• Shqip

Stagnimi (Degradimi) i komunës së Gjilanit

28.09.2017 Blerinë Ukshini

Në vendlindjen e cila nuk lë për të dëshiruar kthimin në këtë qytet që ka një kaos në 525 km2, me infrastrukturë të pa rregulluar e me një turizëm rural të pa zhvilluar. Gjilani i pas luftës me fabrika të mbyllura dhe të privatizuara si dhe një komunë shumë e mangët në aktivitetet rinore. Por në anën tjetër me një rini këmbëngulëse e cila kërkon shpëtim nga kjo gjendje kaotike e cila ka minimizuar mundësitë e tyre për të qenë pjesë e vendimmarrjes në komunë në mënyrë direkte apo indirekte që nga pas lufta.

Në prag të zgjedhjeve lokale ku të gjithë kandidatët synojnë një pushtet katër vjeçar me premtime të cilat  pretendohet që do të ndryshohet perspektiva e të rinjve për Gjilanin. Disa prej kandidatëve me kujtesën e tyre se si kanë qenë rrethanat në rininë e tyre, të tjetër me premtime të shumta. Por edhe disa prej tyre me interes më shumë për një ndeshje futbolli se sa për një debat me të rinjtë e qytetit të cilit mund ti shërbejnë zyrtarisht për një mandat. Kjo vërteton edhe një herë hulumtimin në teren nga Instituti D4D, ku ka rezultuar se kontakti i të rinjve është më i shpeshtë me deputetët/et e nivelit qendror se sa me kryetarët e komunave te tyre dhe anëtarët komunal. Premtimet e partive politike për rininë janë të larmishme dhe gjithë përfshirëse, me fokus në arsim, kulturë, sport si dhe vende të reja të punës. Baza e premtimeve shumë herë qëndron në ajër. Kjo për shkak të sigurisë në buxhet por me shpresë në bashkëpunimin me donatorët ndërkombëtar si dhe subvencioneve. Por me gjithë atë mbesim me shpresën që këto premtime do të jetësohen gjatë mandatit  katër vjeçar.

Arsimi si alfa dhe omega ku e tashmja dhe e ardhmja e të rinjve të vendit, është një pikë me rëndësi e pazëvendësueshme.  e lënë pas dore deri tani por që në mandatet e ardhshme sipas premtimeve do të jetë prioriteti kryesor. Duke përfshirë këtu investimet në këndet e leximit në shkolla fillore dhe të mesme, funksionalizimin e bibliotekës së qytetit, ndarjen e bursave komunale, ndërtimin e një kampusi universitar i cili do ti përbush nevojat e studentëve. Të gjitha këto me qëllimin  për ti motivuar të rinjtë në mësim nxënje, si dhe me synimin e rritjes së kualitetit dhe ngritjes së rezultateve sidomos në testet ndërkombëtare si PISA. Pengesa më e madhe sipas kandidatëve qëndron në kurikulat mësimore, pikë kjo shumë më rëndësi por të cilat varen nga niveli qendror dhe jo ai lokal. Pas përfundimit të studimeve të gjithë synojnë një punë për të cilën edhe janë përgatitur teorikisht për vite me radhë, mirëpo jo të gjithë kanë fatin të jënë të punësuar madje edhe një kohë të gjatë pas përfundimit të studimeve. Kur është fjala te punësimi të gjithë qëndrojmë skeptik, në një anë më dëshirën për të besuar në rritjen e kapaciteteve njerëzore si në sektorin privat ashtu edhe atë publik, por në anën tjetër me friken se premtimet e fushatave zgjedhore do të asgjësohen pa asnjë llogaridhënie dhe punësimi përsëri do të jetë minimal, si dhe me tendenca familjare dhe korruptive.

Dëshira për të qenë aktiv vërehet në frustrimin e të rinjve karshi mungesës së aktiviteteve kulturo-artistike dhe sportive , të cilat pa mundësohen si rrjedhojë e mungesës së teatrit dhe kinemasë në qytetin e Gjilanit. Kjo komentohet edhe nga ana e disa kandidatëve për kryetar të Gjilanit, duke lënë fajtor pushtetin lokal të cilët e kanë anashkaluar këtë pjesë deri tani, duke mbyllur kinemanë ndërsa në teatrin ekzistues duke mos investuar. Sipas tyre gjatë këtij viti është mbajtur vetëm një shfaqje teatrale, kurse ironia qëndron se tani në fushatën zgjedhore po thuajse çdo ditë mbahen tubime partiake duke kërkuar votën e qytetarëve, pikërisht në vendin ku gjatë përditshmërisë së tyre këto dyer janë të mbyllura. Premtimet zënë vend edhe në fushën e sportit, pasi që të rinjtë ankohen në mungesë të hapësirave të gjelbëra, fushave sportive, si dhe infrastrukturës së mangët  të stadiumit të Gjilanit. Kjo më së shumti vërehet gjatë derbit Gjilani- Drita, me tifozeri të shumëfishuar dhe disproporcion me kapacitetin e ulëseve të këtij stadiumi. Pika këto të cilat janë përfshirë në plan programet e partive politike dhe ndoshta do të realizohen në një të ardhme të afërt..

Më e mira karshi problemeve të shumta, është rinia entuziaste e cila kërkon me këmbëngulje të drejtat e tyre, aktivizmin në vendimmarrje, aktivitete kulturo-artistike dhe njohjen e punës vullnetare.  Kjo duhet të jetë edhe një praktikë e cila duhet të rritet edhe me shumë në mënyrë që të ketë një rrjetëzim më të madh dhe të rinjtë të shohin vetën e tyre si potencialin kryesor për të bërë ndryshime, sidomos duke avokuar dhe kërkuar llogaridhënie nga organet udhëheqëse. Rinia është ajo që vendos, madje vetëm më një votë të bëjë diferencimin për të ardhmen e vendit të tyre. Rinia mund të shpërblej por eshë të ndëshkoj me votë, andaj është koha që të merren më seriozisht kërkesat dhe nevojat e tyre.

Pak rëndësi ka se kush do të udhëheq, por se si do të udhëheq, çdo program partiak është i mirëseardhur dhe në një mënyrë apo tjetrën përmban diçka e cila do të përforconte rendësin e rinisë dhe do të përmbushte kërkesat e tyre, duke vënë në pah motivin dhe rendësin e të rinjve. Më e rëndësishmja është  që të gjitha premtimet dhe investimet e pushtetit lokal, pa marrë parasysh se kush do të udhëheq për katër vitet e ardhshme, nuk duhet të merren si mburrje, por si detyrë e çdo udhëheqësi që ka karshi qytetarëve dhe qytetit të tij.