• Shqip

Udhëheqësit komunal të pa interesuar për rininë kosovare!

06.12.2018 Saranda Selimi

Ekzistojnë shumë Organizata të shoqërisë civile nëpër komunat e  Kosovës, që merren me të rinjtë. Por, sa dëgjohet zëri i tyre tek udhëheqësit komunal tregohet mjaft mirë nëpërmjet përkrahjes që institucionet bëjnë për këtë pjesë shumë të rëndësishme të shoqërisë sonë. Edhe pse cilësohen si e ardhmja e vendit, të rinjtë në Kosovë, duket që janë ‘bira e fundit e kavallit’, e krejt kjo vjen si rezultat i mos angazhimit të udhëheqësve komunal që janë të thirru për këtë punë.

Ndonëse, arsimimi dhe kujdesia për të rinjtë do të duhej të ishte pika kryesore e një vendi, në Kosovë, kjo gjë është shumë pak e theksuar. Gjithçka nisë nga një takim, por mundësia që të rinjtë të takojnë udhëheqësit e tyre e që ata t’i dëgjojnë problemet e tyre dhe t’i adresojnë deri tek institucionet më të larta shtetërore nëse duhet, është e barabartë me zero. Edhe pse secili drejtor i Drejtorisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit në vend, është i detyruar që të merret me secilin departament që ka kjo drejtori, duket se ajo më e lëna anash është Rinia. Po ashtu secili udhëheqës komunal, do të duhej që të jetë më afër tyre për secilën kërkesë, por kjo është e pamundur. E më e keqja, është se rinia kosovare, thuajse nuk e dinë se kush i përfaqëson nëpër institucione, nuk i njohin personat adekuat që merren me ta dhe nuk e kanë idenë se ku të drejtohen.

Është e dhimbshme që të rinjtë në Kosovë, edhe kur organizohen ngjarje pikërisht për ta, për të folur për të drejtat e tyre dhe problemet e tyre, nuk janë të pranishëm. Kjo gjë vjen ngase në vend është instaluar fjala se ‘je i ri e nuk din’, dhe kësisoj vazhdojnë të mendojnë që mendimi i tyre nuk do të merret parasysh (ashtu siç nuk po merret), nga asnjë institucion shtetëror. Po ashtu, njoftimet që duhet të bëhen nga drejtoritë kompetente asnjëherë nuk janë të duhura dhe mjaftueshëm informuese, që të rinjtë të dinë se çka po bëhet për ta, edhe pse bëhet mjaft pak. Janë ndërruar shumë udhëheqës dhe gjithmonë nëpër fushata zgjedhore nëpër programet e secilës parti në vend, ka një pikë të veçantë për të rinjtë, por asnjëherë ato pika nuk i kemi parë që janë zbatuar. Është e dhimbshme që përdoren të rinjtë mjaft shumë për këto aktivitete zgjedhore, por pasi përfundojnë zgjedhjet, secili udhëheqës vazhdon detyrat e ‘rëndësishme’, dhe për ardhmërinë e vendit nuk punohet siç flitet se do të bëjnë.

Sa shumë ka në Kosovë, të rinj e të reja që kanë talente të jashtëzakonshme e që nuk dalin asnjëherë në pah. Gjithmonë duhet të jetë një vend tjetër i botës që të na i zbulojë talentet tanë e pastaj udhëheqësit të lavdërohen me ta se vijnë nga vendi që ata udhëheqin. Nuk është sukses i yti nëse ti deri dje nuk ia ke ofruar mundësinë as të të takojë e lëre më mundësitë e tjera.

Nëpër komunat e Kosovës, nuk ka mjaft hapësira për të rinj, ngase asnjë komunë në Kosovë nuk ka një Qendër të të Rinjve që i plotëson të gjitha kushtet. Çdo vit kemi ndërhyrje nëpër qendra rinore të cilat pa u bërë pak muaj nisin të mos jenë më funksionale. Nuk ka vende rekreative e nuk ka kushte minimale për zhvillim të të rinjve.

E ata pak të rinj që janë pjesë e OJQ-ve që merren me ta, nuk mund të kenë ndonjë takim me udhëheqësit komunal që krejt këto probleme t’i paraqesin para tyre, pavarësisht kësaj se këta udhëheqës shprehen mjaft të hapur nëpër medie. Edhe po të ketë ndonjë takim nuk do të jetë i frytshëm, kërkesat e të rinjve në Kosovë nuk do të adresohen tutje, do të qëndrojnë aty për tu futur në ndonjë arkiv e cila nuk do të hapet kurrë më.

Kësisoj, Kosova do të vazhdojë të krijojë njerëz të papërgjegjshëm, pasi që, të rinjtë mësojnë nga më të vjetrit dhe nuk mund të presim diçka më të mirë se ajo që kemi, pasi që, rinisë me vetëdije të plotë po i servohet diçka e tillë.

Kosova ka një rini mjaft të shëndoshë por nuk ka udhëheqës që  merren me ta në mënyrë aktive.