësitë, rol kyç këtu ka shkollimi dhe sidomos shkollimi profesional.

Shumë evidenca anekdotale tregojnë që në Kosovë kemi bollëk të kuadrove të shkolluar në nivelin universitar por kemi pak kuadro profesional. Me fjalë tjera, Kosova ka relativisht shumë mjekë, ekonomistë, dhe juristë, por ka relativisht pak teknikë, saldues, rrobaqepës, druprerës, apo specialiste të agrikulturës. Përveç orientimit të nxënësve drejt fakulteteve, ka edhe një diskrepancë nga bizneset në atë çfarë ata kanë nevojë dhe titulli i asaj çfarë kanë nevojë. Si rrjedhojë, ka shumë biznese që mendojnë që kanë nevojë për inxhinier, por në fakt kanë nevojë për teknikë. Kjo vetëm sa tregon ‘institucionalizimin’ e kësaj mendësie – gjithsesi të gabuar – e cila ndihmon në vazhdimin e problemit dhe turbullon zgjidhen e tij.

Dhe sa jemi tek shkollimi, ka një diferencë të madhe ndërmjet shkollave profesionale dhe gjimnazeve. Ka një tendencë të fortë që gjimnazet – dhe më tutje fakulteti – të shihen si rruga e duhur për të ndjekur, ndërsa shkollat profesionale të jenë zgjedhja e dytë. Përpos tendencës së fëmijëve, shpesh edhe arsimtaret i këshillojnë nxënësit e tyre që të vazhdojnë në gjimnaze. Në disa raste, ka qenë problem të mbushen shkollat profesionale me nxënës, në krahasim me shkolla tjera që kanë kërkesë aq të madhe sa që detyrohen që të kthejnë prapa një numër të madh nxënësish. Kësisoj, shkollat profesionale jo vetëm që janë në disavantazh për faktin që pranojnë nxënës më të dobët apo nxënës për të cilët shkolla profesionale është opsioni i dytë, por edhe janë të stigmatizuara. E gjithë kjo bën që qysh në start, kualiteti i shkollave profesionale të jetë më i dobët. Dhe duke pasur parasysh këto çështje, nuk është shumë e rastësishme që shkollat profesionale kanë shkallën më të lartë të braktisjes.

Për më tepër, shkollat profesionale kanë edhe një mori të problemeve tjera me buxhet. Për shkak të karakterit të tyre praktik, ku për shembull nxënësit duhet të mësojnë të qepin apo të përdorin makineri, shkollat profesionale kanë nevojë për një buxhet më të lartë për blerë dhe mirëmbajtur këto pajisje. Momentalisht, një diferencim i tillë ne buxhet ndërmjet shkollave deri më tani nuk ndodhë. Si rezultat, përkundër nevojave më të mëdha, shkollat profesionale marrin të njëjtat fonde si shkollat tjera. Për më shumë, ashtu si të gjithë shkollat tjera, ato kanë pak autonomi për fondet e tyre. E meqë shkollat profesionale kanë nevoja më të ndryshme, mungesa e autonomisë në buxhet kufizon mjaft punën e tyre. Gjithashtu, njëjtë si shkollat tjera, edhe shkollat profesionale ballafaqohen me shumë procedura të prokurimit. Duke pasur parasysh nevojat praktike të këtyre shkollave, këto procedura shpesh vështirësojnë punën e shkollave profesionale dhe rezultojnë në vonesa apo mungesë të mjeteve të punës.

Një aspekt tjetër i rëndësishëm i arsimit – dhe aftësimit – profesional është puna praktike. Pikë së pari, në objektet e shkollave jo gjithmonë ekzistojnë hapësirë apo mjete profesionale, si makineri të ndryshme, që nxënësit të mësojnë praktikën e punës. Gjithashtu, bashkëpunimi ndërmjet institucioneve arsimore dhe bizneseve nuk është në nivelin e kënaqshëm, gjë e cila e vështirëson apo edhe e pamundëson dërgimin e nxënësve në punë praktike. Këtu problemi është i shumëfishtë. E para, nuk ka mjaftueshëm kompani ku të dërgohen nxënësit. E dyta, praktikantët shpesh nuk shfrytëzohen për punë praktike, por (keq)shfrytëzohen për punë tjera që nuk kanë të bëjnë me fushën e tyre – si shfrytëzimi për fotokopje dhe bërje të kafeve. E treta, mbetet sfidë për të dy palët shpenzimet e rrugës dhe të ushqimit për praktikantin/en. Për bizneset, kjo shpesh është kosto të cilën ata e shohin të paarsyeshme, duke dikur edhe produktivitetin e ulët të praktikanteve, ndërsa për praktikantet është e papërballueshme duke pasur parasysh mungesën apo nivelin e ulët të të ardhurave. Dhe për fund, nuk ka incentiva që të stimulojnë bizneset të marrin sa më shumë punëtore për praktike, prej të cilës do të fitonin edhe nxënësit edhe bizneset (duke supozuar që disa prej atyre praktikanteve do të jenë shumë të mirë dhe do të vazhdojnë të punojnë). Kësisoj, ndoshta shteti do të duhej të ndërhynte dhe përmes incentivave të ndihmojë aftësimin e fuqisë punëtore, dhe kësisoj edhe të kontribuojë në uljen e papunësisë.

Për fund, edhe pse sektori i arsimit dhe aftësimit profesional karakterizohet nga probleme të shumta dhe prej më të ndryshmeve – të cilat gjithashtu nuk mbarojnë me ato që i përmendem këtu – ka edhe zhvillime pozitive të cilat edhe nëse nuk janë të mjaftueshme së paku janë hapa të duhura drejt zhvillimit dhe përmirësimit të kualitetit në këto institucione. Tash e tutje shkollat profesionale do t’i nënshtrohen procesit të akreditimit, pak a shumë njëjtë siç i nënshtrohen universitetet. Kjo me shpresë do të përmirësojë udhëheqjen e shkollave. Është shtuar niveli i pestë, nivel i cili është më i lartë se shkolla profesionale, por nuk është nivel akademik i baçelorit. Kjo do të japë mundësi personave të interesuar të rrisin aftësitë dhe njohuritë e tyre të bëjnë një gjë të tillë pa u ngarkuar me lëndë tjera akademike për të cilat ata nuk kanë interesim apo edhe kohë. Ndërsa institucione si Korniza Kombëtare e Kualifikimeve, e krijuar relativisht vonë, ka punuar dhe është duke u angazhuar në disa reforma, si vendimmarrja rreth shkollave profesionale në bazë të nevojave të tregut dhe jo ekskluzivisht në bazë të mendimit të institucioneve arsimore, vlerësimi i kompetencave pa marrë parasysh mënyrës së marrjes së atyre kompetencave, standardizimi i profesioneve, etj.